Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 16 mijë studentë u regjistruan në fazën e parë. Çfarë preferuan, çfarë refuzuan dhe çfarë u mbetet për të zgjedhur

Shkruar nga Liberale
SHIFRA E DITËS: 16 mijë studentë u regjistruan në fazën

Aranit Muraçi

Preferencat e maturantëve nxjerrin edhe një herë në pah mungesën e një studimi mbi nevojat që ka tregu i punës. Politikat që hartohen në mungesë të një studimi aq të nevojshëm me siguri nuk adresojnë problematikat për të riparuar defektet që u shfaqen studentëve gjatë rrugëtimit akademik.

Deri më 1 tetor do të jenë aktive 5 faza të tjera 48 orëshe regjistrimi për 6 mijë maturantët që janë shpallur fitues në raundin e dytë të aplikimit online. Universiteti më i madh publik në vend që tërheq mbi gjysmën e studentëve, ai i Tiranës, por edhe Universiteti Bujqësor, dhe disa nga degët e inxhinierive po shfaqin “simptomat” që kanë shfaqur gjatë viteve të fundit universitetet publike të rretheve.

Shumë degë, ndonëse qeveria i kategorizoi si prioritare janë refuzuar në raundin e parë dhe mësohet se ka një interes shumë të ulët edhe në raundin e dytë. Ironikisht, edhe pse për të ndjekur studimet u akordua një bursë me vlerën e pagës minimale (400 mijë lekë të vjetra), këto degë po hasin vështirësi për të tërhequr studentë. Ekspertët thonë se degët e konsideruara “të vdekura” për shkak të politikave të gabuara që janë ndjekur në këto vite mund të shpëtojnë tashmë që është vonë vetëm nëse ato do t’i ndjekin të papunët, ose ata të cilët trajtohen në treg me pagë minimale dhe vendosin të heqin dorë nga puna, për të ndjekur studimet si një “alternativë më e mirë ekonomike”.

Në Universitetin e Tiranës ironikisht më pak interes po shfaqin degët e shkencave, si matematika, fizika, kimia etj. Pak interes ka për inxhinieritë që lidhen me minierat dhe naftën, edhe pse dihet që vendi ynë mbetet i pasur me resurse natyrore si naftë dhe lëndë minerale, apo edhe për degët profesionale si mekanikja dhe mjedisi, si dhe degë të Universitetit Bujqësor, të cilat ndikojnë direkt në ekonominë e vendeve si Shqipëria që kanë prioritet bujqësinë, si agronomia, veterinaria etj.

Braktisja e degëve të tilla provon mospërputhje të nevojave të tregut me preferencat e studentëve.

Por cilat janë politikat e gabuara që janë ndjekur në këto vite? Janë të atilla saqë vazhdojnë të udhëhiqen nga refuzimi për të njohur nevojat e tregut të punës dhe nga ana tjetër injorimi i vazhdueshëm i mos-përputhjes së ekspertizës që del nga universiteti me nevojën e tregut për ekspertizë.

Duket se edhe maturantët janë edukuar me idenë që të kenë një diplomë dhe të punësohen në shtet, ose të punësohen jashtë vendit. Kështu, për të punuar në administratën publike është krijuar ideja e gabuar se mjafton të kesh një diplomë çfarëdo. Ndërsa më të kërkuarat mbeten degët e lidhura me mjekësinë, për faktin se pas përfundimit të studimeve, të rinjtë shohin mundësi punësimi në vendet e zhvilluara të BE-së, kryesisht në Gjermani. Paralelisht po zhvillohet edhe debati nëse e ka Shqipëria luksin që të investojë për të kualifikuar të rinjtë e saj që të punësohen në tregun gjerman...

Si të mos mjaftojë tkurrja nga emigracioni dhe plakja e popullsisë, shifrat e deritanishme tregojnë se këtë vit vetëm 27 studentë kanë zgjedhur që të studiojnë në degët matematikë, fizikë dhe kimi, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, shifër kjo alarmante për shkencat ekzakte. Një nga arsyet e braktisjes së shkencës besohet se është perspektiva e dobët në tregun e punës, gjendja e mjerueshme e laboratorëve, mungesa e seriozitetit dhe investimet e pakta të vendit tonë në kërkimin shkencor. Ashtu sikurse edhe vetë vlerësimi ndaj shkencës dhe studimeve të mirëfillta në përgjithësi. Mësohet se në Matematikë deri më tani janë regjistruar vetëm 14 studentë, në Fizikë 7 studentë, ndërsa në Kimi vetëm 6 të rinj, ndërkohë vlen për tu theksuar se vitin e kaluar në degën e Kimisë ka patur 100 kuota.

Pak gjasa ka që kuotat në të tilla degë të plotësohen në raundin e dytë. Për t’u regjistruar janë edhe maturantët e vjeshtës apo ata që kanë kryer shkollën e mesme jashtë Shqipërisë dhe kanë plotësuar formularin A1Z. Është një tjetër ironi fakti, që sistemi duke qenë se mbeten preferenca të fundit, në shkenca u mbetet që të shkojnë maturantët mbetës, ndërkohë që duhet të ndodhë e kundërta. 80% e maturantëve me rezultatet më të mira që kanë aplikuar për në universitet ose thënë ndryshe rreth 16 mijë prej tyre janë regjistruar që në raundin e parë.

Procesi i regjistrimit në universitete përmbyllet me fazën e lirë nga data 4 deri më 10 tetor ku nxënësit që janë regjistruar fillimisht në portalin U-Albania mund të shkojnë pranë fakulteteve që kanë kuota të lira. Kuotat në degët e preferuara të studimit si mjekësi dhe arkitekturë janë ezauruar që në raundin e parë. Në raundin e dytë afrohen vende të lira në programet e studimit që ofrojnë fakultet më të mëdha si ai Ekonomik, Juridik dhe Gjuhët e Huaja. Eksperienca e viteve të kaluara ka treguar se mbi 95% e maturantëve arrijnë të regjistrohen brenda dy raundeve thotë Arjan Xhelaj, drejtor i Rrjetit Akademik Shqiptar

Xhelaj sqaron se në këtë raund të dytë pritet edhe një rritje e interesit për programet 2-vjeçare të studimit. Sipas tij, realizimi i kuotave në programet 2-vjeçare është në masën 31%, ndërkohë që pritet që me raundin e dytë mund të ketë edhe maturantë, të cilët megjithëse kanë mesataren mbi 6,5 regjistrohen në programe 2-vjeçare kur ato ofrojnë çfarë ata duan. Pas raundit të dytë do të ketë edhe një fazë të hapur regjistrimesh, e cila përmbyll të gjithë procesin e pranimeve në universitet në fund të muajit tetor.

Ndërkohë që paralelisht me regjistrimet në universitete ka nisur edhe regjistrimi në konvikte, teksa këtë vit po shfaqet kriza e akomodimit të studentëve. Dita e parë e regjistrimeve në konviktet e Fakultetit të Mjekësisë dhe atë të Inxhinierisë është shoqëruar me këtë fluks, pasi rritja e qirave në Tiranë është bërë e papërballueshme për shumicën e familjeve shqiptare. Rikthimi në konvikt shihet si mundësi më e mirë ekonomike. Edhe në Qytetin Studenti, ndryshe nga vitet e kaluar, raportohet për një fluks të lartë studentësh këtë vit, për faktin e rritjes së qirave në kryeqytet.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH