Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 126 milionë euro 'avulluan' në 6 muaj, pse bizneset shqiptare po shtojnë investimet jashtë vendit   

Shkruar nga Liberale

Aranit Muraçi

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për 6-mujorin 2023, vlera e investimeve të kompanive shqiptare jashtë vendit arriti në 126 milionë euro, ose 40% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Duket sikur pas profesionistëve dhe punëtorëve edhe bizneset po largohen nga Shqipëria.

Ky është edhe niveli më i lartë i investimeve shqiptare jashtë vendit, të paktën sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, që fillojnë  nga viti 2008. Bilanci neto i investimeve të huaja direkte për 6-mujorin 2023 ishte negativ, me një vlerë në total prej 560 milionë eurosh, ose në rritje me 1.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Bilanci negativ në llogarinë e investimeve të huaja do të thotë se investimet e huaja direkte hyrëse në Shqipëri ngelen shumë më të larta krahasuar me investimet shqiptare jashtë vendit.

Besohet se investimet e huaja i përkasin disa prej grupeve të rëndësishme të biznesit që operon në vendin tonë, si Balfin, Kastrati apo Union Group teksa kompanitë e mëdha kanë shtrirë aktivitetin e tyre në vendet fqinje ku ka shqiptarë si në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Kroaci, Austri, Zvicër, Kroaci, duke investuar kryesisht në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe shërbimeve financiare. Por ka edhe shumë biznese që investojnë ose e transferojnë kapitalin jashtë, për arsye sigurie, duke qenë se Shqipëria është një treg i vogël, sikurse politikat e paqëndrueshme, e ekspozojnë vendin përballë risqeve të mëdha.

Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë se deri në fund të marsit 2023, stoku i investimeve shqiptare në Kosovë kapte vlerën e 322 milionë eurove, çka e bënte Shqipërinë investitorin e gjashtë më të madh në Kosovë. Edhe Kosova zë thuajse të njëjtat pozita përsa i përket zërit të investimeve të huaja në Shqipëri.

Ndërkohë, flukset e reja të investimeve shqiptare në Kosovë për 6-mujorin e parë të këtij viti kishin vlerën e 32.7 milionë eurove, në rritje me 7.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kërkimet për naftë në Shpirag e kanë bërë industrinë nxjerrëse sektorin që ka tërhequr më shumë investime të huaja, investime që rriten çdo vit. Në gjashtë muajit e parë të vitit 2023, në industrinë nxjerrëse janë investuar 133 milionë euro nga investitorë të huaj, nga 114 milionë euro që u investuan vitin e kaluar në të njëjtën periudhë.

Kërkimet për naftë në Shpirag kryesojnë edhe këtë vit listën e investimeve të huaja, ndërsa industria nxjerrëse është në krye të listës si sektori që ka përfituar më shumë para nga investitorët e huaj. Në 5 vite prej 2018-ës në këtë aktivitet janë investuar 1.2 miliardë euro dhe kjo është arsyeja që investimet e huaja i kryeson një vend i BE-së që nuk ka shumë volum tregtar me vendin tonë, si Holanda. Sipas shteteve investimet e huaja i kryeson Holanda me 125 mln euro, më pas vjen Italia 109 mln euro, Turqia 68 mln euro, dhe Austria 59 mln euro.

Ka edhe investitorë të tjerë të vegjël nga vende të tjera të cilët operojnë në Holandë, por  investojnë në Shqipëri dhe regjistrohen automatikisht si investitorë holandezë. Edhe vendet e tjera si Italia, Turqia dhe Austria investojnë në sektorë si miniera dhe energjetikë, dhe ndërtim.

Ndërsa në vend të dytë është aktiviteti i pasurive të paluajtshme, në të cilin janë investuar nga janari deri në  qershor 127 milionë euro. Investimet në këtë sektor janë përqendruar më së shumti në blerjen e vilave apo apartamenteve në zonat më të zhvilluara të kryeqytetit dhe në bregdet.

Pavarësisht se ka fluks të lartë parash që qarkullon në këtë sektor, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë investimet e huaja në krahasim me vjet kanë rënë me 21 milionë euro, pasi në gjashtëmujorin e parë të 2022 në pasuri të paluajtshme ishin investuar 148 milionë euro. Ndërkohë në 5 vite ky sektor ka përfituar 913 milionë euro.

Për këtë periudhë janë investuar 120 milionë euro edhe në fushën e sigurimeve, gati duke u dyfishuar në krahasim me 2022-in kur në gjashtë muaj u investuan në total 66 milionë euro. Ndërkohë vijojnë të bien investimet në sektorin e energjisë elektrike për shkak të përfundimit të projekteve prioritare si TAP apo investimi në kaskadën e Devollit. Në total në 6 muaj në Shqipëri të huajt kanë investuar 686 milionë euro nga 607 milionë euro që investuan vitin e kaluar.

Referuar të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për vitin 2022, indikatori i fluksit të investimeve të huaja shënoi në total vlerën 1.372 milionë euro, shifër rekord në fluksin e investimeve të huaja direkte në vend. Krahasuar me vitin 2021, kur fluksi shënonte 1.035 milionë euro, pati një rritje me 337 milionë euro ose me 32.5%. Rritja ka vijuar edhe në 6 muajt e parë të vitit 2023, por rritjen më të madhe e kanë pasur investimet shqiptare jashtë vendit.

Investimet e huaja në Shqipëri

Janar-Qershor 2023                      686 mln euro

Janar-Qershor 2022                      607 mln euro

Janar-Qershor 2021                      469 mln euro

Investimet në industrinë nxjerrëse

Janar-Qershor 2023                       133 mln euro

Janar-Qershor 2022                        114 mln euro

Diferenca                                       +19 mln euro

Investimet në pasuri të paluajtshme

Janar-Qershor 2023                       127 mln euro

Janar-Qershor 2022                        148 mln euro

Diferenca                                       -21 mln euro

[caption id="attachment_1385978" align="alignnone" width="737"] Investimet e huaja në Shqipëri, viti 2022[/caption]

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH