Globi

SHIFRA E DITËS: 12 euro në orë bëhet paga minimale, Gjermania në "luftë" me krizën

Shkruar nga Liberale
SHIFRA E DITËS: 12 euro në orë bëhet paga minimale,

Nga Aranit Muraçi

Teksa u shpërnda sot Buntestagu, kancelari Olaf Scholz paralajmëroi rritjen e pagës minimale nga nëntë në 12 euro nga data 1 tetor.  Paga minimale do të hyjë në fuqi në tetor 2022, që do të thotë se në një ditë, për 8 orë punë, çdo punëtor me pagën minimale do të marrë 100 euro. Megjithatë, Gjermania rrezikon të futet në krizë, si pasojë e krizës së çmimeve, nga efekti aspak premtues i globalizimit të ekonomisë.

Gjermania, prej kohësh, një nga gjigantët e ekonomisë botërore, është në prag të një ‘përmbysjeje të madhe’, për të cilin disa frikësohen se rrezikon prosperitetin e ndërtuar nga brezi i saj i pasluftës.

Ndërkohë që në sipërfaqe, motori ekonomik gjerman po jep shenjat e para, një ndryshim i kohëve të fundit në eksporte dhe rënia e madhe e çmimeve të aksioneve tradhtojnë problemet e thella që po has ekonomia e vendit më të populluar dhe më të zellshëm të kontinentit, e konsideruar ndryshe “shtylla kurrizore” e ekonomisë së Bashkimit Evropian.

Në maj, ekonomia më e madhe e Evropës importoi më shumë sesa eksportoi për herë të parë në tre dekada, duke thyer fitimet edhe të “Exportëeltmeister" ose “kampionit global të eksporteve” që nga ribashkimi i vendit.

Ministri i Financave Christian Lindner e krahasoi atë me një “paralajmërim” – ose një alarm i kuq për fitimet e kompanive. Shitja më shumë se sa blen, ose siç njihet ndryshe suficiti buxhetor, ka qenë një parim qendror i ngjitjes së Gjermanisë në elitën ekonomike globale.

Vetëm disa javë më parë, në të njëjtën ditë kur Berlini u përpoq të shkonte drejt racionimit të energjisë, aksionet në Deutsche Bank dhe Commerzbank, në dy bankat kryesore të vendit, ranë rreth 12%.

Rregullatorët gjermanë e justifikojnë këtë kolaps nga frika e përballjes së ekonomisë së vendit me frenimin e furnizimit me gaz rus që mbështet industrinë. Sipas Achim Truger, një nga ekspertët kryesorë ekonomikë të qeverisë, “nëse dikush e ka parë ndonjëherë Gjermaninë si një model, ndoshta është koha për të pasur një pikëpamje realiste për pikat e forta dhe të dobëta të saj. Askush nuk është perfekt.”

Pas Luftës së Dytë Botërore, Gjermania, e ndihmuar nga SHBA, e ngriti ekonominë e saj mbi industrinë e makinave, dhe industrinë e lehtë, të kontrolluara përmes bankave të tilla si Deutsche Bank që zotëron aksione në firmat industriale - një sistem i njohur si Deutschland AG, ose Germany Inc.

Bundesbank  e mbajti monedhën e saj të qëndrueshme. E gjithë kjo nxiti rritje të eksporteve gjatë viteve 1980, 1990 dhe 2000, kohë në të cilën marka gjermane ishte zëvendësuar nga euro me një normë që i bënte eksportet gjermane edhe më tërheqëse. Gjermania, falë reformave të tregut të punës, kapërceu si me magji në fillim të mijëvjeçarit, duke u ngjitur në ekonomitë lider të botës.

Suksesi i saj karshi fqinjëve evropianë duke shitur më shumë sesa blen, antagonizoi shumë vende që morën hua për të blerë mallra gjermane. Më pas këmbëngulja e Berlinit në krizën e borxhit që vende të tilla si Greqia të pranojnë kushte të vështira për huatë emergjente nxiti më shumë pakënaqësi. Por shumë gjermanë hodhën poshtë një kritikë të tillë, duke vlerësuar efikasitetin e tyre për suksesin e kombit.

Në kërkim të rindezjes së frymës së bashkëpunimit që çoi në këtë sukses, kancelari gjerman Olaf Scholz këtë javë takoi drejtuesit e sindikatave dhe shoqatave të punëdhënësve për të diskutuar atë që ai e quajti një krizë “historike” të kostos së jetesës.

Por do të jetë më e vështirë tani që të qetësohen sindikatat, pas një përpjekjeje kombëtare për të mbajtur pagat e ulëta përmes “punëve të vogla” pa taksa që kufizuan të ardhurat për orë, për shumë punëtorë, me kualifikim të ulët, në rreth 10 euro. Reformat për të frenuar pagesat e papunësisë, të prezantuara nga kancelari i kaluar socialdemokrat Gerhard Shrëder, i cili krijoi lidhje të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin dhe më vonë punoi për një gjigant rus të naftës, i përkeqësuan më tej marrëdhëniet me sindikatat.

Edhe pse Gjermania duket më e qëndrueshme se Britania, e cila po përballet me trazira brenda qeverisë, apo Franca, ku njerëzit e veshur me jelekë të verdhë filluan sërish protestat kundër rritjes së kostove të jetesës, edhe brenda gjermanëve tensionet po ziejnë.

Rritja e pakënaqësisë së punëtorëve mund të shihet me shtimin e grevave. Ato arritën kulmin në 2015, me afërsisht 28 ditë greve për 1000 punëtorë krahasuar me pothuajse asnjë në 2000, dhe së fundmi, sindikatat kanë paralajmëruar për më shumë greva, për të nxitur rritjen e pagave. Ekspertët po shqetësohen seriozisht për stabilitetin, pasi besojnë se edhe Gjermania mund të hapë një kapitull të zymtë në ekonominë e saj.

Megjithëse u mbajt më mirë se zona e euros në tërësi gjatë pandemisë në vitin 2020, ekonomia e saj nuk u ringjall aq fuqishëm sa blloku në vitin 2021 dhe pritet të mbetet prapa edhe këtë vit. Komisioni Evropian parashikon që ekonomia e Gjermanisë do të rritet me 1.6% këtë vit, krahasuar me 3.1% për Francën dhe 4% për Spanjën.

Gjermania është sot një partner i rëndësishëm tregtar në mbarë botën. Përsa i përket “armës” së saj të fuqishme, atë të eksporteve, theksi vihet tek automjetet dhe komponentët e automobilave, makineritë, produktet kimike, pajisjet e IT dhe produktet elektronike. Këto katër grupe produktesh përbëjnë gjysmën më të mirë të eksporteve gjermane. Raporti i eksporteve ndaj shitjeve totale është dyfishuar që nga viti 1991, duke u rritur nga 23.7 për qind në 46.9 për qind. Në vitin 2019, raporti i tregtisë së jashtme, d.m.th., shuma totale e importeve dhe eksporteve në raport me produktin e brendshëm bruto (PBB), ishte 88.0 për qind. Kjo e bënte ekonominë e Gjermanisë “më të hapur” nga vendet e G7. Pas pandemisë, kriza e luftës duket se po i jep goditjen e parë të madhe Gjermanisë.

Vendet partnere në Bashkimin Evropian (BE) ishin tregu më i rëndësishëm i Gjermanisë, ndjekur nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina. Sa i përket importeve, tabloja është e kundërt: në vitin 2019 shumica e importeve vinin nga Kina, Holanda dhe SHBA. Marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare me vendet aziatike po bëheshin vazhdimisht gjithnjë e më të rëndësishme, aq sa sot 5200 kompani gjermane kanë strukturat e tyre të shpërndarjes dhe vendet e prodhimit vetëm në Kinë, që përbëjnë rreth 1.1 milion vende pune.

Investimet direkte gjermane jashtë vendit ishin gjashtëfishuar në mbi një trilion euro (2018), dhe ato janë një shprehje e lidhjeve të saj të forta brenda ekonomisë globale. Pothuajse gjysma e këtij totali u investua në Evropë. Nga ana tjetër, rreth 26,000 kompani të huaja punësojnë më shumë se 3.7 milionë njerëz në Gjermani. Vlera e investimeve të huaja direkte është 540 miliardë euro.

Më shumë mallra kalojnë tranzit përmes Gjermanisë sesa përmes çdo vendi tjetër të BE-së. Rreth një e treta e xhiros në dhjetë tregjet më të rëndësishme të logjistikës në BE gjenerohet në Gjermani, me 3 milionë njerëz të përfshirë në logjistikë. Porti i Hamburgut, ku përpunohen rreth 9 milionë kontejnerë standardë çdo vit, është një portë për mbarë botën. Nisur nga këto shifra, si lider i Europës, Gjermania më tepër se SHBA dhe Kina, po i vuan pasojat e luftës së Rusisë në ekonomi.

Për ekonominë e vendeve të tjera të Europës, kur lokomotiva ecën ngadalë, disa vagonë mund ta ndjekin, ndërsa të tjerë nga fundi siç ndodhi me Greqinë në 2008, mundet të ndalen. /Liberale.al/ 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH