Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 10,7 % e moshës aktive e dekurajuar për punë, cilat janë profesionet më të paguara dhe paga mesatare

Shkruar nga Liberale

Nga Aranit Muraçi

Të dhënat zyrtare tregojnë se punësimi ka njohur rritje në muajt e parë të këtij viti, sikurse rritje ka njohur edhe paga mesatare.

Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë të deklaruar gjatë tremujorit të parë 2022 është 59.242 lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë paga është rritur me 5,8 %.  Në raport me tremujorin e fundit të vitit 2021, paga mesatare ka rënë lehtë me 0.5%. Përgjithësisht në tremujorin e fundit pagat janë më të larta, për shkak të shpërblimeve të fundit vitit.

Sipas INSTAT, gjatë tremujorit të parë 2022, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë të deklaruar është 93 % më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të parë 2022 paga mesatare bruto për grup aktivitetin “Informacionit dhe komunikacionit” ka rritjen më të madhe prej 25,8 %, ndërsa rritjen më të vogël e ka aktiviteti “Arte, argëtim dhe çlodhje; Aktivitete të tjera shërbimi” prej 2,7 %”.

Gjatë tremujorit të parë 2022, paga mesatare mujore bruto, për një të punësuar në grup profesionin e “Manaxherë, Ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë ekzekutivë” është 73,6 % më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grupin “Punëtorë (Profesione elementare)” është 37,8 % më e ulët.

Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të parë 2022, paga mesatare mujore bruto për grup-profesionin e Punonjës të montimit dhe përdorimit të makinerive dhe pajisjeve ka rritjen më të madhe prej 9,7 %, ndërsa rritjen më të vogël e ka grup-profesioni i Specialistë me arsim të lartë prej 4,2 %.

10,7 % e popullsisë, shumica të rinj, ndonëse mund të gjejnë një punë nuk kanë dëshirë të punojnë. Ata konsiderohen të papunë vullnetarë në perëndim, ose siç njihen në vendin tonë “të dekurajuar”, në pritje ndoshta të emigrimit.

Sipas të dhënave të fundit zyrtare, për burrat shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 15,3 pikë përqindje më e lartë sesa për gratë.

Sipas INSTAT, të tremujorin e parë 2022, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 63,5 %. Gjatë këtij tremujori, numri i të punësuarve gjithsej u rrit me 5,9 %, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2021, dhe me 0,7 %, krahasuar me tremujorin e katërt 2021. Në tremujorin e parë 2022, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 11,3 %. Niveli i papunësisë u ul me 2,1 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2021, dhe është ulur me 0,4 %, krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Në tremujorin e parë 2022, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, për popullsinë 15-64 vjeç, është 72,0 %. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2021, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 4,5 pikë përqindje më e lartë, ndërkohë që krahasuar me tremujorin e mëparshëm është rritur me 1,6 pikë përqindje.

Për gratë, sipas vlerësimit të Institutit të Statistikave, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 64,5 %, ndërsa për burrat ky tregues është 79,8 %. Për burrat, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 15,3 pikë përqindje më e lartë sesa për gratë. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2021, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për gratë është rritur me 6,2 pikë përqindje, ndërsa për burrat është rritur 2,9 pikë përqindje.

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2022, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është 55,2 %. Ky tregues është rritur me 4,5 pikë përqindje, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2021 dhe me 1,3 pikë përqindje, në krahasim me tremujorin e katërt 2021. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e parë 2022, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 80,0 %.

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2022, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 63,5 %.  Ritmi vjetor i ndryshimit të punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i parë i vitit 2021 në tremujorin e parë 2022, është +3,4 %. Në terma vjetorë, punësimi rritet me 8,0 % në sektorin e industrisë, me 1,7 % në sektorin e shërbimeve, dhe me 2,8 % në sektorin e bujqësisë.

Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e parë 2022, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart u rrit me 0,2 %. Punësimi u rrit me 1,5 % në sektorin e industrisë dhe me 0,1 % në sektorin e bujqësisë, ndërsa u ul me 0,4 % në sektorin e shërbimeve.

Shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç është 20,7 %. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2021, shkalla e papunësisë për të rinjtë, në tremujorin e parë 2022, është ulur me 2,6 pikë përqindje.

Krahasuar me tremujorin e katërt 2021, ky tregues është rritur me 0,1 pikë përqindje. Shkalla e papunësisë për grup-moshën 30-64 vjeç është 8,8 %. Në terma vjetorë ky tregues është ulur me 0,3 pikë përqindje, ndërsa krahasuar me tremujorin e mëparshëm është ulur me 0,1 pikë përqindje.

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2022, 17,6 % e popullsisë ekonomikisht jo-aktive dhe në moshë pune (15-64 vjeç) ishin duke përmbushur detyrat shtëpiake, 8,3 % e saj ishte në pension ose pension të parakohshëm, ndërsa 12,0 % në paaftësi të përhershme.

INSTAT vlerëson se gjatë tremujorit të parë 2022, 10,7 % e popullsisë ekonomikisht jo-aktive (në grup-moshën 15-64 vjeç) deklaruan se nuk po kërkonin punë pasi besonin se nuk ka punë të disponueshme, pra klasifikohen si të papunë të dekurajuar. Të rinjtë e moshës 15-29 vjeç që deklaruan se janë nxënës/studentë ose në trajnim përbëjnë 72,2 % të të rinjve ekonomikisht jo-aktivë. Ndër të rinjtë e moshës 15-29 vjeç ekonomikisht jo-aktivë, 7,4 % klasifikohen si të papunë të dekurajuar. Në popullsinë e moshës 30-64 vjeç, ky grup përbën 14,2% të popullsisë ekonomikisht jo-aktive të kësaj grup-moshe. /Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH