Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 1 % bien çmimet në BE për muajin e fundit. A do bien ndonjëherë çmimet e ushqimeve në Shqipëri?

Shkruar nga Liberale
SHIFRA E DITËS: 1 % bien çmimet në BE për muajin e fundit.

Aranit Muraçi

Qeveria shqiptare vendosi shkrirjen e Bordit të Transparencës për Karburantet dhe nuk dihet se çfarë funksioni kryen aktualisht një bord tjetër i ngjashëm, ai i Ushqimeve, sikurse nuk dihet nëse është shkrirë edhe ai paralelisht apo jo. Gjatë muajve të krizës bordet u ngritën për të garantuar konsumatorin nga abuzimi i mundshëm me çmimin. Pas një viti në funksion për këtë qëllim, ende pa asnjë analizë për detyrën nëse ajo u krye me sukses apo jo, të dy këto borde u shpallën të pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese.

Vendi ynë i vuajti pasojat e krizës së çmimeve kryesisht në mënyrë indirekte ngaqë mbi gjysmën e mallrave dhe shërbimeve i importon nga jashtë, çka do të thotë se bashkë me to importoi edhe krizën e çmimeve. Më tepër pasojat ranë te konsumatori me të ardhura të ulëta.

Mungesa e përkrahjes ndaj shtresave në nevojë është njëra anë e problemit. Kur çmimet rriten në tregjet globale, rritja reflektohet me shpejtësi në tregun shqiptar. E kundërta nuk ndodh: kur çmimet  bien në tregjet ndërkombëtare, rënia nuk reflektohet në tregun shqiptar. Kjo bën që jo vetëm që qytetari varfërohet edhe më tej për shkak të përfitimeve abuzive të një grushti njerëzish (ata të cilët importojnë dhe tregtojnë produktet e shportës bazë të ushqimeve), por bie edhe fuqia blerëse dhe në një periudhë afatgjatë dëmton madje vetë abuzuesin si dhe godet mbarë ekonominë dhe shoqërinë.

Ende nuk janë publikuar të dhënat e inflacionit për muajin Maj në vendin tonë. Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (metodologji e Eurostat për inflacionin) në muajin prill 2023 në Shqipëri ishte 5,0%, kurse sipas matjeve të INSTAT inflacioni në prill ishte 4.6%. Inflacioni i shportës bazë të ushqimeve në vendin tonë ishte rreth 14 për qind, gati aq ose pak më i lartë si ai në BE.

Inflacioni i shportës bazë të ushqimeve ra në vendet e Eurozonës në 12.5% për muajin Maj, nga 13.5% që ishte në muajin Prill, sipas Eurostat. Kurse inflacioni i përgjithshëm në eurozonë ra në 6.1 për qind në muajin Maj nga 7 për qind që ishte në muajin Prill, tha zyra europiane e statistikave (BE). Sipas të dhënave zyrtare vendi ynë e ka mbajtur inflacionin nën nivelin mesatar të BE-së.

Çështja që shtrohet është: rënia a do të reflektohet njësoj dhe më të njëjtën shpejtësi siç u reflektua rritja e çmimeve?

Të enjten e kaluar, Eurostat publikoi vlerësimin e parë të çmimeve në eurozonë për muajin maj. Rritjet e shumta nga muaji në muaj të çmimeve të ushqimeve, siç e kemi parë gjatë vitit të kaluar, munguan për të dytin muaj radhazi në vendet e Bashkimit Europian. Kjo është parë si tepër inkurajuese, pasi çmimet e ushqimeve mund të kenë një ndikim të rëndësishëm në pritjet inflacioniste dhe në buxhetet e familjeve me të ardhura të ulëta. Bazuar në rënien e çmimeve të produkteve bujësore, qytetarët e BE-së mund të presin një rritje të vazhdueshme të moderuar të çmimeve të prodhimit dhe konsumit në sektorin e ushqimit, megjithëse kushtet ekstreme të motit global janë një faktor tjetër rreziku.

Mbi faktin se pse çmimet e ushqimeve janë rritur ndjeshëm në eurozonë që nga fillimi i vitit 2022, ka disa shpjegime për këtë. Përveç thatësirës ekstreme, pushtimi rus i Ukrainës dhe kriza energjetike shoqëruese janë konsideruar “fajtorët” kryesorë. Energjia është një input thelbësor në industrinë bujqësore dhe të përpunimit të ushqimit. Karburantet dhe energjia elektrike nevojiten për vaditje, ngrohje, mekanizim, transport, magazinim, ftohje dhe përpunimin e të korrave. Kur çmimet e energjisë rriten, kostot e prodhimit për fermerët dhe prodhuesit e ushqimit rriten. Plehrat dhe pesticidet ishin një shembull ekstrem i kësaj. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se ndikimi i çmimeve të energjisë në çmimet e ushqimeve mund të ndryshojë në varësi të shkallës së intensitetit të energjisë në prodhimin e ushqimit, varësisë nga importet dhe eksportet dhe shkallës së konkurrencës në treg. Për shembull, çmimet evropiane të drithërave ndjekin fuqishëm tregun ndërkombëtar.

Çmimet e grurit u rritën në fillim të vitit 2022 vetëm për të rënë ndjeshëm pas përfundimit të marrëveshjes së grurit. Atëherë lind pyetja: sa fort dhe sa shpejt përkthehet rënia e çmimeve bujqësore në rënie të çmimeve të prodhimit dhe konsumit?

Për vendet e BE-së duhet kohë që ndryshimet e çmimeve të produkteve bujqësore t'u kalojnë konsumatorëve. Kjo për shkak se ekziston një rrjet i gjerë ndërmjetësuesish të përfshirë në transportin dhe tregtimin e produkteve bujqësore nga ferma te konsumatori. Kjo përfshin shitësit me shumicë, përpunuesit, shpërndarësit dhe shitësit me pakicë. Çdo ndërmjetës shton kostot dhe marzhet e veta për produktin. Këto hapa të ndërmjetëm në zinxhirin e shpërndarjes kërkojnë kohë dhe mund të vonojnë në ndryshimin e çmimit deri te konsumatori. Për më tepër, detyrimet kontraktuale duhet të merren parasysh. Në disa raste, fermerët dhe prodhuesit kanë kontrata afatgjata me blerësit ose shpërndarësit. Këto kontrata mund të përmbajnë marrëveshje çmimesh që pengojnë kalimin e drejtpërdrejtë të ndryshimeve në çmimet bujqësore.

Prandaj, edhe në BE mund të duhen disa muaj përpara se ndryshimi në çmimet e fermës të bëhet i dukshëm në çmimet e prodhimit.

Çmimet e produkteve ushqimore janë një faktor i rëndësishëm në përcaktimin e pritjeve të përgjithshme për inflacionin e individëve. Nëse konsumatorët perceptojnë një rritje të qëndrueshme të çmimeve të ushqimeve, ata mund të supozojnë se inflacioni në përgjithësi po rritet. Kjo mund të ndikojë në pritjet e tyre për rritje të çmimeve në sektorë të tjerë dhe mund të ndikojë në sjelljen e tyre, si p.sh. gatishmërinë e tyre për të shpenzuar, kursyer ose investuar. Kështu, fakti që çmimet në sektorin e ushqimit nuk po rriten ndjeshëm është një lehtësim për BQE-në (Banka Qendrore Evropiane). Kjo mund ta bëjë më pak të nevojshme një politikë monetare kufizuese (të mbajtur për një kohë të gjatë). Për më tepër, kjo politikë redukton divergjencën midis inflacionit në vende të ndryshme. Në të vërtetë, në vendet e Evropës Jugore dhe Lindore, ku bën pjesë vendi ynë, një pjesë më e madhe e buxhetit të familjes shpenzohet për ushqim.

Si konkluzion, ka shumë rëndësi, që rënia e çmimit të shportës bazë të ushqimeve të reflektohet edhe në Shqipëri, qoftë edhe gradualisht, edhe pse kjo mund të tingëllojë e pamundur. Sepse, nëse në Europë çmimi është rritur kryesisht nga rritja e kostove për produktet bujqësore, në vendin tonë fermeri e shet shpesh tri herë më lirë çmimin që paguan qytetari, me siguri, rritja ndodh përgjithësisht për shkak të abuzimit dhe mungesës së vizionit për të mbrojtur dhe favorizuar prodhuesin dhe konsumatorin.

/Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH