Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 1 milion ton qumësht më pak për 2021-in, çfarë prodhon më tepër Shqipëria

Shkruar nga Liberale

Nga Aranit Muraçi

Prej 30 viteve me qindra mijëra shqiptarë punojnë në Greqi, kryesisht në sektorë si bujqësia dhe blegtoria. Një pjesë të të ardhurave në tri dekada ata i kanë dërguar pranë familjeve të tyre, ndërsa paradoksalisht me një pjesë të mirë të atyre të ardhurave qytetarët blejnë të njëjtat produkte që prodhohen nga duart e shqiptarëve në vendin fqinj. Pra, në vend të prodhoheshin në vendin tonë, shpesh ato eksportohen siç janë mollët, dardhat, ullinjtë, djathi, pijet freskuese, peshku, si dhe produkte të tjera të këtij lloji.

Bujqësia dhe blegtoria janë kthyer në traditë për vende të vogla, cilat nuk konkurrojnë dot në industri, me vendet e zhvilluara dhe të mëdha, për shkak të konkurrencës, teknologjisë dhe ekspertizës.  Kështu, në vend që të ndërtonte një model ekonomik duke investuar në ato sektorë prodhues ku mund të konkurrojë në rajon, Shqipëria nga të dhënat zyrtare, paralelisht me largimin e vazhdueshëm të njerëzve të saj në emigracion, po pakëson edhe numrin  e bagëtive si dhe po ul rendimentet bujqësore.

Si krahasim, blegtoria e deleve dhe e dhive është aktiviteti më i rëndësishëm në sektorin e prodhimit të kafshëve për Greqinë, si për sa i përket punësimit (rreth 300,000 familje) ashtu edhe të ardhurave të përgjithshme nga blegtoria. Greqia ka 9,200,000 dele dhe 5,600,000 dhi, nga të cilat 95% e femrave të rritura i nënshtrohen mjeljes, kurse qumështi shkon kryesisht për prodhimin e djathit. Vendi ynë fqinj është një ndër eksportueset e njohura të nënprodukteve të qumështit.

Kurse në vendin tonë, kriza në blegtori u thellua edhe më tej sipas të dhënave zyrtare të vitit 2021.Sipas Instituti i Statistikave, numri i gjedhëve vijoi rënien duke arritur në 337 mijë, rreth 138 mijë më pak se në 2017-n. Si rrjedhim, pakësim pësoi edhe sasia e qumështit, e cila sipas INSTAT, u reduktua në gati 1 milionë ton.  Disi më optimiste duket ecuria e bujqësisë vitin e shkuar. Sipas INSTAT, sasia e drithit të prodhuar u rrit në krahasim me 2020-n, por gjithsesi mbeti më e ulët se në vitin 2017. Megjithëse të dy këto sektorë janë të lidhur dhe zhvillohen paralelisht me njëri-tjetrin, ndërsa shqiptarët historikisht dihet që i kanë pasur traditë si bujqësinë, ashtu edhe blegtorinë.

Në vitin 2021, numri i të leshtave është 1,48 milionë krerë. Kategoria kryesore e të leshtave përbëhet nga delet e qumështit me rreth 75,38% ndaj totalit të tufës.

Numri i të dhirtave në vitin 2021, është 775.337 krerë. Kategoria kryesore përfaqësohet nga dhitë e qumështit me 77,26 % ndaj numrit gjithsej të krerëve. Në vitin 2021, numri i krerëve të derrave është 159.237 krerë.

Prodhimi i qumështit në vitin 2021 është 1,01 milionë tonë. Struktura e prodhimit të qumështit, referuar vitit 2021 është: qumësht lope 84,83 %, qumësht dhie 7,9 1% dhe qumësht dele me 7,25 %.

Në 2021, prodhimi i qumështit nga lopët është 859.381 tonë. Rendimenti mesatar vjetor i qumështit në nivel vendi në 2021, është 3.055 kg për krerë. Prodhimi qumështit nga delet për vitin 2021, është 73.466 tonë. Rendimenti mesatar vjetor, në nivel vendi i qumështit të deles është 63 kg për krerë.

Prodhimi qumështit nga dhitë në 2021, është 80.173 tonë. Rendimenti mesatar vjetor i qumështit nga dhitë në nivel vendi është rreth 128 kg për krerë. Prodhimi i mishit peshë e gjallë është 148 mijë tonë, ndërsa prodhimi i vezëve për vitin 2021 është 899 milionë kokrra. Nga ana tjetër prodhimi i mjaltit për vitin 2021 është 4.835 tonë.

Qarqet më përfaqësues lidhur me mbarështimin e gjedhit për vitin 2021, janë Fieri me 17,25 % dhe Korça me 11,13 % ndaj numrit gjithsej të gjedhëve. Përqendrimi më i madh i numrit të të leshtave është në qarkun e Vlorës me 23,74 % dhe në qarkun e Korçës me 16,51 % ndaj numrit gjithsej të krerëve. Përqendrimi më madh i numrit të të dhirtave është në qarkun e Vlorës me 20,93 % dhe në qarkun e Gjirokastrës me 11,99 % ndaj numrit gjithsej të krerëve.

Kurse përqendrimi më madh i numrit të derrave është në qarkun Lezhë me 35,67 % dhe në qarkun Fier me 19,31 % ndaj numrit gjithsej krerëve.

Kurse bujqësia ka pasur një rritje të lehtë. Në vitin 2021, sipas INSTAT prodhimi i perimeve është 1.338.218 tonë, duke shënuar rritje vjetore me 3,28 %, krahasuar me vitin 2020. Niveli më i lartë i prodhimit të perimeve është në qarqet Fier me 541.792 tonë, Tiranë me 133.579 tonë dhe Berat me 131.830 tonë.

Prodhimi i drithërave në vitin 2021 është 691.353 tonë, duke shënuar rritje me 1,04 %, në krahasim me një vit më parë. Niveli më i lartë i prodhimit të drithërave u arrit në qarkun e Fierit me 168.385 tonë, pasuar nga qarqet Elbasan me 98.249 tonë dhe Korçë me 85.094 tonë.

Në vitin 2021, prodhimi i patates është 258.862 tonë, duke u u rritur me 1,56 %, në krahasim me vitin 2020. Qarqet që kanë nivelin më të lartë të prodhimit të patates në vend janë, Korça me 63.418 tonë, Fieri me 44.636 tonë dhe Elbasani me 29.986 tonë. Krahasuar me një vit më parë ulje ka shënuar prodhimi i fasules me 12,98 %.

Në grupin e perimeve të njoma, kulturat përfaqësuese, janë domatja me 35,35 %, kastraveci 13,28 % dhe speci 11,17 %. Në grupin e perimeve të thata, qepa e thatë përfaqëson 85,32 % ndaj prodhimit gjithsej, ndërsa në grupin e bostanoreve shalqini përfaqëson 84,25 % të prodhimit të këtij grupi.

Qarku me përqindjen më të lartë të prodhimit të perimeve në serra ndaj prodhimit të perimeve gjithsej është Berati me 64,62 % dhe Fieri 27,79 %, përqindja më e ulët është shënuar në qarkun Korçe dhe Gjirokastër 0,16 % dhe 0,42 %.

Prodhimi i pemëve frutore në vitin 2021 është 287.210 tonë duke u rritur me 4,92 %, krahasuar me vitin 2020. Niveli më i lartë i prodhimit të pemëve frutore u arrit në qarkun e Korçës me 89.753 tonë pasuar nga qarqet Elbasan me 39.118 tonë dhe Fier me 33.774 tonë.

Grupi i pemëve frutore me farë zë 45,43 % të prodhimit, peshën kryesore në këtë grup e zë prodhimi i mollëve me 85,25 %. Qarku i Korçës zë 66,02 % të prodhimit të mollëve gjithsej në vend.

Në grupin e pemëve frutore me bërthamë, peshën më të madhe e zënë prodhimi i kumbullave me 46,33 % të prodhimit të këtij grupi, pasuar nga qershitë me 24,80 % dhe pjeshkët me 23,18 %. Në grupin e pemëve frutore subtropikale, peshë kryesore zë prodhimi i fiqve me 51,40 % pasuar ngashegët me 17,76 %. Niveli më i lartë i prodhimit tek pemët frutore arrore është shënuar në Qarkun e Kukësit, peshën kryesore në këtë grup e zënë arrat me 46,37 %, pasuar nga gështenjat me 33,96 %.

Në vitin 2021, u prodhuan 110.164 tonë ullinj, duke shënuar rënie me 16,52 %, krahasuar me një vit më parë. Niveli më i lartë i prodhimit të ullirit u arrit në qarkun e Fierit me 34.241 tonë pasuar nga qarqet Elbasan me 21.102 tonë dhe Vlorë me 20.298 tonë. Varietet e ullirit për vaj përfaqësojnë 87,60 % të prodhimit gjithsej dhe varietetet e ullirit për tavolinë përfaqësojnë 12,40 %.

Niveli më i lartë i prodhimit të agrumeve është shënuar në qarkun e Vlorës me 64,41 % (32.518 tonë). Prodhimi i agrumeve në vitin 2021 është 50.485 tonë me një rritje prej 2,61 %, krahasuar me një vit më parë, ku 65,04 % të prodhimit gjithsej të agrumeve e zënë mandarinat.

Në 2021, prodhimi i rrushit është 212.011 tonë duke shënuar një rritje me 6,50 %, krahasuar me një vit më parë, ky prodhim përfaqësohet nga rrushi i vreshtave me 60,51 % dhe rrushi i pjergullave me 39,49 %.

/Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH