Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 1.12 miliard euro vlera e ndërtimeve në Shqipëri për vitin 2022, por sa të sigurta janë ndërtesat

Shkruar nga Liberale

Aranit Muraçi

Pas tërmeteve tragjike që goditën Turqinë dhe Sirinë më 6 shkurt kanë qenë të shumtë kritikët të cilët akuzuan autoritetet turke dhe firmat e ndërtimit se nuk kanë mësuar asgjë nga gabimet e së kaluarës, duke e lënë vendin e tyre të papërgatitur për katastrofën, pavarësisht nga rreziqet e njohura sizmike në rajon. Ndërtesa të reja shumëkatëshe u shembën si “kuti kartoni”, sepse ndërtuesit, duke pasur si qëllim kryesor fitimin, përfituan nga politikat e gabuara që janë ndjekur ndër vite. Për shkak të interesit të kohës janë ndryshuar edhe planet origjinale të ndërtimeve, pa asnjë ekspertizë dhe përgjegjësi të caktuar.

Humbja e madhe e jetëve njerëzore (rreth 45 mijë vetëm në Turqi) dhe shkatërrimi masiv i qyteteve mund të ishte shmangur nëse autoritetet do të dëgjonin - në vend që të akuzonin profesionistët, shkencëtarët dhe studiuesit e zbutjes së fatkeqësive për nxitje të frikës. Rreth 205,000 ndërtesa në Hatay dhe 144,000 në Kahramanmaras në juglindje të vendit – të dyja afër epiqendrës së tërmeteve të fundit – iu dhanë amnisti në vitin 2019, pak para se të mbaheshin zgjedhjet. E njëjta gjë vlen edhe për Stambollin.

Dizajni i dobët urban, legalizimi i strukturave duke gjobitur thjesht firmat e ndërtimit pa kërkuar rikonstruksion dhe ekzekutimi i planeve të zhvillimit të motivuara politikisht pa zbatimin e kodeve të ndërtimit herët e vonë mund të kenë vetëm pasoja fatale, thonë ekspertët.

Kontraktori që përdor materiale të lira ndërtimi dhe inxhinierë e arkitektë të papërvojë për të maksimizuar fitimet e tyre janë pjesë e përgjegjësisë së ndërtimeve të dobëta. Më pas, përgjegjësia vazhdon zinxhirin tek autoriteti certifikues dhe mbikëqyrësit që firmosin këto struktura të rrezikshme pa kryer inspektimet e nevojshme.

Qeveria turke ka lëshuar amnisti në nëntë raste gjatë qeverisjes 20-vjeçare të Erdogan për ndërtesat që nuk plotësonin standarde, madje edhe në zonat e rrezikuara nga tërmeti. Kjo ndodhte më shpesh në kohë zgjedhjesh. Situata në Stamboll ku jetojnë më shumë se 16 milionë njerëz, pas dy tërmeteve të fundit, ka ngritur një shqetësim të veçantë. I vendosur në thyerjen e Anadollit të Veriut, qyteti më  i banuar i Turqisë u godit nga një tërmet i madh në 1999, i cili vrau më shumë se 17,000 njerëz dhe po ashtu nxori në pah korrupsionin në sektorin e ndërtimit.

Kur Rexhep Tajip Erdogan mori pushtetin në Turqi në vitin 2002, një nga premtimet e tij ishte se do t’i bënte ndërtesat më të sigurta. “Ndërtesat vrasin, jo tërmetet”, shkroi ai në Twitter në 2003. Rregullat u përforcuan në vitin 2018, me kërkesa të reja për beton të cilësisë së lartë, të përforcuar me shufra çeliku. Megjithatë, shumë ndërtesa ekzistuese me defekte nuk janë riparuar siç duhet.

Pas asaj që ndodhi në Turqi, duke marrë në konsideratë edhe tërmetin tragjik që goditi vendin tonë në vitin 2019, pyetja që shtrohet është e thjeshtë. Çfarë ka bërë më mirë Shqipëria për sa i përket sektorir të ndërtimit. Sa të sigurta janë ndërtimet tona? Tërmeti i 2019 në Shqipëri ishte i një madhësi prej 6.3, dhe me të njëjtën madhësi, tërmete të ngjashme që kanë goditur zona më të urbanizuara në botë, nuk kanë shkaktuar viktima dhe dëme të mëdha materiale.

Sipas Instat, në tremujorin e katërt 2022 janë miratuar gjithsej 415 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 356 leje të miratuara në tremujorin e katërt 2021, duke shënuar një rritje prej 16,6 %

Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e katërt 2022, është 555.779 m. Në tremujorin e katërt 2022, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 26.6 miliardë lekë, nga 27,0 miliardë lekë miratuar në tremujorin e katërt 2021, duke shënuar një rënie prej 1,7 %.

Në vitin 2022 të dhënat zyrtare tregojnë se ndërtimet shtohen, por nuk ka të dhëna mbi sigurinë e tyre.

Sipas INSTAT, gjatë vitit 2022, janë miratuar gjithsej 1.420 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 1.396 leje të miratuara në vitin 2021, duke shënuar një rritje prej 1,7 %. Gjatë vitit 2022, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja është 2.667.497 m 2, nga 2.316.709 m2 miratuar në vitin 2021, duke shënuar një rritje prej 15,1 %. Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 113 miliardë lekë në vitin 2022, nga 99.2 miliardë lekë miratuar gjatë vitit 2021, duke shënuar një rritje prej 14 %.

Tirana mban peshën kryesore të ndërtimeve në vend.  Vitet e fundit, zëri kryesor i të ardhurave të Bashkisë është “Taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja”, të cilës i nënshtrohen të gjitha subjektet, që kërkojnë të pajisen me leje zhvillimore dhe leje ndërtimi për objekte banimi, administrative, prodhimi, shërbimi e tjera.

Nga dhënia e lejeve të ndërtimit bashkia arkëton rreth një të tretën e të ardhurave që ajo mbledh në total nga taksat dhe tarifat. Bazuar në projektbuxhetin e bashkisë për vitin 2013, ky vrull pritet të vijojë, teksa bashkia parashikon të arkëtojë 5.6 miliardë lekë të ardhura. Edhe në 2024-n dhe 2025-n, vrulli i ndërtimeve pritet të vazhdojë, teksa Bashkia parashikon rreth 6.2 miliardë lekë të ardhura për secilin vit.

E ndërsa ndërtimet në vendin tonë shtohen vit pas viti, vlen të shtohet pyetja: A kanë siguri ndërtimet në Shqipëri, si provohet siguria e tyre dhe cilat janë institucionet përgjegjëse?

/Liberale.al/

 

 

 

 

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH