Aktualitet

SHIFFRA E DITËS: 256.8 miliardë euro fatura financiare e BE-së për zgjerimin me 9 shtete kandidate, përfshirë Shqipërinë

Shkruar nga Liberale
SHIFFRA E DITËS: 256.8 miliardë euro fatura financiare e BE-së

Aranit Muraçi

Liderët e Bashkimit Europian do të vijnë me siguri në Tiranë më 16 tetor jo më me premtime boshe, por me një plan ose projekt konkret të anëtarësimit për vendet e tjera kandidate. Të paktën kështu duket në letër. Jo rastësisht Procesi i Berlinit, i cili  vjen për herë të parë në rajonin tonë, do të zhvillohet në Tiranë më 16 tetor, sepse “lokomotiva” e ekonomisë Europiane e ka bërë të qartë qëllimin e saj, për ta përshpejtuar procesin e anëtarësimit me vendet e tjera, dhe Shqipëria për të, pavarësisht vështirësive në reforma të nevojshme të fushave të ndryshme, është një vend i mirëpritur i familjes së madhe europiane.

Procesi i Berlinit do të zhvillohet pas mbarimit të samitit të Spanjës, ku edhe vendet anëtare do të analizojnë mundësinë e zgjerimit, pavarësisht kostove fillestare.

Vetëm pranimi i Ukrainës në BE do t'i jepte Kievit të drejtën për të kërkuar rreth 186 miliardë euro gjatë shtatë viteve, sipas vlerësimeve të brendshme të buxhetit të përbashkët të unionit, duke i kthyer “shumë” shtete anëtare ekzistuese në pagues neto. Kjo është ndoshta arsyeja pse disa prej tyre refuzojnë zgjerimin. Por ka edhe arsye të tjera veç populizmit në rritje që refuzojnë zgjerimin. Për shembull Franca, por jo vetëm, do të humbë më shumë nga fondet e buxhetit të përbashkët për bujqësinë, dhe nga ana tjetër, në rast zgjerimi me 9 vendet e tjera anëtare, do të përfitojë Ukraina.

Modelimi, i pari që doli nga Brukseli për pranimin e mundshëm të nëntë shteteve të reja anëtare, nxjerr në pah ndikimet e thella politike dhe financiare të zgjerimit të bashkimit në të gjithë kontinentin. Pas shpërthimit të luftës, anëtarësimi i Ukrainës, është kthyer në një prioritet kryesor për liderët e BE-së, çka shtoi edhe mundësi më të mëdha për vendet e tjera kandidate, ku bën pjesë Shqipëria.

Zyrtarët e BE-së sipas prestigjozes ‘Financial Times’, gjatë muajve të verës analizuan dhe vlerësuan pasojat e mundshme financiare për bllokun. FT përdori rregullat ekzistuese për buxhetin e unionit 2021-2027 dhe analizoi një bashkim të mundshëm përfshirë edhe zgjerimin e 9 vendeve të tjera, përfshirë Ukrainën, Moldavinë, Gjeorgjinë dhe gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, ku bën pjesë edhe Shqipëria.

Raporti vlerëson se shuma financiare e shtimit të nëntë anëtarëve në buxhetin ekzistues, i njohur si korniza financiare shumëvjeçare, do të ishte 256.8 miliardë euro. Efektet më të mëdha për shtetet anëtare ekzistuese do të përfshijnë një shkurtim të subvencioneve të fermave me rreth një të pestën, për faktin se bujqësia është sektori kryesor i ekonomisë së vendeve që presin të bëhen pjesë e familjes së madhe europiane.

Megjithëse zgjerimi i plotë mund të zgjasë një dekadë ose më shumë dhe do të detyronte reforma të mëdha në aranzhimet ekzistuese buxhetore, shkalla e vlerësuar e ndryshimit të kërkuar do të kthente në mënyrë të sigurt balancën financiare brenda bllokut.

“Të gjitha shtetet anëtare do të duhet të paguajnë më shumë dhe të marrin më pak nga buxheti i BE-së; shumë shtete anëtare që aktualisht janë marrës neto do të bëhen kontribues neto,” përfundon dokumenti i sekretariatit të këshillit të BE-së.

Me nëntë shtete të reja anëtare, buxheti aktual do të rritet me 21 për qind, duke shkuar në 1.47 trilion euro, vlerëson Financial Times. Kjo barazohet me rreth 1.4 për qind të të ardhurave kombëtare bruto të 36 vendeve.

Hyrja e nëntë shteteve do të detyronte vendet anëtarë të përcaktonin rregulla të reja që mund të përfshijnë një rritje të konsiderueshme në kontributet buxhetore neto nga shtetet më të pasura si Gjermania, Franca dhe Holanda. Do të ishin të nevojshme “periudha kalimtare dhe masa mbrojtëse”, sugjeron FT.

Duke zbatuar rregullat aktuale për një zgjerim të mundshëm, Ukraina do të kualifikohej për 96.5 miliardë euro nga Politika e Përbashkët Bujqësore e BE-së gjatë shtatë viteve. Ky ndryshim financiar do të detyronte shkurtime në subvencionet e fermave për shtetet anëtare ekzistuese prej rreth 20 për qind, sipas studimit.

Ukraina gjithashtu do të përfitonte po ashtu 61 miliardë euro pagesa të tjera nga fondet e kohezionit të BE-së, të cilat synojnë të përmirësojnë infrastrukturën në shtetet anëtare më të varfra. Sakaq, nëntë shtete të tjera anëtare, Republika Çeke, Estonia, Lituania, Sllovenia, Qiproja dhe Malta nuk do të kenë më të drejtë për financim kohezioni, vlerëson studimi.

Llogaritjet nga sekretariati i përgjithshëm i këshillit, organi që përfaqëson 27 qeveritë e shteteve anëtare të bllokut, vijnë ndërsa BE po diskuton nëse do të hapë negociatat formale të pranimit me Ukrainën deri në fund të këtij viti, siç ka kërkuar Kievi. Udhëheqësit e BE-së do të takohen në Spanjë të premten për diskutimet e tyre të detajuara mbi zgjerimin dhe mënyrat se si do të ndikonte bashkimi me vendet e tjera kandidate.

Studimi përdor një ekstrapolim të thjeshtë të rregullave ekzistuese të buxhetit të BE-së, të cilat pothuajse me siguri do të shkonin edhe më mirë në rast të zgjerimit të mundshëm, por zgjerimi sipas analizës së Fianancial Times, nuk merr parasysh anëtarësimin e mundshëm të Turqisë.

“Ndërsa për disa politika, mundësitë mund të tejkalojnë kostot/risqet, dhe zgjerimi do të sjellë përfitime për shtetet anëtare aktuale, po ashtu do të ketë gjithashtu ndikime të gjera në buxhetin e BE-së”, thuhet nga ekspertët e Financial Times. “Janë sfida shumë të rëndësishme për BE-në... do të duhet të trajtohet tërësisht edhe në mënyrë që ky zgjerim i ri të paktën të pranohet, nëse nuk mbështetet nga qytetarët tanë”.

Dokumenti përshkruan mundësitë e zgjerimit për BE-në, përfshirë forcimin e ndikimit gjeopolitik të Bashkimit Europian, si edhe rritjen e madhësisë së tregut të brendshëm brenda bllokut nga 466 milionë njerëz që ka aktualisht, në 517 milion, sikurse mund të sjellë një përmirësim të mungesës së fuqisë punëtore.

Studimi bën të qartë se ndikimi i Ukrainës në regjimin e subvencioneve bujqësore të BE-së do të ishte më i rëndësishmi. Ukraina do të ishte marrësi më i madh i fondeve të bllokut, me 41.1 milionë hektarë sipërfaqe bujqësore të shfrytëzuar, duke e shtyrë Francën në vendin e dytë. Kjo do të thotë se pagesat për përfituesit ekzistues do të bien me 20.3 për qind për hektar të tokës së kualifikuar bujqësore.

Ajo që duhet të na shqetësojë ne shqiptarëve më tepër sesa koha e anëtarësimit është fakti se, kur të jemi bërë anëtarë në BE a do të mund të përfitojmë dot nga fondet e përbashkëta, apo do të humbasim edhe më tepër fuqinë punëtore, në një treg shumë herë më të madh, konkurues e të ashpër?

/Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH