Editorial

Shenjtja Mari, Nëna e Hyjit, lutu për ne, burrat vrasës!

Shkruar nga Liberale
Shenjtja Mari, Nëna e Hyjit, lutu për ne, burrat vrasës!

Preç Zogaj

Italia u trondit javën e shkuar nga vrasja  çnjerëzore  e njëzetedyvjeçares, Xhulia Çeketini, nga ish i fejuari i saj. Një krim që provokoi shumë idhnim e zemërim në mbarë vendin. Këngëtari i famshëm, Adriano Çelentano, goditi me citimin e  lutjes së njohur “Shenjtja Mari, Nëna e Hyjit, lutu për ne mëkatarët, tash e në fill të vdekjes sonë, amen”, duke e zevëndësuar fjalën “mëkatarët” me fjalën “burrat vrasës”.

Elena Çeketini, motra e madhe e viktimës, shpërndau një poezi  prekëse, dedikuar grave viktima të dhunës dhe vrasjeve nga burrat, me titullin “Nëse nesër nuk u përgjigjem thirrjeve të tua, mam”, shkruar nga  aktivistja peruane, Kristina Torre Kaceres.

Vargjet e saj pushtuan menjëherë të gjitha mjetet e informacionit në Apenine dhe ishin kolona zanore e shumë protestave dhe marshimeve në ditën ndërkombëtare kundër dhunës ndaj grave  dy ditë më parë.

Po botojmë disa vargje në një përkthim-përshtatje të shpejtë për lexuesit e “Gazeta Liberale”.  Në vijim dy poezi të mijat për të njëjtën temë me titujt “Apokalipsi” dhe “Gratë nuk na duan më”, marrë nga vëllimi “Një e tretë, dashuria”.

 

Nëse nesër nuk u përgjigjem thirrjeve te tua

Nëse nesër nuk u përgjigjem  thirrjeve te tua, mam,

Nëse nuk kthehem për darkë, nëse  taksia s’do të shfaqet -

Ndoshta më kanë mbështjellë në çarçafët e një hoteli, ose në një qese te zezë,

Ose në një valixhe, ose flakur në një plazh…

Mos ki frikë, mam, nëse sheh se me kanë rrahur me grushte!

Mos klith kur të shohësh se më kanë zvarritur!

Mam, mos qaj nëse sheh se me kanë lidhur në shtyllë!

 

Do të të thonë se ish psikopati im kishte arsye,

se unë  ia dridhja, se isha një putanë!

Se kam guxuar,  mam, të fluturoj

shumë - shumë lart në një botë pa ajër.

 

Të betohem mam, kam vdekur duke luftuar

Të betohem, mam, kam bërtitur  fort ashtu siç lart fluturoj…

Mos e lidh motrën time,

Mos i  mbyll brenda kushërirat e mia, mos i privo nipat e tu

Nuk  është faji yt, mam, nuk ka qenë as imi.

Lufto për  krahët e tyre, për ato  krahë që m’u prenë,

Lufto për ta, që të mund të jenë të lirë të fluturojnë

Edhe më lart se unë -

Mund të jetojnë pa frikë, ashtu siç jetova unë.

Mam, mos e laj me lot hirin tim!

Nëse nuk kthehem nesër,

shkatërroj të gjitha gjërat e mia -

E fundit dua të jem, nëse nesër me bie radha mua.

-------------------------------------------------------------------

Apokalipsi

 

Sot në ditën  e Apokalipsit

po soset një ditë e qetë në Shqipëri,

Pesëmilionvjeçar, dielli shndrit si djalë ,

Asteroidi që pritej të binte u pendua,

Makina funerale s’reshti në varreza

me të vdekurit e djeshëm si përherë.

Shumë lot u derdhen,

Shumë klithma u ngritën peshë dhe u munden.

 

S’më ikën nga mendja

fytyra e qeshur e një gruaje të re

me shenjën e plumbit të vdekjes në ballë,

si të jetë ringjallur pak në të zbardhur

për t’i lënë kujtim së bijës buzagazin,

teksa qe kapur beft nga vrasësi.

 

Vajza  e saj - për fat! - po luan mendsh,

Po zbulon engjëj, po sheh parajsën,

Po  hidhet, po  qan nga gëzimi, po fle

në krahët diellore të mëmës së shtrenjtë.

Por do të vijë dita të kthjellohet,  ahiiii!

Do ta  kujtojë nënën në dhomë duke pritur

me duar dhe përçmim si një sulm insektesh

të padukshmit plumba që vinë për t’i dhënë fund

të fundit vështrim të saj për të -

E më s’do ta dijë pas atij çasti

çfarë shkolle bëri jetimja bijë,

A u martua, a pati fëmijë…

(Ky është apokalipsi).

-----------------------------------------

Gratë nuk na duan më

I shkruaj këto rreshta duke u bërë njësh

me unin tim të  hershëm prej poeti

kur haja pak dhe doja shumë:

 

Gratë nuk na duan më, o burra!

Nuk duhet të na duan më, o burra!

Njëri prej nesh, më fjalëpakti,

Ai që ndalej rrallë në lokale,

Ai që kthehej herët në shtëpi,

Ai që hidhte plehrat, që gatuante,

sup me sup me gruan e tij-

Me dy  të shtëna …  e divorcoi,

Pastaj iu turr me breshëri

një fjollë të bardhë tymi - i shkoi mendja

se shpirti i saj po u ikte plumbave.

 

Gjersa e bëri se ishte  mashkull,

të gjithë ne jemi vrasësit.

Po e dimë: nuk kishte bole!

Vrasësit e grave nuk kanë bole!

 

S’na duan më  gratë, o  burra!

Na kanë kuptuar se kush jemi.

Ca dinakë, ca gjitarë…

Na kanë kuptuar se i humbim

betejat gjithë me radhë.

Kemi veç një  për t’u ngrefosur,

Si të  pasoj, si burracakë:

Të thyejmë gratë.

Të vrasim gratë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH