Aktualitet

Shenjtërimi i Nënë Terezës, politika shqiptare përkujton humanisten

Shkruar nga Liberale
Shenjtërimi i  Nënë Terezës, politika shqiptare

Politika shqiptare ka reaguar në lidhje me ditën e sotme, ku festohet shenjtërimi i Nënë Terezës. Humanistja e madhe shqiptare, e njohur në gjithë botën për kontributin dhe bamirësitë, u shenjtërua më datë 5 shtator të 2016. Në kujtim të saj, kjo datë është kthyer në një festë kombëtare në vendin tonë, por gjithashtu është caktuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara si dita Ndërkombëtare e Bamirësisë.

Presidenti Ilir Meta në një postim në Facebook shkruan se në ktë ditë vjen më i fortë se mesazhi se "dashuria nuk duhet të mbetet vetëm, por duhet të vendoset në veprim dhe në shërbim".

Postimi i Presidentit

“Mbase ju nuk jeni të uritur për një copë bukë, por ndoshta është dikush atje në familje që është i padëshiruar, pa dashuri, pa kujdesje, i harruar. Atje është dashuria! Dashuria fillon nga shtëpia juaj! Një dashuri që është e vërtetë, dhemb! Kjo është ajo çfarë unë solla për ju. T’i jepni njëri-tjetrit më shumë dashuri!” – SHËN NËNË TEREZA

Në Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës, që është gjithashtu Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë, vjen më i fortë se kurrë mesazhi se dashuria nuk duhet të mbetet vetëm, por duhet të vendoset në veprim dhe në shërbim, ndaj kujtdo që ka më shumë nevojë për të përballuar mjerimin, varfërinë, vuajtjet dhe vështirësitë e përditshme.

Vepra e Shën Terezës të frymëzojë solidaritetin dhe gjithëpërfshirjen mbarëkombëtare për të rikthyer shpresën, për një Shqipëri më humane dhe më të dhembshur që përkujdeset me dashuri dhe përulësi ndaj çdo qytetari në nevojë!

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/posts/3320497637996486

Ndërsa kryeministri Rama e ka përshëndetur këtë ditë nëpërmjet disa prej shprehjeve të përzgjedhura prej humanistes.

"Mirëmëngjes dhe me disa nga fjalët e shenjta të Nënë Terezës në ditën e saj të Shenjtërimit, ju uroj një fundjavë të paqtë si vetë ajo", shkruan Rama.

Po ashtu, edhe kreu i PD, Lulzim Basha e quan ditën e shenjtërimit të Nënë Terezës një ditë reflektimi për gjendjen ku ndodhet vendi.

https://www.facebook.com/edirama.al/posts/10158122043146523

Postimi i i Bashës

Dita e shenjtërimit të Nënë Terezës, simbolit të dashurisë, dhembshurisë dhe kujdesit për të varfërit e të pamundurit, është mbi të gjitha një ditë reflektimi për gjendjen ku ndodhet vendi dhe për çfarë duhet të bëjmë për të lehtësuar sa më shumë jetën e bashkëqytetarëve tanë që sot gjenden mes vështirësive dhe pamundësive.

“Edhe ata që s’mund të bëjnë dot gjëra të mëdha, mund të bëjnë gjëra të vogla me dashuri të madhe.” Kjo thënie e Nënë Terezës le të jetë frymëzim për të nisur së bashku ndryshimin, për të ndërtuar një jetë më të mirë për bashkëqytetarët tanë, me më shumë përkujdesje për të pamundurit, me mundësi për punë e jetë më të mirë për bashkëqytetarët tanë, për ditë më të mira për popullin dhe vendin tonë.

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/posts/3481709798546843

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka kujtuar ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës, duke kujtuar vargjet e saj, që sipas saj sot tingëllojnë më të fuqishme se kurrë.

Mesazhi i Kryemadhit

Shën Tereza, simbol e mishërimi i shenjtërisë hyjnore me vargjet e saja, sot tingëllon më e fuqishme se kurrë.

“Dita më e bukur? Sot.

Pengesa më e madhe? Frika.

Gjëja më e lehtë? Të gabosh.

Gabimi më i madh? Të heqësh dorë.

Profesionistët më të mirë? Fëmijët.

Nevoja e parë? Komunikimi.

Lumturia më e madhe? Të jesh i dobishëm për të tjerët.

Dhurata më e bukur? Falja.

Ajo më e paçmuara? Familja.

Drejtimi më i mirë? Rruga e duhur.

Pritja më e mirë? Buzëqeshja.

Ilaçi më i mirë? Optimizmi.

Kënaqësia më e madhe? Detyra e kryer.

Forca më e madhe? Besimi.

Personat më të nevojshëm? Shërbyesit e Zotit.

Gjëja më e bukur në botë? Dashuria.”

Këto janë frymëzimi më i madh për çdo grua, burrë, djalë e vajzë që beson te jeta, te Zoti, te dashuria.

Sot është një ditë e bekuar për të gjithë shqiptarët anë e mbanë botës dhe për të gjithë njerëzimin, se simbolizon ditën e shenjtërimit të Nënë Terezës, gruas shtatvogël por me zemër të madhe. Zemra e saj rrahu fort për të shpërndarë dashuri kudo në botë!

Nënë Tereza është kudo e pranishme dhe frymëzuese, pasi Ajo ka lënë testamentin e besimit në Zot të pastër dhe të ndjerë në shpirt, optimizmin dhe shpresën gjithmonë fitimtare, thjeshtësinë e admirueshme, dashurinë hyjnore për njeriun, forcën, dhembshurinë dhe përkushtimin për të ndihmuar të gjithë të varfrit, të uriturit, të sëmurët, ata që vuanin e që ishin në vështirësi.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH