Letërsi

"Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit", apo e djeshmja e së sotmes

Shkruar nga Liberale

Një libër i shkruar me stil, plot erudicion, analizë dhe deri te debatet ekzistenciale, trashendentale dhe të filozofisë së jetës; shembulli ma i mirë i letërsisë së angazhuar shqipe, kundrejt historisë, gjuhës dhe shpirtit të shqiptarit.

Ernest Marku

Ky roman i Jusuf Buxhovit, asht ndoshta vepra ma e arrirë në misionin e një atdhetari mendjendritur, për t’iu qasur historisë nëpërmjet letërsisë.

Historia e popullit tonë, ndonëse me shtrirje permanente edhe përtej antikitetit, me vazhdimësi dhe protagonizëm ekzistencial, ka mjaft vite të errëta, të cilave mund t’iu qasesh vetëm përmes letërsisë. Viti i zgjedhur nga autori, 1747, asht një vit që nuk na thotë asgja, asgja e rëndësishme nuk ndodh këtë vit. Trupat e gjeneral Pikolominit janë larguar me kohë nga Ballkani dhe bashkë me të është tulatur edhe ëndrra e lirisë; madje shumë malësorë, kanë ikur bashkë me trupat e gjeneralit. Në këtë vit, diku në Arkivat e Vatikanit, një prift katolik, zbulon “Mesharin” e shkruar shqip, nga një tjetër prift katolik i dy shekujve ma parë. Në regjistrin e Arkivës, ky libër regjistrohej në seksionin e gjuhëve të panjohura. Kaq di autori. Di edhe se zbuluesi i “Mesharit” të Gjon Buzukut, Gjon Nikollë Kazazi, do të bëhej Arqipeshkëv me seli në Gjakovë. Në këto kushte, autori, një njohës i shkëlqyer i historisë së Ilirikumit, që sot quhet Ballkan, thërret të gjitha muzat e Parnasit, që ta ndihmojnë të rrëfejë një histori dhe nëpërmjet të rrëfyerit letrar, të lidhë nyjen e këputur të historisë së popullit shqiptar.

Mic Shpendi, malësori që flet për “yllin që ndiqte shpirtin”, asht dëshmi e gjallë e mbijetesës së shqiptarit, përballë murtajës që për autorin, e sjellin me qerre nga lindja. Vdekja e zezë, herë asht një realitet që korr shpirtra njerëzorë, herë shfaqet si ideologji perandorake, pa kursyer as atë Romako-Përendimore; si dhe herë të tjera si libër i pashkruar, libër i humbur apo alfabet i munguar. Të gjendur në këto troje, pa lindur akoma profetët dhe besimet, shqiptarët, pa dashjen e tyre, përfshihen në vorbullën e përplasjes së qytetërimeve, duke qenë në kufi të dy perandorive, në kufi të dy besimeve. Ata e pranojnë logjikën e perandorisë: “Jepi Çezarit, atë që i takon Çezarit”, sa kohë që kjo perandori nuk ia pengon ajrin e lirisë së bjeshkëve, nuk ia vret kangët dhe nuk ia prek dinjitetin. Ata i pranojnë të dyja besimet, duke mos mohuar asnjanin dhe duke u tallur ngapak me te dy, si krijuesit e parë të Zotave Pellazgë që janë. Gjon Nikollë Kazazit, ndër të parat mësime që i jep i ati, asht se Lam Mulën e ka vëlla “… për të cilin duhet me qitë edhe pushkë”. Laramania, që asht nji term i përdorur nga Selia e Shenjtë, për të stigmatizuar katolikët që paradite shkonin në xhami dhe pasi errej shkonin në kishë, nga Buxhovi paraqitet më tepër si diktofoni shoqërore sesa individuale. Ajo asht ma tepër si një koracë, si një dollamë që e vesh shqiptari, për të qenë në rregull me perandorët dhe zotat; me të vetmin qëllim: shpëtimin e shpirtit të tij të pastër dhe autentik. Në këtë kuptim, laramania bëhet vetë thelbi i shqiptarizmës, dhe armiku më i rrezikshëm i perandorisë së Lindjes. Gjon Nikollë Kazazi asht Lam Mula dhe Lam Mula asht Gjon Nikollë Kazazi, kjo asht formula e mbijetesës. Kozmogonia, beja e gurit a e bukës, betimi për flamur dhe besimi pagan, janë më të forta se çdo gja tjetër mes shqiptarëve.

Fermani i Sulltanit lajmëron ardhjen e murtajës dhe vendos rregullat e karantinës, por malsori shqiptar nuk bindet. Ai mendon se “frika asht murtaja”, për të mos thanë që e di krejt mirë, se vetë perandoria asht murtaja. Perandoria ka vendosë të zhdukë laramanët, që dikush mund ta lexojë këtë si vendim për të zhdukë shqiptarizmën; por rritja demografike e shqiptarëve kundërpërgjigjet, në dy shekuj ajo mbushte edhe gropën më të thellë që mund të hapte një zezonë. Malësorët e Rekës, nuk pranojnë që fermani perandorak t’u përzihet në dasma dhe vdekje, për ta murtaja bën të vetën, kurse ata të tyren. “Kronistët latinë, - shprehet autori, - shënojnë se te Dardanët, të moshuarit, nëse nuk vdisnin gjatë luftërave apo me armë në dorë, sapo ligshtoheshin, i drejtoheshin greminës dhe hidheshin në të, meqë ashtu ruhej epërsia e shpirtit, edhe në çastet kur ai dukej se nga mosha mundej…”. “Toka e lashtë” apo ‘Pellazgjia”, ishte toka e “popujve të veçantë”, që edhe pse nuk ishin asimiluar dhe nuk pranonin të bëheshin pjesë e “njeriut të ri perandorak”, por “… kënaqeshin t’u lejohej të jetonin në trojet e tyre, me betimin e përulësisë e nënshtrimit…”, duke ndjekur “rrugën e veçantë”, me “sjellje prej kameleoni” dhe “prirje drejt laramanisë”. Grrithja që aplikojnë malsorët e Tropojës, nuk asht tjetër veçse një vaksinë popullore kundër murtajës. Mikrobi i dobësuar, futet në damarët e çarë, duke e përgatitur trupin për zezonën që e pret. Jo rastësisht vaksina vjen nga Tropoja, që është pjesë e Malësisë së Gjakovë, por që ndodhet dhe brenda kufinjve të Shqipërisë Londineze. Çdo lloj murtaje ka vaksinën e vet; “gjuha pa alfabet - thotë autori, - asht si njeriu pa gjak”, dhe Gjon Nikollë Kazazi e di mirë se ky alfabet duhet të jetë me shkronja latine, se vetëm kështu mundet murtaja e ardhur prej lindjes.

“Krijimi asht hyjnor”, - thotë një personazh i Buxhovit, porse shqiptarët, të çmendurin dhe poetin e kanë të vështirë t’i ndajnë; ndonëse janë gati të vdesin për të dy. Nëse sot kërkojmë nën tokë, në shpella apo rrënoja, kërkojmë për terrakota, palimpseste a papiruse; kërkojmë pse e kemi kuptuar tashmë “… se rrugën e amëshueshme do ta kalonim bashkarisht për një mijë vite, që në të vërtetë, do të paraqiste vetëm një çast, nga njohja deri te vetënjohja…”. Rruga e shqiptarëve, tashma asht e qartë për autorin, ndonëse ai i trembet ndonjë ngatërrese “… që lidhej me përsëritjen e së djeshmes në të sotmen e nesërme…”. Ky asht mesazhi i Jusuf Buxhovit, autorit të “Librit të të Mallkuarve” dhe i atyre teksteve të mrekullueshme që rreken të shpjegojnë historinë dardanëve, maqedonasve, epiriotëve dhe të krejt Ilirikumit, deri tek shtetet e sotme të Ballkanit Përendimor. Pjesa tjetër është lexim dhe kënaqësi, që buron prej faktit se po lexon një libër të shkruar me stil, plot erudicion, analizë dhe deri te debatet ekzistenciale, trashendentale dhe të filozofisë së jetës.

Gjuha e tekstit, anon dukshëm nga letrarja, ndonëse përdorimi organik i paskajores dhe i të folmes dialektore, ia shton ndjeshëm lirshmërinë e tregimit, bukurinë e tekstit, ashtu edhe forcën e argumentit. Po ashtu edhe fjalë të rralla si “tumirje”, “krahnezë”, “ndërkallje” apo “ngulfatje”, përveçse pasurojnë gjuhën e tekstit, tregojnë edhe një shembull që duhet ndjekur nga shkrimtarët shqiptarë, në misionin e tyre për shpëtimin e shqipes nga modernizmi. Kthimi te vlerat ma të mira gjuhësore të traditës, asht rruga e duhur për këtë qëllim. Për ta mbyllur me Buxhovin dhe “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, mund të them se ky roman asht shembulli ma i mirë i letërsisë së angazhuar shqipe; angazhim ky, jo kundrejt një ideologjie, besimi apo sistemi; por kundrejt historisë, gjuhës dhe shpirtit të shqiptarit, kësaj dëshmije të gjallë të vazhdimësisë pellazgjike në Ilirikum.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH