Kryesore

Shënime mbi “Të Lirë” të Lea Ypit

               Publikuar në : 09:32 - 22/11/21 liberale

Liridon Mulaj

Nëse do të ishte mbajtur një katalog i saktë i veprave të shkruara mbas 90-tës me subjekte të ndërtuara mbi sistemin komunist, besoj se do arrinin në numra tre shifrorë. Kjo mbamendje, flet më shumë sesa për numra apo statistika… Letërsia, si pak apo aspak lëmi të tjera, trajtoi gjerësisht një periudhë hermetike, ku liria nuk merrte frymë në format e shprehura të artit. Ndaj pas shembjes formale të komunizmit, ajo u kthye të rifitonte vetveten e ndërkohë të lante duart me atë periudhë të errët. Letërsia u rrek të pulsojë në disa shtigje, si letërsia e burgut, një “zhanër” i domosdoshëm për rehabilitmin shpirtëror dhe psikologjik e etik të përjetuesit, si dhe dëshmimin e tmerreve që ndolli diktatura deri në dehumanizim;  letërsia si disidencë e vonë, çka përbënte edhe gamën më të gjerë të romaneve të shkruara, ndërsa paralelisht patëm dhe letërsinë e tranzicionit si një thirrje e domosdoshme ekzistenciale e kohës, e cila përtej nevojës për ta rrëfyer, u pa si hap i njëtrajtshëm me letërsinë botërore dhe një kapërcim në modernizëm. Por përtej zhvillimit të rrymave të reja dhe “kërcënimit” të postmodernizmit si rrymë, ‘Letërsia e Kujtesës’ me subjekte dhe rrëfime nga diktatura vazhdoi rrjedhën e saj e patrazuar, si një oponencë ende e gjallë e periudhës së represionit dhe terrorit. Por, çfarë shpërfaqnin këto vepra parë nga syri i lexuesit? Në një vëzhgim të përgjithshëm kupton së trajtesa që i bëhet asaj periudhe varion nga romane të strukturuara mirë, deri në përshtypje bajate pa asnjë vendosje estetike apo bindëse, duke e kthyer kështu në një objektiv të mosobjektivitetit. Dhe si lexues ‘i revoltuar’ deri diku me këtë lloj trajtese, kisha bërë një pakt me veten se nuk do të lexoja më romane të kësaj natyre, deri në një moment të dytë kur bindja ime të ndryshonte; ose kohën time do t’ua kushtoja vetëm studimeve konkrete mbi atë periudhë. Dhe për një periudhë relativisht të gjatë iu përmbajta me stoicizëm këtij betimi. Këtë pakt ma rrëzoi mikesha ime shkrimtare Mimoza Hysa, e cila gjatë një bisede të zakonshme në kafene më tha “Liridon nëse ti mendon se tema e diktaturës komuniste është shterur, unë të them se ne ende nuk kemi nisur të shkruajmë për të siç duhet!”, bindje kjo e cila më vuri jo pak në mendime.  Në tridhjetë vite letërsi, filozofia e trajtuar mbi komunizmin ishte qartësisht antagoniste ndaj një doktrine mizore ku zanafilla i ‘ngjeshej’ Marksit, si gogoli mbi të cilin u ndërtuan përrallat e frikshme për ‘fëmijët’ proletarë anekënd botës komuniste. Pikërisht këtu e ka zanafillën dhe ky shënim i sotëm.

Një shtëpi botuese “Pinguin books”, mbase me e madhja në botë, një pasdite pranvere lançoi në profilin e saj trailerin e një romani që pritej të botohej së shpejti dhe autorja ishte, as më shumë as më pak, por shqiptare. Lea Ypi, një emër i njohur i kancelarive akademike të Europës. Në Shqipëri, pak e njohur për publikun e gjerë. Titulli i librit ishte “Free” dhe në trailer tërhiqte vëmendjen periudha komuniste në Shqipëri. Bindja e mikes mu ndërmend sërish, por prapë, e kalova infon pa entuziazëm duke e gjykuar si zgjedhje trendi – tematikë ekzotike për botën e jashtme, por aspak diçka e re për lexuesin shqiptar të mësuar tashmë me këtë kumt letrar.  Megjithatë, ndoshta për arsye ‘patriotike’, e ndoqa të gjithë “intron” që paralajmëronte ardhjen e romanit në disa gjuhë të huaja njëherësh; derisa, më në fund, edhe lexuesi shqiptar e mori këtë roman në duar gjatë Panairit të Librit. Erdhi si një ‘arritje në shtëpi’, në gjuhën amë.

Ajo çka të bën përshtypje që në nisje të romanit është gjuha e thjeshtë pa sforcime dhe tentativa për ta ekonomizuar frazën sipas një rendi domsdoshmërisht strikt kundrejt rregullave letrare të romanit.  Siç dhe vetë autorja kishte njoftuar, romani nis në një pikë të hershme të jetës së Leas ( personazh dhe autore), duke vazhduar me një kronologji të qartë autobiografike parë me sy objektiv nga autorja në çdo hap moshor të saj, duke e përshtatur edhe nivelin e rrëfimit me zhvillimin moshor të personazhit. Figura e mitizuar e Stalinit, në sytë e fëmijës ngjall dashurinë sublime, siç e ngjallin heronjtë, parë nga një këndvështrim profan dhe i pazakontë. Ishte heroi i një diktature të egër, nënprodukt stalinist që tejkaloi edhe modelin burimor. Fëmijët, në rastin ideal dhe të natyrshëm, si hero njohin babain. Por çfarë ndodh kur babai yt biologjik e ka një ‘baba’ mbi vete dhe sërish, ai ‘babai’ tjetër i madh ka një ‘baba’ edhe më heroik mbi vete? Krijohet ai raport të cilin Lea e përshkruan në skenën e strehimit nën statujën e madhe prej bronxi të Stalinit, i cili arrin ta mbrojë nga huliganët.  Ashtu e ngrirë, pa jetë, madje edhe pa kokë, sepse ia kishin shkulur, statuja-hero arrin ta mbrojë. Ashtu me kokë të shkulur, në sytë e personazhit tonë ngjan si një Zot, i cili ka fuqi edhe i ngrirë në bronz, duke e lartësuar në një fazë metafizike prej zotash që arrijnë të të mbrojnë dhe kur janë në forma të ngrira statujash, apo dhe me defekte të tilla si mungesa e kokës. Por kjo s’ka aspak rëndësi për personazhin tonë, pasi për herë të parë para saj shfaqej madhështor ai të cilin e kishte parë vetëm në ëndrrat moshore me sy hapur dhe në përshkrimet e mësuese Norës. Rrëfimi zhvillohet, dhe në tablo hyjnë një nga një personazhet e tjerë duke plotësuar konstelacionin e ngjarjes. Ndryshimet dhe rënia e sistemit përbëjnë dhe atë çka quhet – pika kulminante e romanit, ku krejt në kundërshtim me rrymën, personazhi ynë bie pre e zhgënjimit duke ia mveshur fajin rrjedhës dhe akuzuar pa drojë sistemin se po shkonte në anën e kundërt të logjikës. Pas socializmit prisnim komunizmin – thotë diku Lea e vogël,  – dhe jo demokracinë.  Në këto kriza të para egzistenciale, ka vetëm një thirrje e cila mbetet e pandryshueshme, thirrja për liri. Sistemi bie dhe sërish rrëfimi ndjek fillin kronologjik të rritjes, periudha post-diktaturë si dhe zhgënjimi i thellë nga një demokraci hibride në instalim, një kopje e keqe e demokracisë së vërtetë e cila nuk përfaqëson dot atë liri të shumëpritur, përkundrazi. Dinjiteti njerëzor është në fazat e para të rrënimit dhe liria si denstinacion, shihet ende si utopi që me gjasë, e tillë do të mbetet përgjithmonë.

Qasja e autores mbi konceptin e lirisë i kapërcen konturet e një grumbulli njerëzish dhe vendimesh të quajtura sistem, duke e sublimuar lirinë si gjendje dhe përvojë e cila nuk varet nga doktrinat. Tragjizma, vrasje, prostitucion, zhgënjim dhe arratisje janë stacione ku do ndalohet përgjatë rrëfimit, duke kapërcyer sa të njëra tek tjetra pa reshtur; një metamorfozë e denjë për një realitet paralel të ngjashëm me realitetin e fiksioneve distopike, ku ndryshe nga mizoria që komandohet nga lart-poshtë në aksin udhëheqje-proletar, tashmë urdhërat i japim vetë dhe i ekzekutojmë vetë kundër vetes, në një fill jo të logjikshëm jetësor.  Dhe natyrshëm, duke besuar se fëmijëria shenjon jetën e njeriut (janë heronjtë ata që na e përforcojnë këtë ide), rënia e një sistemi që rrit nën hijen e tyre, rrrëzon dhe brenda personazhit konceptin e lirisë. Të asaj lirie që formësohet nga heronjtë dhe që zëvedësohet me degradimin dhe shuarjen e një aspirate të ngjizur në periudhën e mbruajtjes, tamam atëherë kur zhbërja si proces, bëhet gati e pamundur. Qasja filozofike na thotë se liria nuk ekziston në libra, as në teori filozofike dhe aq më pak në sisteme të ndërtuara nga njeriu për njeriun. Liria nuk është ajo që mendonim se ishte, as ajo që mendojmë se do të jetë, as zhbërja e së shkuarës dhe as projektimi grafik i së ardhmes.

Liria ‘bërtet’ në momentin e thirrjes së madhe, bash atëherë kur kryqi derdh të gjithë peshën mbi qafë… është fuqia për të pranuar humbjen dhe për të ecur drejt asaj rruge të paqartë, me besimin se çdo hap do jetë, në mos i duhuri, të paktën i mundshmi.

Socializmi ynë e mbështeti lirinë e tij në udhëheqës idhuj, të konceptuar si shëmbëlltyra të zotave. Kapitalizmi tentoi të shndërronte çdokënd në një zot të fatit tij. Të dyja dështuan, e deri sa të kemi një sistem të ri larg utopive, e vetmja e drejtë e varur tërësisht në këtë utopi do të jetë liria jonë.  “Ideologjia e së majtës në vendet e Europës Lindore i është kundërvënë të djathtës, po aq sa të majtës vetë”. Ky është thelbi i filozofisë së Leas, i transmetuar nga një zanafillë gjenetike, nëpërmjet letrave në formën e një “amaneti” nga gjyshi tek e mbesa, me zotimin për t’i shkuar më tej kësaj ideje të keqintepretuar dhe keqkuptuar. Filli i keqkuptimit ngjan se zgjatet e zgjatet, njëkohësisht brenda dhe jashtë shtëpisë së personazhit, duke ia përmbysur realitetin, pikërisht atëherë kur i gëzohej vazhdimësisë. Ka një çast në jetën e personazhit, kur ajo kupton se lumturia dhe liria janë një gënjeshtër e madhe, dhe përtej kësaj jeta e saj vazhdon dhe rrjedh nëpër labirinte ekzistenciale (në kuptim të parë dhe aspak filozofik) drejt procesit të rritjes. Ndjen se rritet kur kupton të vërtetën, e njëkohësisht kërkon të mbetet fëmijë e të struket në gënjeshtrën e deritanishme. Lea e vogël, e cila mendoi se u rrit në fundin e historisë, me gjasë dëshironte të mbetej e vogël përgjithmonë, bash në prag të asaj të vërtete që nuk do të donte ta kishte mësuar kurrë, asaj të vërtete që ia veniti imazhin e lirisë. /Gazeta Liberale

 

 


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back