Kryesore

Shengen ballkanik apo shqiptar?  

               Publikuar në : 09:44 - 12/02/20 liberale

Mospajtimet e dy kryeministrave shqiptarë për “Shengenin Ballkanik” nuk zbuten as pas takimit të djeshëm në Tiranë. Kurti synon që së pari katër liritë themelore të zbatohen mes Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa Rama këmbëngul se më parë kjo duhet të ndodhë mes vendeve të Ballkanit

Mes Tiranës dhe Prishtinës duket se mbeten të hapura divergjencat lidhur me të ashtuquajturin “mini Schengen” ballkanik, nismë e sponsorizuar nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Kosova deri më tani nuk i është bashkangjitur kësaj ideje, madje, pas takimit të radhës në Tiranë, pati kritika të drejtpërdrejta ndaj qeverisë shqiptare.

Takimi i djeshëm në Tiranë mes kryeministrit Edi Rama dhe atij të Kosovës Albin Kurti, në vizitën e tij ë parë zyrtare jashtë vendit të tij, nuk ngjan t’i ketë sheshuar divergjencat. Biseda mes tyre zgjati mbi 30 minuta përtej parashikimit. Në përfundim të saj Albin Kurti, u përpoq të anashkalonte me diplomaci dallimet mes palëve për këtë çështje, duke evituar t’i përgjigjet pyetjes nëse Prishtina do të përfaqësohet në mbledhjen e radhës së kësaj nisme.

Ishte një temë e trajtuar, por shkurtimisht, duke qenë se takimi ynë sot ishte më parë për “makro Shengenin” shqiptar se sa për “mini Schengenin” ballkanik, deklaroi kryeministri i Kosovës.

Por Rama nga ana e tij, bëri të qartë se nuk ka arsye për të mos e mbështetur këtë ide. Në këtë pikë kemi një diskutim për të çuar përpara. Besoj se nuk ka “makro Schengen” shqiptar, pa “mini Schengenin” ballkanik. “Makro Schengeni” shqipar, është i lidhur ngushtësisht me Schengenin rajonal sepse, nëse jemi konsistent në vazhdën e procesit të Berlinit dhe jemi të harmonizuar në ndërveprimin tonë, atëherë na hapet rruga e mbyllur, prej vitesh, për të pasur një hapësirë të përbashkët mes dy shteteve, për të pasur lëvizje të lirë mes nesh, jo vetëm të mallrave e kapitaleve, por dhe të njerëzve, çka deri dje ishte e paimagjinueshme” jo vetëm për shkak të rezistencës, jo vetëm të Serbisë”, deklaroi Rama duke shtuar sesot është vetëm në dorën tonë, sepse këtë rezistencë unë e kam thyer dhe sot na takon të bëjmë më të mirën e të mos humbasim kohë, por t’a çojmë përpara këtë proces, pasi askush, as Serbia e as vendet e tjera nuk na thotë dot se po bëjmë Shqipërinë e madhe, nëse heqim kufirin”.

Në mbrëmje, kryemisnistri i Kosovës do të falënderonte të gjithë ata që e pritën gjatë kësaj vizitë në Shqipëri, duke shtuar se ende janë larg arritjeve që populli do të dëshironte.

“E falënderoj kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, për pritjen shtetërore e për diskutimin konstruktiv që patëm. Prej takimeve institucionale e marrëveshjeve mes Kosovës e Shqipërisë, jam i sigurt se shumë shpejt do të burojë një intensitet i ri bashkëpunimi ekonomik e arsimor. Takime të përzemërta e vëllazërore patëm edhe me presidentin, Ilir Metën, kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçin dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Bashën, të cilët më përcollën urime për detyrën e re, e unë u shpreha nevojën për ndihmë e mbështetje. Shqipëria është e gatshme të kontribuojë për Kosovën, e Kosova është plot entuziazëm për një bashkëpunim të tillë. Për çështjet e rëndësisë kombëtare na duhet të flasim njëzëri. Dekada e tretë e shekullit XXI duhet të sjellë një fillim të fuqishëm, si asnjëherë më parë, të bashkëpunimit e bashkërendimit Kosovë-Shqipëri. Nuk mohoj arritjet e së shkuarës, por jemi larg asaj çka dëshiron populli ynë, larg asaj që është brenda mundësive tona reale. Dy vendet tona janë prioritet i njëra-tjetrës dhe nuk ka çështje që presin, në asnjë fushë”, përfundon Kurti.

Ndërkaq dje të dy kryeministrat kanë rënë dakort ndërkohë, që të ecim me një shpejtësi të re në drejtim të bashkëpunimit në të gjitha fushatdhe në fund të muajit mars të organizojnë dhe mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive.

Dua që në këtë dekadë të tretë të shekullit 21, të kemi një fillim të fuqishëm të bashkëpunimit, siç nuk ka qenë kurrë më parë mes dy vendeve”, theksoi kryeministri i Kosovës.

Marrëveshjet, deri tani në letër

Të dy vendet kanë firmosur deri më tani 77 marrëveshje bashkëpunimi, por një pjesë e tyre kanë mbetur në letër. Për këtë arsye të dy kryeministrat kanë rënë dakord që të ngrenë një komision të përbashkët ndërshtetëror “për të ndjekur ecurinë e marrëveshjeve, për të identifikuar problematikat në zbatimin e tyre e për t’ju drejtuar mbledhjes së qeverive si për arritjet ashtu dhe për nevojat për vendimarrje të tjera”, shpjegoi  Rama.

Dy kryeministrat folën dje për një shpejtësi të re që i duhet vendeve për bashkëpunim mes vete. Ata bënë të ditur sa janë dakorduar për krijimin e një komisioni ndërshtetëror për rishikimin dhe zbatimin e marrëveshjeve që janë nënshkruar deri tani mes dy vendeve në mbledhjet e përbashkëta të qeverive. “Do të vendosim në funksion një komision ndërshtetëror të përbërë nga ministra dhe përfaqësues të komisioneve parlamentare për të ndjekur ecurinë e marrëveshjeve, për të identifikuar problematikat në zbatimin e tyre dhe për t’i adresuar mbledhjes së të dy qeverive në funksion qoftë arritjeve, qoftë nevojave për vendimmarrje të tjera”, tha kryeministri Edi Rama. Ai foli për rëndësinë e procesit të Berlinit dhe për katër liritë themelore të Bashkimit Evropian, të cilat sipas tij, rajoni duhet t’i zbatojë,  duke shtuar se janë plotësisht të angazhuar në “heqjen e kufirit mes të dy shteteve” përmes ndërveprimit dhe bashkëpunimit.

Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se dëshira e tij është që vendet të kenë një fillim të fuqishëm të bashkëpunimit dhe se duhet të jenë prioritet i njëri-tjetrit pa humbur kohë. Ai tha se komisioni për të cilin u morën vesh të krijojnë do të sigurohet që 77 marrëveshjet e nënshkruara nga qeveritë e dy vendeve duhet të zbatohen dhe të arrihen marrëveshje të reja. “Duam që ta shtojmë bashkëpunimin, ta shtojmë bashkërendimin duke e thelluar e duke e zgjeruar atë”, tha Kurti. Ai shtoi se të dy vendet duhet të bashkëpunojnë me një ritëm më të shpejtë, sidomos në fushat që ata i shohin se prioritare.

“Në veçanti duam që të bashkëpunojmë në aspektin ekonomik, të prodhimtarisë, të arsimit, të sigurisë e të politikës së jashtme. Besojmë se këto janë fusha në të cilat i kemi preokupimet e njëjta dhe partnerët tanë demokratikë, të zhvilluar e perëndimorë, janë po të njëjtit”, tha Kurti duke shtuar se beson që së bashku me Ramën do të avancojnë bashkëpunimin që të dy vendet kanë dashur gjithmonë ta kenë, por nuk e kanë arritur deri tani.

Takimi me Metën

Gjatë takimit me Presidentin Meta, dy zyrtarët diskutuan rreth intensifikimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, proceseve integruese të të dy vendeve në BE, si dhe zhvillimeve në rajon.  Presidenti Meta tha se Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi, për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Janë të mirëpritura dhe përpjekjet e SHBA-ve dhe BE-së, për rifillimin e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Është e rëndësishme që të gjitha forcat politike të Kosovës të jenë të bashkuara rreth një platforme gjithëpërfshirëse në këtë proces”. – u shpreh Meta.

Basha: Do të bëjmë gjithçka për Kosovën

Gjatë vizitës së tij zyrtare në Tiranë, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti u takua dhe me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Në përfundim të takimit me Kryetarin e Partisë Demokratike si Basha ashtu dhe Kurti në një pronncim përpara mediave nënvizuan domosdoshmërinë që poliitka të jetë në shërbim të qytetarëve. “Pozitë opozitë në të dy anët e kufirit, Kuvend dhe qeveri do të bashkëpunojmë në mënyrë që Kosova dhe Shqipëria të jenë në nivel të detyrës, jo vetëm zyrtare por edhe historike për qytetarët tanë, të cilët siç e dinë janë edhe varfërinë më të madhe, edhe me papunësinë më të madhe jo vetëm në rajonin tonë. Pra, është obligim i yni si politikanë kudo që jemi, tërë kohën të jemi në shërbim të qytetarëve edhe të Kosovës, edhe të Shqipërisë, për të ngritur dinjitetin dhe mirëqenien e tyre.” – u shpreh Kryeministri i Kosvës Albin Kurti.

Ndërkaq, Basha e ka siguruar Kryeministrin Kurti se për Partinë Demokratike dhe për opozitën e bashkuar prioritetet e bashkëpunimit me Kosovës janë të qarta.

“Ne do të bëjmë gjithçka për të ndihmuar në tregtinë e lirë, në integrimin ekonomik të Shqipërisë dhe Kosovës, për t’i dhënë shanse për punësim qytetarëve tanë e, në veçanti rinisë, për të ndalur shpopullimin që është produkt i drejtpërdrejtë i korrupsionit dhe kapjes së shtetit nga krimi i organizua, sikundër edhe për angazhimin tonë, sot dhe nesër, për të vazhduar fuqimisht mbështetjen nga Republika e Shqipërisë për Republikën e Kosovës, për njohjet ndërkombëtare dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtarë, sikundër edhe për heqjen e vizave edhe për qytetarët e Kosovës. Kryeministri Kurti, qeveria e Kosovës, institucionet e Kosovës dhe qytetarët e Republikës së Kosovës mund të mbështeten, siç janë mbështetur deri më sot, plotësisht tek Partia Demokratike, tek opozita e bashkuar për t’i dhënë çdo ndihmë dhe për të marrë çdo vendim që do të mbështesë objektivat e tyre, sot në opozitë dhe nesër, kur qytetarët e Republikës së Shqipërisë të na besojnë qeverisjen e vendit me votën e lirë dhe të ndershme.” – tha Basha.

Pse Kosova i druhet “Mini-Shengenit” ballkanik?

Pjesëmarrja apo bojkotimi i nismave rajonale, siç është rasti me “Mini-Shengenin” ballkanik, është çështje që i ndanë në dy anë, për dhe kundër, edhe njohësit e çështjeve ekonomike në Prishtinë.

Disa nga ekspertët e çështjeve ekonomike thonë se kjo nismë paraqet një improvizim politik përderisa Kosova nuk trajtohet aty e barabartë për shkak se nuk njihet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, të tjerë mendojnë se Kosova nuk duhet të mungojë në nisma që kanë si qëllim rritjen e bashkëpunimit në rajon.

Të dielën, më 10 nëntor, liderët e Ballkanit Perëndimor, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, presidenti serb Aleksandër Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, pa pjesëmarrjen e Kosovës kanë miratuar një deklaratë me një listë të përparësive dhe masave me të cilat synojnë të përmirësojnë bashkëpunimin rajonal.

Muhamet Mustafa, profesor në Kolegjin Riinvest, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se e gjithë kjo iniciativë nuk ka përmbajtje substanciale dhe më shumë është e përcjellur me improvizime politike.

Sipas tij, kjo nismë nuk paraqet diçka të re, pasi që dihet që Kosova ka marrëveshje të nënshkruara rajonale, por të cilat nuk zbatohen.

“Hapësirat që i kemi, Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA) me Evropën dhe Marrëveshjen për Tregti të Lirë me vendet e Evropës Qendrore (CEFTA) nuk janë shfrytëzuar. Përderisa këto hapësira nuk shfrytëzohen për arsye politike, kryesisht për shkak të sjelljeve të Serbisë lidhur me njohjen e Kosovës dhe pengimin e Kosovës, mendoj se e gjithë kjo iniciativë është e përcjellur me improvizime”.

“Përderisa nuk ka marrëdhënie politike korrekte dhe respektim të partneritetit, ky “Mini Shengen”, nuk shoh ndonjë përmbajtje esenciale”, tha Mustafa.

Por, ndryshe mendon eksperti për çështje ekonomike Safet Gërxhaliu. Ai thotë se Republika e Kosovës nuk duhet të jetë refuzuese ndaj iniciativave bashkëpunuese rajonale që kanë për qëllim thellimin e partneritetit në Ballkanin Perëndimor.

Gërxhaliu thotë se Kosova duhet të jetë e pranishme në këto forume për të adresuar problemet politike dhe ekonomike, sidomos me Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën, e jo të jetë refuzuese karshi iniciativave të ndryshme rajonale.

“Nga një politikë e tillë refuzuese përfitojnë ata që vërtet u shkon në favor mosprania e Kosovës dhe mosadresimi i problemeve. Në këtë drejtim Kosova duhet të jetë pjesë e këtyre iniciativave. Duhet të jetë e pranishme në mënyrë që të mbrohen interesat e Republikës se Kosovës sepse takimet në vendet e Ballkanit dhe deklaratat në Prishtinë nuk i bëjnë nderë Kosovës”, thekson Gërxhaliu.

Ndryshe, takimi i fundit i liderëve të Ballkanit Perëndimor është mbajtur të dielën në Ohër të Maqedonisë së Veriut, si vazhdimësi e takimit të Novi Sadit për krijimin e një “Mini-Shengeni” mes Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Shqipërisë. Pjesëmarrjen në këtë takim e ka refuzuar Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ngase siç ka thënë ai, Kosova ishte anashkaluar në takimin e parë në Novi Sad të Serbisë.

Kjo iniciativë rajonale, sipas presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, është e pakuptimtë për aq kohë sa Serbia dhe Bosnje e Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Kandidati kryesor për mandatarin e ardhshëm të Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë për Report TV se takimi në Ohër s’është dashur të mbahet.

“Vala e dytë e këtyre iniciativave rajonale nuk është dashur të mbahet. U mbajt takimi i parë në Novi Sad, u tha që në Ohër do të vijnë të gjithë dhe së pari aty nuk shkoi Kosova, së dyti Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina patën përfaqësim simbolik dhe besoj që në kohën kur spostohet edhe Samiti i Parisit nuk ka pse të mos spostohet për një datë tjetër edhe ky i Ohrit”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, është e gabueshme dhe pashpjegueshme ngutia që medoemos, tani, të mbahet takimi në Ohër në kohën kur dihej që Kosova nuk do të marrë pjesë.

Krijimin e një “Mini-Shengeni” e ka kundërshtuar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Sipas tij, kjo çon në krijimin e një “Mini-Jugosllavie”.

Por, Safet Gërxhaliu shprehet se në shekullin e XXI -të Kosova nuk e ka komoditetin të jetë vendi më i izoluar.

“Është shumë më e rrugës që të debatohet dhe të diskutohet, me qarqet kyçe, aty ku është debati se sa të izolohemi dhe të komentojmë në Facebook. Prandaj, besoj se në këtë drejtim vërtet të ketë një dialog në rend të parë interno e më pas rajonal”, thekson Gërxhaliu.

Ndërkaq, profesori Muhamet Mustafa, konsideron se çdo nismë rajonale e çfarëdo karakteri, duhet të përfshijë bashkërisht të gjitha shtetet e rajonit.

“Nëse fillohet iniciativa duhet të fillojnë se bashku të gjitha vendet. Jo të fillojnë tri shtete njëherë e më pas të tjerat. Në këtë drejtim, mendoj se kjo iniciativë është shumë improvizuese. Thuhet se duhet të zvogëlohet pritja në dogana, por pritja mund të zvogëlohet me masa tjera. Mirëpo ka shumë probleme më të mëdha në mes vendeve ballkanike se sa pritjet në dogana”, tha Mustafa.

 

Tags: , , , , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back