Editorial

Shembulli që na vjen sërish nga SHBA

Shkruar nga Liberale
Shembulli që na vjen sërish nga SHBA

Preç Zogaj

Hetimi i ish presidentit, Donald Tramp, ngjarja botërore e vitit pas luftës në Ukrainë, na tregon edhe njëherë, se duke qenë sponsorët më të mëdhenj të sundimit të ligjit në gjithë hapësirën e vendeve të lira, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e japin këtë shembull në vendin e tyre pikësëpari.

Nuk thonë bëni siç them unë, por bëni siç bëj unë. Në fakt fuqia e tyre ndikuese dhe frymëzuese në botë  është parasëgjithash fuqia e shembullit.

Ish presidenti Trump është nën një hetim të trefishtë, i dyshuar për hile dhe mashtrime financiare në biznesin e tij privat, për shkelje në trajtimin e dokumenteve të klasifikuara sekret shtetëror, gjatë kohës kur kryente detyrën e Presidentit dhe për nxitje të sulmeve të  dhunshme të ndjekësve të tij mbi Kapitol Hill në 6 janar të vitit 2021, me qëllim pengimin dhe përmbysjen e fitores së certifikuar të Presidentit Biden.

Të cilën Tramp s’ka reshtur ta konsiderojë të manipuluar,  pa sjellë asnjë provë, duke u konfliktuar me guvernatorë republikanë, me  institucione bipartizane apo të drejtësisë, që përgjigjen për rregullsinë e zgjedhjeve në SHBA.

Për dy çështjet e para ish Presidenti po hetohet penalisht. Për çështjen e tretë po hetohet nga Senati, i cili mund t’i depozitojë për ndjekje penale rezultatet e hetimit.

Hetimet nuk janë e vërteta, por rruga për të shkuar drejt saj. Janë rruga për të shkuar drejt fajësimit apo pafajësimit të të dyshuarit. Gjykata ka fjalën e fundit.  Nga kjo pikëpamje, ish Presidenti  si çdo qytetar tjetër, prezumohet i pafajshëm deri në një vendim gjykate të formës së prerë.

Përtej bujës botërore të hetimit  të tij, ajo që ka vlerë dhe interes për publikun shqiptar në këtë histori është se, në një shtet demokratik askush nuk është e nuk mund të jetë mbi ligjin. Ligji është monarku i vetëm, siç e ka pas thënë Aleksander Hamilton, njëri prej etërve themelues të SHBA-ve. Nuk ka të  paprekshëm, nuk ka të pahetueshëm, nuk ka të padënueshëm. Mbrojta apo edhe retorika politike kundër akuzave, si ajo që po artikulon ish Presidenti Tramp, kur thotë se, kundër tij është ngritur një gjueti shtrigash e orkestruar nga kampi kundërshtar demokrat, janë një e drejtë e çdo të akuzuari, të dyshuari, të hetuari apo të gjykuari. Por ato nuk mund të pengojnë hetimin dhe gjykimin nëse do të ngrihet një akuzë.

Hetimi i Tramp na tregon edhe një herë kontrastin e madh me vendin tonë ku dhjetra e qindra akuza të rënda për korrupsion, abuzime, shkelje dhe krime zgjedhore në adresë të zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të lartë, as çohen në gjykatë, as mbyllen, por lihen pezull me vite. Vendi jeton nën një re akuzash që, ndërsa zbardhen pjesërisht ose nuk zbardhen kurrë,  e helmojnë pa pushim  jetën publike, zgjasin  pandëshkueshmërinë dhe sundimin e  bajraktarizmit politik në vend të sundimit të ligjit.

Hetimi i Tramp dhe shembujt e tjerë të ngjashëm duhet t’u shërbejnë si asnjëherë tjetër hetueseve tanë të BKH-së, prokurorëve të SPAK-ut dhe gjyqtarëve të Gjykatës Speciale të Antikorrupsionit për të guxuar më shumë e vepruar më shpejt për hetimin dhe ndëshkimin e zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të korruptuar. Prokurorët e SPAK-ut gëzojnë sot një mbështetje dhe mbrojtje speciale, që u vjen nga SHBA, nga  BE, nga shumica e qytetarëve shqiptarë.

Por rëndësia dhe vlera historike e asaj që po shohim të ndodhë në SHBA shkon edhe më larg se kaq. Ajo është kundërpërgjigja e vendosur e demokracisë më të madhe të botës ndaj ndërhyrjeve të Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 dhe paralajmërimeve se ndërhyrje të tilla mund të përsëriten.

Ndërhyrja e vendit që nuk bën zgjedhje për të kurdisur shpërthimin e konfrontimeve zgjedhore në  vendin që i ka të shenjta ato përben një nga provokacionet e mëdha të shekullit të ri në rrafshin ndërkombëtar. Kundërpërgjigja amerikane në këtë kontekst ka qenë dhe është komplekse. Ajo nuk kufizohet vetëm në territorin amerikan, por shtrihet në gjithë hapësirën e vendeve aleate, pra edhe në Shqipëri. SHBA kanë zhvilluar konceptin e sigurisë kombëtare komune të vendeve demokratike të botës kundër luftës hibride të Rusisë dhe shteteve të tjera autokratike a njëpartiake, që investohen fuqishëm për minimin, shfunksionalizmin dhe vdekjen e demokracisë. Pse? Sepse demokracia përbën sekretin që  shpjegon epërsinë amerikane, euroatlantike dhe familjes së kombeve të lira përkundrejt autokracive dhe tiranive lloj-lloj. Ndaj mbrojtja dhe zhvillimi i saj, si ndërveprim i zgjedhjeve të lira, konkurrencës së lirë me rregulla loje, lirive e të drejtave njerëzore, ndarjes demokratike të pushteteve dhe sundimit të ligjit, është mision. Në këtë sfidë globale, Shqipëria e ka fatin të jetë e të mbetet në një gjatësi vale me partnerët e saj perëndimorë. /Liberale.al

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH