Letërsi

Shekujt e lavdishëm të një qyteti

Shkruar nga Liberale

“Historia e Durrësit” nga Dorian Hatibi

Teuta Dhima

Durrësi

Qyteti për të cilin shkruajti Tukiditi, Aristoteli, Plauti, Katuli, Taciti, Prokopi, Erazmi, Shekspiri... etj.

Qyteti në të cilin lindi një perandor e nën muret e të cilit vdiqën dhe luftuan shumë perandorë të tjerë.

Qyteti i Herkulit. Qyteti i Ciceronit. Qyteti i Çezarit. Qyteti i qindra betejave epike dhe i dhjetra romancave të dashurisë.

Qyteti "ku u ngjiz kombi shqiptar" dhe ku u shkruajt për herë të parë shqip.

Qyteti që sa herë ra, diti të ringrihet.

Qyteti i cili ishte qytet, kur nuk ekzistonte asnjë qytet.

Qyteti "për të cilin këndojnë shkrimtarët dhe për të cilin buçet fama", "fari i asaj pjese të Ilirisë që sot quhet Shqipëri" (Dorian Hatibi).

 “Nëse Durrësi do të kishte zë të fliste, ai do të na tregonte të gjithë historinë e asaj Ilirie që më pas u bë Shqipëri. Ai ngrihet si një far që rrezaton… dritë për të gjithë pjesën tjetër të vendit. ”Ky citim nga Fulvio Cordignano S. J (1933),  hap faqet e librit “Historia e Durrësit” të autorit Dorian Hatibi. Një citim i gjetur, që merr edhe më shumë vlera pasi e lexon librin, i cili është bërë zëri i këtij qyteti dhe një vlerë që do t’u trashëgohet brezave.

Dëshira për të shkruar për të, lidhet edhe me faktin që autori, për vite me radhë ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga lexuesit më të rregullt të bibliotekës së Durrësit. Përfundimi dhe dalja në dritë e këtij libri, është fryt i kurorëzimit të një pune gjashtë vjeçare, ku autori ka hulumtuar me një rigorozitet të udhëhequr nga pasioni për dijen, për të dritësuar, aty ku koha ka krijuar dritëhijet e veta dhe mjegulla  ka fshehur disi faktet.

Libri “Historia e Durrësit”, ka gjashtë kapituj kryesorë të cilët në vetvete, kanë nëndarjet e tyre: Prehistoria, Antikiteti klasik, Antikiteti i vonë, Mesjeta e hershme, Mesjeta e vonë dhe Dekadenca. Gazetari Geri Emiri në parathënien e tij shprehet se, libri që kemi në dorë nuk është thjesht një botim kronologjik i etapave që formësuan Durrësin. Autori i tij, Dorian Hatibi, është udhërrëfyesi i lexuesit modern në një prej historive më të jashtëzakonshme të një qyteti.

Tek e shfletoja këtë libër,  më erdhi ndër mend botimi “Chronologie Albanaise”  të profesorit Jean G. Kersopoulus, botim i shtëpisë botuese “Flamma”, Athinë 1937, pasuri e Sektorit të Albanologjisë në Bibliotekën e Qytetit të Durrësit.  Në ndryshim nga “Historia e Durrësit” që hedh dritë mbi historinë e një prej qyteteve më të rëndësishme të Shqipërisë, kjo kronologji sjell ngjarjet më të rëndësishme për të gjithë atë. Kronologjia e shkruar në frëngjisht, ngërthen një kuadër kohor 385 p.e.s - deri në vitin 1937. Fillon me vitin 385 p.e.s me mbretin Bardhyl të Ilirisë, deri në 28 nëntor 1937 me festimin e 25- vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Përfshin fakte historike, politike ekonomike, të dhëna statistikore të periudhës së mësipërme.

Nëse bëjmë një krahasim me "Chronologie albanaise", shënimet kronologjike të Hatibit janë të bollshme në piketa historike që kanë shënuar ngjarje me rëndësi që nga prehistoria deri në shpalljen e Pavarësisë, por jo vetëm kaq. Kjo paraqitje nuk mbetet në kufijtë e një paraqitjeje të thatë dhe të prerë datash. Sipas Hatibit, në libër është përqëndruar në tri elemente kryesore: qyteti si i tërë, personazhet kryesore, të cilat së bashku krijojnë një ide të periudhës dhe evolucionit historik, urban, demografik, kulturor, fetar ekonomik, ushtarak dhe politik të Durrësit. Si specialiste e librit, mendoj që ky libër i sjellë në këtë format, do të jetë  tepër interesant për lexuesin, i cili sipas nevojave të tij, mund të marrë informacion për periudhën që atij i intereson.

Qasja ndaj informacionit që ai sjell, nuk do të ketë kufij moshe dhe kategorish tek lexuesi, pasi rrëfimi është i qartë dhe përmban brenda vetes vetëm një qëllim: dritësimin e fakteve të panjohura mbi qytetin. Hatibi e diferencon "Historinë e Durrësit" nga vazhda e studimeve të mirëfillta ngushtësisht shkencore që janë bërë për Durrësin nga historianët dhe arkeologët e mëdhenj si Vangjel Toçi, Fatos Tartari, Moikom Zeqo, Hava dhe Sali Hidri, apo studiuesve më të rinj Eduard Shehi dhe Brikena Shkodra. Librin e tij ai e përkufizon si një perifrazim të historisë. Në punën e autorit vihet re një përkujdesje skrupoloze në përzgjedhjen e informacionit, renditjen e tij dhe sjelljen në një format që e nxit lexuesin ta përdorë atë, pa rrezikun e lodhjes dhe përhumbjes në degëzime të historisë që jo pak herë bëhen të mërzitshme. Por, të shkruash në mënyrë kaq sintetike (në të njëjtën kohë të sjellësh shumë informacion), nuk është aq e lehtë sa ç'mund të duket në shikim të parë. Autori, dhe për këtë jam e sigurt, jo pak herë është vënë para dilemës në përzgjedhjen e piketave historike ose datave me rëndësi, pasi ato në vetvete, përfaqësojnë të gjitha një histori më vete.

Por, a e lejon ky format autorin ta sjellë të gjithë historinë e qytetit në librin e tij? Sigurisht që jo dhe siç shprehet vetë ai, për një punë të tillë do të duheshin disa vëllime libri. Po sipas autorit, janë lënë jashtë tij mijëra raportime noteriale që datojnë që nga shekulli i 10-të, të cilat lexuesi do t'i gjejë tek "Acta Albaniae Veneta”, arkivat venedikase apo arkivat osmane.

Rrëfimi bëhet interesant nga kombinimet e legjendave prehistorike me tezat gjuhësore, apo kur lexon përshtypjet e udhëtarëve të ndryshëm që kanë kaluar në Durrës, albanologëve si Johann Geog von Hahn (i cili e vizitoi Durrësin në kufirin kohor prej 13 vjetësh), studiuesve të ndryshëm, arkeologëve si i madhi Artur Evans,  që kanë hedhur tezat e tyre dhe kanë nxjerrë ne pah ide. Është për t’u përmendur që të gjithë këta studiues janë mrekulluar nga pasuritë që nxjerr nëntoka  e këtij qyteti, sasia e materialit arkeologjik të tij, që është e pakrahasueshme me atë të qyteteve të tjera. Nisur nga shënimet e udhëtarëve, mënyra se si shprehen ata, duken se dashurohen me qytetin e Durrësit. Këto vlerësime janë të shumta në shënimet kronologjike, por unë do të sjell ato të arkeologut Evans(1877), i cil i i quan shqiptarët të gjallë, plot energji, krenarë, të mprehtë, me kostumet më madhështore në Europë.  Është emocionuese të lexosh për historinë e një lagjeje të qytetit, Amfiteatrit, pranë të cilit kalon çdo ditë,  mureve të kalasë që lartohen kryeneçe, apo spostimin e vazhdueshëm të vijës bregdetare të Durrësit. Të lexosh për origjinën e këtij qyteti, që legjendat dhe kronografët në mbishkrime e paraqesin si të rindërtuar dhe jo të ndërtuar apo themeluar. Shënimet kronologjike shoqërohen edhe me evidentimin e figurave të shquara të këtij qyteti, që cilët kanë dhënë kontributin e tyre në zhvillimin e tij, gjatë egzistencës së tij. Ato janë të shumta dhe të inkuadruara brenda kuadrit kohor në të cilin kanë jetuar dhe kontribuuar.

Ajo që të bie në sy në fund të librit, është bibliografia e pasur të cilën autori e ka përdorur për gjetjen e informacionit. Përmendim këtu dokumente, fjalorë, enciklopedi e periodikë, dhe së fundimi literatura librore ku citohen studiuesit më të mirë, të huaj dhe shqiptarë. Autori, meriton përgëzime për punën e bërë dhe përzgjedhjen e materialit, edhe pse kjo është bërë nga një pozicion që qëndron jashtë profilit të tij të studimeve. I pajisur me dashurinë për leximin, dijet e fituara prej tij, kureshtjen dhe intuitën prej një studiuesi të mirëfilltë, shoqëruar edhe nga mentorët e duhur, ai ka kaluar çdo pengesë që mund t'i jetë shfaqur përgjatë ecjes në tunelin e errët të historisë. Dorian Hatibi i ka dhuruar Durrësit historinë e tij, është bërë zëri i tij, nga prehistoria deri në vitin 1912. Uroj që autori të vazhdojë punën me po të njëjtin përkushtim dhe të na sjellë vëllime të tjera, të cilat do të trajtojnë historinë e Durrësit deri në kohën moderne. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH