Aktualitet

Shefja e Pediatrisë në QSUT: Fëmijët të marrin patjetër dy dozat anti-COVID

Shkruar nga Liberale
Shefja e Pediatrisë në QSUT: Fëmijët të marrin

Aktualisht në Shqipëri po aplikohet vaksina kundër COVID-19 në të gjithë fëmijët mbi 12 vjeç.

Sipas të dhënave të fundit të Institutit të Shëndetit Publik rreth 5% e grupmoshës 12-16 vjeç e kanë kryer vaksinën.

Shefja e Shërbimit të Pediatrisë Infektive në QSUT, Gjeorgjina Kule tha sot se në spital janë të shtruar aktualisht 5 fëmijë me COVID-19, ndërsa apeloi që fëmijët mbi moshën 12 vjeç ta kryejnë vaksinën anti-COVID.

Në një prononcim për mediet, Kule theksoi se “fëmijët e shtruar në spital kanë një bronkopneumoni shoqëruese, gastrointerite me shenja të rënda të humbjes së lëngjeve, por jo kërcënuese për jetën”.

Sipas saj, problem mbetet post-Covid, i cili shfaqet me disa simptoma.

“Tek fëmijët janë pasoja apo shenja, të cilat ne mund t’i neglizhojmë, madje jo vetëm prindërit por edhe mjekët mund të mos i lidhin me kalimin e COVID siç është dhimbja e kokës e herëpashershme, ose ne formë krizash gjë që bëhet shkak dhe për prishjen e cilësisë së jetës apo për mos frekuentimin e fëmijëve në shkollë, apo persistenca e një temperature subfebrile në muaj të tërë”, nënvizoi Kule duke shtuar se këto zgjasin zakonisht 3 muaj pas kalimit të sëmundjes, por shkon deri edhe në 1 vit.

Kule thotë se këto janë shenja të vërtetuara që kanë lidhje me kalimin e infeksionit, që deri tani mendoj nuk ka pasoja për jetën.

“Por që për këtë periudhë kur ato janë të pranishme prishin cilësinë e jetës së fëmijës, pjesëmarrjen në jetën sociale dhe provokojnë një shqetësim të madh tek prindërit”, shtoi Kule.

E pyetur nëse është i rëndësishëm vaksinimi , Kule tha se “pavarësisht se e kanë kaluar apo jo COVID, fëmijët duhet të bëjnë patjetër të dy dozat e vaksinimit, sepse edhe fëmijët krejtësisht të shëndetshëm mund të bëjnë komplikacione të rënda”.

“Vaksinimi tek fëmijët nuk është më i rekomandueshëm por është futur në shumë udhërrëfyes të vendeve të zhvilluara evropiane dhe Amerikë.Por përse duhet futur? Pasi pavarësisht nga fakti që fëmijët preken më pak ato transmetojnë me të gjitha format e tyre klinike COVID, sepse fëmijët që kanë sëmundje shoqëruese dhe kryesisht fëmijët obezë dhe ne e dimë që obeziteti ka një përqindje shumë të lartë tek fëmijët. Kalojnë forma shumë të rënda dhe fëmijë krejtësisht të shëndetshëm mund të bëjnë komplikacione të rënda, por të tipit të përfshirjes multiorganore apo sëmundjes së Kavasakit”, theksoi Kule.

Shefja e Shërbimit të Pediatrisë Infektive në QSUT, u shpreh se “ka fëmijë që mund ta kalojnë edhe fare lehtë nuk është e thënë se long Covid të jetë prezent tek fëmijët që kanë kaluar formë të rëndë. Madje mund ta kenë kaluar në formë asiptomatike dhe të prezantojnë këto shenja. Madje disa nga fëmijët që kanë ardhur për konsultë , që nuk e kanë ditur që kanë kaluar COVID dhe janë paraqitur me këto shenja, kur kemi testuar kemi parë që fëmija e ka kaluar, sepse ka pasur antikorpe të larta”.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH