Leteratura

Sfida ime në çmimin “Kadare”

               Publikuar në : 10:08 - 08/07/19 Enea Ruçi

Enea Ruçi

Nga pjesëmarrja ime në konkursin që u zhvillua për çmimin “Kadare”, marr shkas të ndaj me lexuesit disa nga pikëpamjet e mia mbi sfidën e të qenët shkrimtar (sidomos i ri) në vendin tonë.

Përvoja, relativisht e vogël, që kam nga konkurset e ndryshme letrare, – ndoshta jo vetëm kjo, – ka arritur të më mësojë që ta tejkaloj mërzinë e të mosqenët fitues. Këtë nuk e them si një formë ngushëllimi ndaj vetes dhe, po ashtu, kjo nuk do të thotë se te Ipaqenë fitues nuk ndodh asgjë, pasi do të ishte tepër absurde.

Sapo mora vesh se isha skualifikuar nga gara e këtij çmimi, më erdhi ndër mend (pa dashur ta poetizoj, apo të shtoj këtu ndonjë dozë romantizmi) dita kur një ish-mësues imi, me të cilin sot kam marrëdhënie të sinqerta miqësore, injoroi thuajse hapur një dorëshkrim timin me poezi, gjë që më ligështoi së tepërmi dhe më ndikoi që të mos shkruaja asgjë për një periudhë të konsiderueshme kohore. E kam të vështirë të kujtoj me saktësi arsyet e mospëlqimit të atij njeriu, që në një farë mënyre, përfaqëson tek unë jurinë e parë, ndërsa atypari më tha: “Sa herë lexoj shkrimet e tua ndiej një brerje… Dikur kam gabuar me ty… Jam nxituar!”. Ku i dihet, mbase kishte kthyer ndonjë gotë…

Gjithsesi edhe këtë narracion nuk e rindërtova për të paralelizuar dy situata që nuk janë fort të ngjashme. Desha vetëm të them se juritë, për arsye nga më të ndryshmet, që nga subjektiviteti i pashmangshëm i të gjykuarit dhe deri te pavlefshmëria artistike e një dorëshkrimi, nuk janë dyer të përplasura në fytyrën e Tëpaqenët fitues, përkundrazi. Ky pohim justifikohet plotësisht nga bisedat, refleksionet, perceptimet dhe, mbi të gjitha, konsideratat që kam marrë nga një pjesë e anëtarëve të jurisë së çmimit “Kadare”, pastërtia e të cilave depërtoi natyrshëm deri tek unë.

Të jesh shkrimtar (sidomos i ri) në këtë vend apo kudo tjetër, së pari duhet të fitosh sfidën me veten, pra më të vështirën. Edhe pa qenë shkrimtar, kushdo do të mund të kuptonte guximin që i lipset një krijuesi për t’u përballur me lexuesin, sado i brishtë dhe i vogël qoftë ai. Mungesa e guximit është armiku më i zakonshëm dhe më i dallueshëm që has një shkrimtar i pashpallur. Ka gjithashtu, edhe një armik të dytë (mes të tjerëve) që është më pak i dukshëm, por po aq i rrezikshëm sa i pari: iluzioni i të shkruarit mirë, kur nuk ke gjë për të thënë. Këto janë, sipas meje, dy të këqijat që duhen luftuar fillimisht nga një shkrimtar (sidomos i ri). Një manual rrugëdaljeje, ndoshta jo gjithmonë efikas, është kontakti i vazhdueshëm me librat, grupimet e vogla letrare dhe më vonë juritë.

Në Shqipëri nuk ka struktura të mirëfillta institucionale të përmasave kombëtare që të nxisin krijimtarinë letrare, ka pasur vetëm ndonjë tentativë të këtij lloji dhe si pasojë, shumë dorëshkrime, për shkaqe kryesisht financiare, janë të destinuara t’i nënshtrohen procesit mizor të kalbëzimit, mosnjohjes dhe harresës. Çmimi “Kadare” ka dhënë një kontribut të pamohueshëm në këtë drejtim. Uroj që ndonjë ditë, kjo të shërbejë si frymëzim për ata që kanë në dorë mbarëvajtjen artistiko-kulturore të kombit… Por kur mungon modestia, mjerisht, shpresat janë të pakta.

***

Një farë kohe, pasi kam lëshuar nga duart një vepër, gjithmonë mendoj: “Nuk është më e mira që kam shkruar…”. Nga një pakënaqësi natyrale si kjo, nuk mund ta shmang as dorëshkrimin në fjalë, madje guxoj të parashikoj se një gjë e tillë do të më ndodhë gjithmonë, deri në krijimin e fundit. E megjithatë, në këto kushte, po ju tregoj diçka më shumë mbi këtë dorëshkrim.

Rrëfimtar është personazhi kryesor, për krijimin e të cilit më është dashur të marr nga vetja, por duke ruajtur masën, jo vetëm për t’i shpëtuar rrezikut të etiketimit të veprës si dokumentare, por edhe për t’u qëndruar besnik qëllimeve të mia artistike.

Në këtë protagonist është blatuar një karakter qëllimisht kompleks. Sipas meje ai përfaqëson pjesën dërrmuese të gjeneratës sime, që pajiset me diploma pak ose aspak të vlefshme dhe, me gjithë utopinë, hidhet në dinamikën e vrullit të jetës, nga ku është i destinuar të dalë i dërrmuar, i shtypur dhe i transformuar.

Pavarësisht dhuntisë dhe talentit letrar, aspekt ku ai ka dyshimet dhe dualitetet e veta, gjendet i paplotë në profesionin e tij, gjë që i faturon kosto të konsiderueshme psikike, morale dhe intime, duke i paracaktuar kështu një vend aspak komod në shoqëri. Në këto rrethana, përveç akuzës së hapur, ndihet dhe një thirrje e fshehur për të përmbysur disa fenomene të shëmtuara në fushën e arsimit.

Një tjetër linjë e rrëfimit që ingranohet gradualisht deri sa shkrihet me atë që sapo përmenda, është edhe marrëdhënia e personazhit kryesor me Asian, të fejuarën e tij, që është një studente në Fakultetin e Ekonomisë. Ata janë njohur në një kontekst krejt tjetër. Dikur jetonin në një qytet të vogël, qarqet letrare të të cilit i jepnin gjithnjë e më tepër jehonë krijimtarisë së djaloshit dhe e shihnin mjaft potencial në të ardhmen. Deri në kohën kur zhvillohen ngjarjet, ajo kishte jetuar me bindjen e të pasurit në krah Mbinjeriun.

Zërat e ndërgjegjes “shqyejnë” kornizat e pozicionit social dhe e bëjnë protagonistin të heqë dorë. Këtu fillon edhe ndryshimi i qëndrimit të Asias, që bashkë me heshtjet, fshehjen e ndjesive, vuajtjet e errëta të përndjekura paralelisht nga dukuritë e pavetëdijes, ëndrrës dhe makthit të pazëshëm, ngjajnë me një prolog që i paraprin braktisjes përfundimtare dhe kthimit të ashpër në vetvete të kryepersonazhit.

Vendimi i tij për t’u tërhequr nga profesioni, u interpretua prej Asias si dobësi dhe ngjalli zhgënjimin që sa vjen e shtohej. Procesi i heshtur i këtij çmitizimi solli braktisjen, justifikueshmëria ose pajustifikueshmëria e së cilës i mbetet lexuesit për ta përcaktuar.

Një ndër paralajmërimet e mia është: Për t’i qëndruar besnik vetes, ndodh shpesh të braktisesh nga të tjerët. A ia vlen të shtiremi për të mos prishur monotoninë e “rehatisë” së përbashkët? Për pyetje të kësaj natyre gjithsecili ka gjykimin individual në varësi të forcës, formimit, rrethanave dhe mentalitetit jetësor./Gazeta Liberale

(Visited 126 times, 1 visits today)

Etiketa: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *