Editorial

Sfida e hapur që Edi Rama po i bën SHBA-së

Shkruar nga Liberale
Sfida e hapur që Edi Rama po i bën SHBA-së

Aleksandër Biberaj

Apelit të ambasadores amerikane Yuri Kim për të përjashtuar të inkriminuarit nga listat për deputetë i është përgjigjur në mënyrë shumë cinike, ironike, sfiduese, dëshpëruese dhe aspak premtuese kryeministri në ikje Edi Rama, i cili pak a shumë deklaroi se “partitë nuk janë drejtori policie dhe se ne nuk kemi ndërmend të ngremë salla torturash në selitë e partive nëse dikush fsheh diçka”. Kjo është përgjigja e kryeministrit ndaj kërkesës amerikane për dekriminalizim të listave, përgjigje kjo që është pak të quhet papërgjegjshmëri pasi realisht është çmenduri. Kryeministri i një vendi që ka 100% të pushteteve dhe i ka të gjitha institucionet e informimit në varësi “nuk paska informacion për 140 kandidatë për deputetë dhe 61 kandidatë për kryetar bashkish”?! Ky është një karshillëk i hapur që Edi Rama po i bën SHBA-së, se me BE-në “ka mbaruar punë me kohë”, pasi “e vuri me shpatulla për muri” për të gjitha dështimet e veta në politikën e jashtme dhe sidomos në integrimin evropian të Shqipërisë. Ky qëndrim sfidues ndaj aleatëve tanë strategjikë është qëndrim i një aventurieri politik në kapërcyell të “moshës politike” dhe në fund të karrierës, i cili sfidon jo vetëm ndërkombëtarët por edhe Kushtetutën e Shqipërisë, ligjin e “dekriminalizmit”, ligjin e “pastërtisë së figurës së zyrtarit publik”, si dhe të një sërë ligjesh dhe aktesh të tjera nënligjore që rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet zyrtarëve publikë të zgjedhur dhe institucioneve publike. Me atë që pohoi hapur Edi Rama, pavarësisht presionit ndërkombëtar apo degjenerimit dhe degradimit të brendshëm të sektit qeverisës të rilindjes, ai nuk ka në plan të bëjë asnjë lloj korrigjimi apo reflektimi ndaj fenomenit të futjes së kriminelëve dhe banditëve në parlament apo bashki, përkundrazi ai i’u garantoi kriminelëve dhe banditëve se do t’iu veshë “kostumin dhe kollaren e rilindjes” për t’i futur përsëri në parlament apo bashki, për t’i “rehabilituar” ose “edukuar” ata që sapo kanë dalë nga burgu, dhe për t’i shpëtuar ata që janë duke hyrë në burg në Shqipëri apo jashtë saj. Pa bërë histori pasi rastet janë të shumta, por thjesht për t’ia kujtuar Ambasadores Kim se shqiptarët e dinë shumë mirë se Edi Rama ka 22 vite që qeveris me horrat në politikë, e filloi kur u bë ministër kulture në vitin 1998, e vazhdoi edhe më keq si Kryetar i Bashkisë së Tiranës për 11 vite, dhe i vuri vulën për 8 vjet si kryeministër pasi kriminalizimin, banditizmin i ngriti në sistem. E mbushi Parlamentin me një duzinë kriminelësh me precedentë penalë nga më të “rëndomtit” deri tek “më të pasurit”, banditët i futi në qeveri, i futi si kryetar bashkish dhe anëtarë këshillash bashkiake, i injektoi kudo në administratën publike, në biznese, në media, në shërbimin diplomatik, në bordet e administrimit dhe administrimin e universitete dhe kudo. Dhe për të gjitha këto që i ka bërë vendit jo vetëm që nuk tregon pendim, por na tregon hapur ne dhe ambasadores amerikane Kim se ai do të vazhdojë në rrugën e tij të krimit, dhe kjo ndodh pasi ai nuk është ndëshkuar as penalizuar për atë që i ka bërë këtij vendi, shpeshherë fatkeqësisht duke pasur edhe bekimin e ndërkombëtarëve. Por nëse ndërkombëtarët nuk e vrasin shumë mendjen dhe mund të mbyllin njërin sy apo edhe vesh pasi Shqipëria nuk është vendi i tyre por thjesht një stacion i karrierës, profesionit apo pasurimit të tyre, shqiptarët, populli opozitar, opozita e bashkuar duhet ta ndalin këtë njeri që e ka “mbjell” ambientin politik dhe administratën publike me kriminelë, banditë, horra dhe injorantë siç e mbolli Shqipërinë anë e mbanë me kanabis, ndërkohë që ambasadorët e vendeve mike duartrokisnin “policinë që duam”?! E nderuara ambasadore Kim shpresoj se e keni kuptuar edhe Ju se kush e qeveris Shqipërinë prej 8 vitesh, por “do t’a durojmë këtij njeri edhe 3 muaj “për “t’i treguar vendin” me vota popullore me datën 25 Prill 2021. Ambasadorët shkojnë dhe vijnë, kurse ne, fëmijët tanë, nipërit dhe mbesat këtu do të jetojmë!

 

 

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH