1

Sepse Tirana nuk ka një ‘Plan’

               Publikuar në : 09:32 - 06/04/21 liberale

Gentian Kaprata – Urbanism & Democracy

Ditët e fundit rikthyen akuzat e vjetra për qeverinë dhe administratën lokale të Tiranës, në lidhje me zhvillimin urban të kryeqytetit. Tre janë tipologjitë e akuzave më të parapëlqyera ndaj këtyre dy institucioneve publike. E para ka në thelb korrupsionin, e dyta betonizimin, kurse e treta, që përfshin shumicën dërmuese të tyre, ka në themel një miksim midis korrupsionit dhe betonizimit.

Këtë herë bëhej fjalë për një nga godinat më të bukura të trashëguara në Tiranë, përpara se ‘stili’ modernisto-socialist të pushtonte kryeqytetin. Godina e Maternitetit Geraldinë ishte kafshuar në pjesën qendrore të saj dhe do të rindërtohet ndryshe nga çfarë është projektuar dekada më parë. Në fakt, nuk bëhej fjalë vetëm për këtë godinë. Akuzat u zgjeruan duke përmendur disa godina të tjera, që duket se do kenë fatin e të zbukuruarit nga dora dhe shija e njerëzve të pushtetit politik.

Nuk e njohim “argumentimin” që do sjellin vendimmarrësit, por është e qartë se edhe për këtë sulm është fajtor pushteti politik. Për të gjithë ata që pyesin, si është e mundur që qeveria pa asnjë shpjegim: shkatërron Stadiumin Kombëtar, Teatrin Kombëtar, Parkun e Liqenit, Sheshin Skënderbej; lejon ndërtimin e dhjetëra gradaçelave në qendër të kryeqytetit dhe qindra pallateve në oborret e blloqeve të banimit, shkollave e kopshteve të fëmijëve; kam vetëm një përgjigje.

Kjo ndodh sepse Tirana nuk ka një ‘Plan Territorial të Përgjithshëm Vendor’! Sigurisht që ka edhe përgjigje që kanë lidhje me këtë regjimin oligarkiko-fashist, sikurse është kthyer ky sistemi ynë politik, por në referencë të lëmisë së planifikimit dhe zhvillimit urban, kjo është përgjigjja.

Në fakt, është e pamundur të ndash arsyet politike nga ato të planifikimit territorial, sepse janë “aftësitë” dhe ‘kompetencat” e këtij lloj regjimi që arrijnë të përfshijnë shumëkënd në krijimin dhe shpërndarjen e gënjeshtrave të mëdha. Propagandues, për shkak të shejtanllëkut, budallallëkut apo shejtan-budallallëkut, bëhet kushdo që ka një mikrofon në dorë, kamera përpara fytyrës apo qoftë edhe një smartfon të thjeshtë. E përsërisin aq shpesh saqë gënjeshtra “bëhet e vërtetë”.

Pavarësisht si perceptohet publikisht një gënjeshtër, produkti i saj është ai që sjell një e tillë. Beso sa të duash që derri fluturon, ai thjeshtë do zhgërryhet në baltë. Beso sa të duash se socializmi sukseson, ai sa herë të provohet do prodhoj mjerim dhe skllavëri. Beso sa të duash se një grumbull i madh tabakësh me ngjyra është një Plan, ai mbetet një ‘Plan për Kullat e Kastës’. Dhe si produkt, ai ka veçse kulla të larta për oligarkinë, dhe mjerim urban për qytetin dhe qytetarin.

Tre janë filtrat për të kuptuar nëse një grumbull i madh letrash është, apo jo, një Plan i Përgjithshëm Territorial. Dhe për ta nisur nga fundi, filtri i parë është proçesi juridik i miratimit të tij. Thënë thjeshtë, a i ka kaluar të dyja fazat e miratimit politik formal ky Plan? Përgjigjja është ‘Po’, ky grumbull tabakësh shumëgjyrësh ka një vendim ‘për miratim’ edhe nga Këshilli Bashkiak (KB) që është parlamenti i qytetit, edhe nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT).

Nëse në KKT-ë askush nga ministrat nuk mund të kundërshtonte vendimin e Byrosë, në KB-ë i kanë dalë kundër të dyja grupet opozitare, si ai i PD-së edhe ai i LSI-së. Sipas argumenteve të opozitarëve, që janë shteruese për çdo urbanist: opozita as nuk e kishte parë ndonjëherë çfarë përmbante ky “instrument”, jo më të kishin mundësi të jepnin mendim për të. Me pak fjalë, megjithëse ka një miratim formal, ky “instrument” mbetet i pranuar vetëm nga pushtetarët.

Për çdo ekspert të planifikimit territorial apo njohës të qeverisjes ky argumentim modest duhej të mbyllej këtu, por ne do të shkojmë më tej. Filtri i dytë për të kuptuar nëse ky “instrument” i miratuar në KKT-ë është, apo jo, një Plan Territorial i Përgjithshëm, ka lidhje me procesin e hartimit të tij. Thënë thjeshtë, a janë përfshirë të gjithë palët e interesuara dhe të prekura nga zhvillimi i propozuar nga ky “instrument”, në procesin e hartimit të tij? Përgjigjja është ‘Jo’.

Nëse të gjitha palët e interesuara për zhvillimin e qytetit do të ishin përfshirë në proces, atherë nuk do të kishim ‘Aleancë për Mbrojtjen e Teatrit’ apo organizime të tjera që do të dilnin kundër veprimeve konkrete qeverisëse në territor. Bile, nuk do kishim as arsye të çuditeshim. Nëse qeverisja do të prishte Stadiumin Kombëtar, Teatrin Kombëtar, Sheshin Skënderbej apo Parkun e Liqenit, kjo do të ishte në përputhje me vendimmarrjen në proceset e hartimit të “instrumentit”.

Filtri i tretë, ka të bëj me ‘dobishmërinë’. Një instrument nuk është i tillë nëse nuk të shërben. A mund të konsiderohet sharra si një instrument/vegël që ngul gozhdë?! Sharra është vegël prerëse por jo ngulëse. Thënë thjeshtë, ky “instrument” që e quajnë Plan, nuk na shërben për të zhvilluar në mënyrë të planifikuar qytetin, dhe kjo kuptohet çdo ditë kur shohim një veprim në territorin e qytetit, që në vend të na përmirësojë cilësinë urbane të jetesës, bën ekzaktësisht të kundërtën.

Për këtë filtrin e fundit mund të shkruhet një libër me argumente mbështetës, por ajo me të cilën do të preferoja ta mbyllja këtë shkrim modest, është një lutje ndaj çdo individi apo grupi të përfshirë në mbrojtje të qytetit nga pushteti. Miqtë e mi, ndërsa mbeteni të fragmentarizuar në mbrojtje të çdo godine që kasta e pushtetshme shkatërron, nuk përbëni asnjë problem për kastën! Ndryshon puna nëse kërkoni të hartohet një Plan për qytetin edhe me pjesëmarrjen tuaj. /Gazeta Liberale


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back