Aktualitet

Sekuestrohen rreth 300 mijë euro të fshehura brenda një makine

Shkruar nga Liberale
Sekuestrohen rreth 300 mijë euro të fshehura brenda një makine

Policia Kufitare, në bashkëpunim me strukturat doganore bënë të mundur sekuestrimin e një sasie të madhe në euro në Portin e Durrësit. Sipas Policisë, paratë e sekuestruara brenda një automjeti kapin vlerën e 294 030 euro. Po ashtu, është arrestuar në flagrancë edhe drejtuesi i mjetit dhe po procedohet penalisht 1 tjetër.

Njoftimi i policisë

Shërbimet e Policisë Kufitare, në zbatim të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare në bashkëpunim me strukturat doganore, kanë intensifikuar kontrollet si në dalje, ashtu dhe në hyrje, në Portin e Durrësit.

Si rezultat i kontrolleve të shtuara bazuar dhe në analizën e riskut të bërë nga shërbimet e Policisë në PKK Durrës në bashkëpunim me strukturat doganore, janë kaluar në vijën e dytë për kontroll të imtësishëm 2 mjete tip kamion, të cilët transportonin mjete Itali-Shqipëri, me drejtues shtetasit F. M., dhe A. L.

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP, shërbimet e Policisë Kufitare dhe strukturat doganore, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, gjatë kontrollit në automjetin me drejtues shtetasin F. M., gjetën të fshehura në pjesë të ndryshme të mjetit një sasi vlere monetare prej 282 265 eurosh.

Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë shtetasi F. M., 29 vjeç, banues në Lezhë, për veprën penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi”.

Shërbimet e Policisë kanë vijuar me kontrollin e automjetit tjetër me drejtues shtetasin A. L., ku në çantën personale të tij, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një sasi vlere monetare prej 11 765 eurosh.

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, proceduan penalisht shtetasin A. L., 34 vjeç, banues në Lushnjë, për veprën penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi”.

Po në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e shtetasit E. J., 36 vjeç, (pronari i firmës që bënte transportin e mjeteve), për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH