Aktualitet

Sekuestrohen 4 automjete dhe 3370 euro, arrestohen 3 persona në Morinë

Shkruar nga Liberale
Sekuestrohen 4 automjete dhe 3370 euro, arrestohen 3 persona në Morinë

Tre persona janë arrestohet, ndërsa një tjetër po procedohet në gjendje të lirë, teksa u kapën duke transportuar me automjete, emigrantë të paligjshëm, kundrejt fitimit.

“Shërbimet policore të Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Kukës, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, në zbatim të planit të masave për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, kanë organizuar kontrolle të përbashkëta në terren, për evidentimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie kriminale. Si rezultat i kontrolleve të përbashkëta, gjatë 24 orëve të fundit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Recently”, janë evidentuar dhe goditur 4 raste të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, për të cilat janë arrestuar në flagrancë shtetasit: -E. C., 48 vjeç dhe E. Rr., 25 vjeç, banues në Tiranë; B. S., 62 vjeç, banues në Durrës. Gjithashtu ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin A. T., 65 vjeç, banues në Tiranë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas bluve, këta shtetas janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në vende të ndryshme, përgjatë aksit rrugor Tuneli i Kalimashit – Morinë, duke transportuar secili me automjetin e tij, emigrantë të paligjshëm (në total 26), të cilët do t’i ndihmonin që të kalonin në mënyrë të paligjshme, kufirin me Kosovën, kundrejt fitimit 100-200 për person.

“Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 4 automjetet me të cilat transportoheshin emigrantët e paligjshëm, 3370 euro dhe 150 paund, të dyshuara të përfituara nga veprimtaria kriminale, si dhe 4 aparate celulare. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme”, përfundon njoftimi. /Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH