Aktualitet

Sekreti mëse i qartë për të rihapur ekonominë

Shkruar nga Liberale
Sekreti mëse i qartë për të rihapur ekonominë

Zonat që lehtësuan masat izoluese fillestare që u ndërmorën për frenimin e përhapjes së COVID-19 dhe që tani kanë nivele të larta infektimesh janë një shembull i qartë për gjithçka që ka shkuar keq gjatë pandemisë. Ajo që është thënë që prej ditës së parë vlen ende: deri në momentin që ky virus do të mposhtët, nuk mund të ketë kthim në normalitet.

Anne O. Krueger

E ardhmja e ekonomisë botërore po bëhet gjithnjë e më e qartë. Në fillimin e pandemisë, pati mosmarrëveshje të mëdha nëse izolimi dhe masat e tjera ishin të garantuara, apo nëse kostot ekonomike ishin shumë të larta. Tani, është gjithnjë e më e dukshme që aktiviteti ekonomik do të rifillojë plotësisht vetëm pasi kufizimet të kenë dhënë fryte. Përndryshe, COVID-19 do të vazhdojë të përhapet, duke e bërë të pamundur një rikuperim të qëndrueshëm dhe të shpejtë deri në ardhjen e vaksinave efektive dhe të disponueshme gjerësisht.

Kur koronavirusi filloi të përhapej përtej kufijve të Kinës, duke shkaktuar një ulje të menjëhershme dhe të mprehtë të nivelit të aktivitetit ekonomik dhe punësimit, ku u vendosën masa izoluese, epidemiologët u përpoqën të edukojnë publikun (dhe autoritetet, në shumë raste) për atë që do të vinte më pas. Ata paralajmëruan se virusi nuk do të frenohej sa duhet derisa kufiri i tij kritik R – numri mesatar i njerëzve të infektuar nga një person i sëmurë – yë ishte më pak se një. Kur kjo shifër është fiks një, çdo i sëmurë infekton një tjetër dhe numri i rasteve me COVID-19 mbetet konstant me kalimin e kohës. Një kufi kritik nën një, siç shpjeguan shkencëtarët, mund të arrihet shumë më shpejt me kufizime më të forta dhe testime efikase dhe gjurmim të kontakteve për të izoluar rastet pozitive.

Në ato vende ku urdhrat për të qëndruar në shtëpi dhe masat e tjera kanë qenë gjithëpërfshirëse, shpërthimet e infektimeve janë stabilizuar dhe kufiri kritik ka rënë brenda vetëm dy ose tre javësh. Në disa vende, rastet me COVID-19 u rritën në mënyrë eksponenciale, duke bërë që vetë-karantinimi të ishte diçka më e zakonshme. Dhe për shkak se një përqindje e lartë e njerëzve në vende të caktuara iu bindën rekomandimeve për izolim në shtëpi dhe gjurmimit dhe testimit (me gjasë nga frika), kurba e epidemisë ra shpejt.

Ndryshe nga kjo, në vendet ku masat kufizuese në fillim ishin të buta ose nuk ekzistonin fare, shumë më pak njerëz ndërmorën hapa për të shmangur kontaktin ose parandaluar transmetimin e virusit, ose ishin më të shkujdesur përsa i takon masave pararake, dhe rastet u shtuan me të drejtë. Faktorë shtesë specifikë të vendndodhjes kanë ndikuar në përhapjen e COVID-19. Por ajo që shohim në të gjithë botën është se qëllimi masave kufizuese, dhe shkalla në të cilën ato po vihen në zbatim, është faktori i vetëm më i rëndësishëm në këtë situatë të vështirë dhe më pas në shërimin nga pandemia.

Për fat të keq, në Shtetet e Bashkuara, në veçanti, rezistenca popullore ndaj kufizimeve u shtua pikërisht kur nevojitej bashkëpunimi nga ana e publikut. Disa politikanë dhe komentues këmbëngulën që kostot ekonomike për të shpëtuar një jetë ishin shumë të larta në krahasim me kostot e shkaktuara për ata që pësonin humbje të ardhurash ose kërkonin kujdes mjekësor për probleme të tjera. Ky shpërthim i presionit të publikut fitoi. Pavarësisht paralajmërimeve të epidemiologëve, masat kufizuese që u vendosën në fillim u hoqën shumë shpejt në shumë shtete të SHBA-së.

Më keq akoma, sapo këto rihapje filluan, shumë njerëz iu kthyen menjëherë zakoneve të tyre të vjetra, duke shpërfillur rekomandimet për distancim social, për shmangie të grumbullimeve (veçanërisht në ambiente të mbyllura), për mbajtje maske, larje të duarve dhe masa të tjera parandaluese. Fabrikat u rihapën dhe shumë ndërmarrje me pakicë dhe shërbime të tjera rifilluan punën, edhe pse me kapacitet të reduktuar. Për një kohë të shkurtër, prodhimi dhe shpenzimet e konsumatorit u rritën ndjeshëm dhe shkalla e papunësisë filloi të binte (edhe pse mbeti e lartë). Por në shumicën e rasteve, këto rihapje filluan me një kufi kritik pranë ose mbi një, gjë që garantonte se sapo njerëzit të fillonin të ulnin masat paraprake, numri i infeksioneve do të fillonte të rritej përsëri.

Rezultati është një skenar shumë i keq. Kushtet aktuale nuk janë të favorshme as për një përmirësim të qëndrueshëm të aktivitetit ekonomik dhe as për një reduktim të rasteve me COVID-19. Nëse punonjësit shëndetësorë, pajisjet mjekësore dhe kapaciteti i testimeve do të ishin në dispozicion dhe do të ishin akorduar si duhet, autoritetet e shëndetit publik mund të kishin qenë në gjendje të ndërmerrnin gjurmime kontakti dhe karantinimin në një nivel të mjaftueshëm për të frenuar përhapjen e virusit. Kjo është ajo që ndodhi në vende si Gjermania, Zelanda e Re dhe Koreja e Jugut, si dhe në qytete si Nju Jorku, i cili ka kaluar nga vendi më i prekur në SHBA, në një vend që tani kufirin kritik e ka rreth 0.4-0.5.

Që testimi të jetë efektiv, rezultatet duhet të jepen shpejt, për të paralajmëruar bartësit e virusit që mund të kenë kontakte me njerëz të tjerë. Problemi është se materialet dhe pajisjet e testimit kanë qenë të pakta, sidomos në vendet problematike. Tani që kufiri kritik po rritet me një normë alarmante, disa spitale amerikanë tashmë janë mbingarkuar, dhe, me punonjësit e tyre të sëmurë, disa fabrikave të rihapura u është dashur të të mbyllen përsëri. Autoritetet në shtetet jugore dhe jugperëndimore shumë të prekura tashmë po po imponojnë masa kufizuese shtesë.

Por edhe në vendet ku njerëzit i janë përmbajtur masave kufizuese paraprake dhe kufiri kritik nuk është rritur ndjeshëm, shkalla e rritjes së konsumit ka filluar të bjerë. Konsumatorët thjesht nuk janë të sigurt se rihapja do të vazhdojë të jetë në fuqi dhe bizneset shohin shumë pasiguri për t’u angazhuar në investime afatgjata. Tragjedia është se nëse izolimet do të ishin efikase dhe të zbatoheshin kudo, një rikuperim i shpejtë në formë V-je do të ishte plotësisht i mundur. Por kjo nuk ndodhi dhe duket se rritja ekonomike sado e vogël që ka ndodhur së fundmi po bie ndjeshëm.

Shpresa më e mirë për ekonominë globale është që të gjithë do ta pranojnë se epidemiologët kishin të drejtë që në fillim. Relaksimi i parakohshëm i masave kufizuese ka shkaktuar kosto shtesë të panevojshme, si përsa i përket shëndetit ashtu edhe përsa i takon mirëqënies ekonomike. Respektimi i masave kufizuese nga ana e publikut, në një shkallë të mjaftueshme për ta ulur kufirin kritik nën një, do të ishte mënyra më e mirë për të pasur një stimul ekonomik.

Një kufi kritik nën një do të nënkuptonte që kur të hiqeshin kufizimet, konsumatorët dhe bizneset do të mund të kishim besim se rritja ekonomike do të vazhdonte. Një kthim në aktivitetin normal ekonomik dhe shoqëror do të ndodhte mjaft shpejt.

Qëllimet për mposhtjen e virusit dhe ringjalljen e ekonomisë nuk janë kontradiktore, por të njëjta. Virusi do të diktojë ritmin me të cilin mund të rifillojmë me siguri aktivitetin ekonomik. Dhe është respektimi masave parandaluese nga ana e publikut ajo që do të përcaktojë ritmin me të cilin do të mposhtet virusi.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH