Politikë

Sekreti i avantazhit të Lulzim Basha ndaj Sali Berishës

Shkruar nga Liberale
Sekreti i avantazhit të Lulzim Basha ndaj Sali Berishës

Alfred Peza

Lulzim Basha është rikthyer në lojën e madhe politike, përmes dy lëvizjeve të thjeshta në dukje, të cilat bëjnë edhe diferencën e madhe mes tij dhe Sali Berishës. E para, është përjashtimi i Sali Berishës nga Grupi Parlamentar i PD, pas shpalljes së tij “non grata” nga SHBA. E dyta, është rikthimi fuqishëm i PD zyrtare, në lojën e sistemit politik e demokratik të vendit, përmes nismave të reja parlamentare.

Këto dy lëvizje i kanë dhënë Lulzim Bashës që në start, avantazhin e madh ndaj të gjithë kundërshtarëve brenda llojit, të cilët janë mbledhur tashmë hapur e publikisht rreth Sali Berishës. Në këtë mënyrë, kemi një opozitë bipolare, të cilat kanë përqafuar, dy qasje diamteralisht të kundërta nga njëra tjetra. Dikur kufiri mes tyre ishte i gati i padukshëm, ndërsa sot, ndarja është e qartë si kristali.

Opozita e Lulzim Bashës është ajo pro amerikane. E Sali Berishës, antiamerikane.

Opozita e Lulzim Bashës është zyrtare. Ajo e Sali Berishës, jo zyrtare.

Opozita e Lulzim Bashës është institucionale. Ajo e Sali Berishës, e rrugës.

Opozita e Lulzim Bashës operon brenda sistemit politik e demokratik të vendit. Ajo e Sali Berishës në “Foltore”-t e qyteteve dhe rrugëve të Shqipërisë.

Opozita e Lulzim Bashës është përballë Edi Ramës. Opozita e Sali Berishës është përballë Lulzim Bashës.

Opozita e Lulzim Bashës është brenda Parlamentit. Ajo e Sali Berishës, jashtë Grupit Parlamentar të PD.

Opozita e Lulzim Bashës po operon përmes nismave të reja ligjore dhe kushtetuese, duke e futur lojën politike, në një debat konkret e real për reformat e mëdha strukturore në vend. Opozita e Sali Berishës synon ta zhysi opozitën në lojën e cic mic-eve, aty ku ai vetë, është një kampion olimpik.

Duke ndërmarë iniciativa të reja kushtetuese, Lulzim Basha ka nisur të diktojë lojën parlamentare, fokusin e mediave përmes temave kyçe të debatit televiziv, duke tërhequr mbi vete prozhektorët e opinionit shqiptar dhe atij ndërkombëtar. Ato po shohin tashmë një opozitë konstruktive brenda kostumit të vet, që ka rizënë vendin e lënë bosh për dy vjet me radhë, në majën e sistemit. Kjo e bën jo vetëm shumicën e popullit opozitar, por edhe një pjesë të qytetarëve të tjerë shqiptarë, të kenë një alternativë reale qeverisëse për të nesërmen.

Sa më shumë që Lulzim Basha vijon në këtë rrugë, aq më i madh bëhet kontrasti me opozitarizmin e Sali Berishës. Sepse qytetari është në gjendje të kuptojë, opozitarizmin për interesat e saj të përgjithëshme, me opozitarizmin e Sali Berishës për interesat e tij individuale. Për hallin e vet personal. Për nevojat e ngushta të familjes biologjike. E gjitha kjo, në kurriz të interesave të familjes së tij të madhe politike, e cila po arrin ta kuptojë fare qartë lojën që po ndodh.

Pakkush është ende aq naiv pas 30 vitesh lirie mendimi, fjale, informimi dhe lëvizjeje në një vend të hapur si Shqipëria, sa të mos kuptojë përse Sali Berisha pasi u fut në listën e zezë të SHBA, u kujtua të fliste kundër Lulzim Bashës. Të kërkonte largimin e tij. Ndërkohë që të gjithë e dinë, se atë ua solli ai nga oxhaku, për tua ulur me dhunë në krye të sofrës së partisë dhe të pushtetit!

Pasi iu prek interesi personal, Sali Berisha nisi të “shqetësohej” për rregullat e brendshme të lojës në një parti që e ka drejtuar siç ai ka dashur vetë, për tri dekada me radhë. U kujtua për lejimin e fraksioneve, të cilat ai vetë i ka dëbuar me shqelma nga partia. Ai po kërkon sot rikthimin e të gjithë atyre që janë larguar nga PD, për shkak të filozofisë berishiste, me të cilën PD ka funksionuar deri dje.

Sali Berisha ka kundër në këtë luftë finale për mbijetesë politike brenda PD, jo vetëm SHBA e moshën, por edhe historinë, moralin dhe të vërtetën. Ai është idhtar i një opozitarizmi antisistem, larg rregullave të lojës së një demokracie normale e funksionale, e cila fillon dhe mbaron tek korniza e interesave të tij të ngushta personale dhe babëzia e pashuar për pushtet.

Lulzim Bashën e shpëton në gjithë këtë histori, vetëm të qenurit e kundërta e Sali Berishës. Tek pjesëmarrja në lojën e madhe brenda sistemit politik e demokratik të vendit, ku luhen interesat e shqiptarëve, qëndron sekreti i avantazhi të Lulzim Bashës. Kjo e bën jo vetëm fitues ndaj Sali Berishës, por më në fund edhe Kryetar real të PD, e lider “de facto” të opozitës!

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH