Globi

Sekretari amerikan i Mbrojtjes: Tanket amerikane Abrams, së shpejti në Ukrainë

Shkruar nga Liberale
Sekretari amerikan i Mbrojtjes: Tanket amerikane Abrams, së shpejti në

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin tha të martën se tanket ‘M1 Abrams’ që Pentagoni i ka premtuar Ukrainës do të mbërrijnë së shpejti në këtë vend. Ai njoftoi gjithashtu se përpjekjet për t’u mësuar pilotëve ukrainas se si të përdorin avionët F16 po zgjerohen, duke përfshirë edhe stërvitje në Shtetet e Bashkuara.

Zoti Austin i bëri komentet në Gjermani, në fillim të takimit të atij që njihet si Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, që udhëhiqet nga SHBA-të e në përbërje të së cilit janë 50 vende. Kreu i Pentagonit u kërkoi aleatëve të furnizojnë Ukrainën me sisteme të mbrojtjes ajrore tejet të nevojshme ndërsa Rusia godet infrastrukturën portuale të këtij vendi dhe objektet e magazinimit të grurit.

Zoti Austin tha se sulmet ruse përtej vijës së frontit, kanë shkaktuar vuajtje të mëdha njerëzore dhe po kërcënojnë sigurinë globale ushqimore.

Sekretari Austin tha se Grupi i Kontaktit, në përbërje të së cilit janë rreth 50 vende, do të përqendrohet jo vetëm në nevojat afatshkurtra për ushtrinë ukrainase, por edhe në ndihmën që ky vend “të ndërtojë një forcë luftarake të besueshme dhe të aftë për një kohë të gjatë”.

Shefi i Pentagonit përshëndeti gjithashtu ministrin e ri të Mbrotjes së Ukrainas Rustem Umerov, i cili në fillim të këtij muaji zëvendësoi në këtë detyrë Oleksii Reznikov-in.

Po sot zyrtarët ukrainas njoftuan për sulme ajrore ruse ndaj qytetit në perëndim të vendit, Lvivit. Si pasojë një person humbi jetën.

Kryetari i bashkisë së Lvivit, Andriy Sadovyi shkruante në rrjetin Telegram se ishin goditur tre magazina, që mbanin ndër të tjera ndihma humanitare.

Koordinatorja humanitare e OKB-së për Ukrainën Denise Brown dënoi sulmin rus, duke thënë se një nga magazinat i përkiste organizatës kryesore bamirëse të Vatikanit Caritas-it

Lvivi, një qytet pranë kufirit me Poloninë është një qendër kryesore për ndihmat perëndimore që hyjnë në Ukrainë. Qyteti ka qenë edhe më parë objektiv i sulmeve ruse.

Ushtria e Ukrainës tha se kishte arritur të shkatërronte 27 nga 30 dronë rusë që ishin lëshuar sipas saj në pjesën jugore, qendrore dhe perëndimore të Ukrainës.

Po kështu ushtria tha se kishte rrëzuar dhe një dron zbulues rus në pjesën lindore të vendit./VOA

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH