Aktualitet

Sa larg që është Danimarka!...

Shkruar nga Liberale

Kolana UET PRESS-15 vjet

Titulli: Sa larg që është Danimarka!...

Autor: Daut Gumeni

Kur lexon njeriu novelën “Odin Mondvalsen”, të Kasëm Trebeshinës, do kohë ta marrë veten e të kuptojë se gjendet vërtet në një cep të kësaj bote, apo në një ëndërr të frikshme. Dhe vetë nëntitulli që ka zgjedhur autori “Një histori dashurie”, duket sikur është bërë vetëm për të të dhënë zemër që ta shpiesh deri në fund atë histori të marrëzisë njerëzore. Sepse aty nuk vuan nga marrëzia një fatkeq i vetëm apo disa të tillë, por duket sikur është përhapur marrëzia në një popull të tërë dhe një vend i tërë është kthyer në çmendinë...

Të gjithë ata që e kanë përjetuar kohën “e lavdishme të partisë”, pavarësisht se në cilin kat të asaj çmendine kanë qenë, e ndiejnë veten më mirë po të kujtojnë atë fjalën e urtë zemërdhënëse: “Ia dha drurit, e dogji, ia dha gurit e plasi, ia dha njeriut, e duroi”...

“Një histori dashurie”, e Trebeshinës, është në të vërtetë një histori çmendurie. Është një nga historitë e shumta të atij kalvari, që hoqi gati gjysma e botës nën regjimet çnjerëzore të shekullit më të përgjakur në historinë e rodit njerëzor. Është një histori njerëzore. Është një histori e rëndë e një kohe dhe e një vendi të nëmur, ku të çmendurit e kriminelët e vërtetë janë të lirë e të nderuar në krye të punëve, kurse njerëzit e mbarë me mendje të shëndoshë mbahen të mbyllur në çmendina e të lidhur në burgje.

Më kujtohen fjalët e frikshme që tha dikur në radion “Zëri i Amerikës” një akademik rumun i arratisur nga vendi i tij në fillim të viteve ’60 : “Shumica e banorëve të vendeve të Europës Juglindore vuajnë nga sëmundjet nervore”.  Dhe kjo nuk mund të jetë “një histori dashurie”...

Nuk mund të bëhet fjalë për një histori dashurie në një vend ku i marri thotë të vërtetat që nuk guxon t’i thotë i mençuri. Nuk mund të bëhet fjalë për një histori dashurie në një kohë, kur nuk ngatërrohet vetëm numri i kapitujve të novelës së Trebeshinës, por është ngatërruar keq dhe koha vetë. Koha e paska humbur fare kuptimin që i japim ne qeniet njerëzore, qysh kur kemi mësuar ta ndajmë në njësi matëse për të shpëtuar më lehtë nga frika e saj dhe për ta vënë në shërbimin tonë si të gjitha gjërat, me të cilat merremi në jetën tonë të shkurtër, të shkurtuar ca më shumë nga frika e vdekjes.

Danezi i shkretë i Trebeshinës arrestohet “më 37 gusht” ngaqë kishte “zbritur në Mars”... E arrestuan qytetarin e mirë në një kohë e në një vend “këtu ku jam e ku më mirë të mos isha”... E prangosin qytetarin e gjorë në një vend  e në një kohë të marrë, kur edhe vetë planetet dhe yjet e paskan humbur drejtpeshimin dhe drejtimin normal të lëvizjes së tyre të njohur sipas ligjeve të harmonisë së universit. Vetë harmonia e universit paska ngrirë befas e sikur po merr një udhë tjetër. Nuk është për t’u habitur pastaj që dhe kjo historia jonë njerëzore paska ndalur pa e ditur as vetë, për t’u ndarë, tashmë, në dy etapa të panjohura më parë – “para dhe pas Lindjes së Qenit”...

Me sa duket, në vendin ku zhvillohet “Një histori dashurie”, e Trebeshinës, nuk është triskëtuar vetëm koha si te Marsel Emé, nuk janë ngatërruar vetëm ca kapituj të asaj historie të marrësh, por as planetet nuk i kanë shpëtuar dot marrëzisë që ka trullosur Tokën...

“Ata nuk besojnë se unë isha në Hënë dhe pastaj, pasi varrosa katër shokët e mi, erdha këtu në Mars dhe u bëra Odin Mondvalsen”... “Pastaj zbritëm në Hënë, ku mblodhëm kunguj, domate dhe qiqra” –janë përshëndetjet e para të një bote të krijuar me luftë e në një kohë kur e gjithë kjo bota jonë e vogël digjej nga lufta. Një luftë, ku edhe “danezi” i Trebeshinës mori pjesë për t’i kthjelluar ca punët e jo për t’i turbulluar më keq...

Kujt i shkonte ndër mend ato kohë lufte se “danezi” i Trebeshinës me shokë qenkeshin nisur “për në Mars” të gjenin gomarin e humbur të Harizit të Dajlanit?... “Pesë vetë për një gomar!... Dhe ishim që të pestë komisarë...” - thotë danezi i Trebeshinës me dhimbje për shokët që varrosi vetë në Hënë... Aq më pak mund t’i shkonte ndër mend njeriut të shkretë se paskej luftuar për të prurë në pushtet ata, që do ta prangosnin për ta shpënë në çmendinë... “Dhe ikën shumë të zemëruar. Kurse mua m’u dukën shumë të trashë dhe... Kishte shumë të ngjarë që të ishin dhe shumë të poshtër”...

Sepse dënimet e atyre njerëzve të sëmurë nga zemërimi qenë të tilla, “sa i gjalli i ka zili të vdekurit” ...Sepse në pushtetin e atyre njerëzve, që ushqehen me urrejtje për çdo qenie e për çdo gjë që tremb pushtetin, “është më mirë që të mos dimë të flasim” ...Sepse pushteti i tyre është në gjendje të vërtetojë se ke shkuar me gruan e Putifarit, edhe pse Putifari nuk ka grua... Ai biçim pushteti qenkej në gjendje të vërtetonte edhe se “ty nuk të quajnë ashtu si të quajnë”, sikurse janë në gjendje të kthejnë edhe ndihmësit e Partisë në “shkrimtarë të zyrtarshëm” të pajisur me çanta të qepura me lëkurë njeriu për të mbajtur me ngrohtë lëvdatat laparake ndaj pushtetit; janë në gjendje për të kthyer edhe ndihmësit besnikë të Partisë në “shkrimtarë të zyrtarshëm” që arrijnë të marrin jo vetëm çmimet e Kalifatit–Republikë Popullore e Socialiste njëherësh, por edhe ato më të lartat që ndahen për “shkrimtarët e zyrtarshëm” nga “gjysma më e mirë e botës”... ku lulëzon pushteti i të sëmurëve nga zemërimi e nga urrejtja për njeriun e lirë. Madje, ai biçim pushteti është në gjendje të kthejë dhe vetë spitalet në “magazinime për njerëz” ...Nën atë lloj pushteti “ata nuk e donin as çupën për nuse, se babai i saj nuk kishte bredhur as në ferra e as në driza gjatë luftës...”. Edhe për t’u martuar –thotë një nga personazhet e Trebeshinës – duhej që babai i djalit të kishte miq të fortë, “nga ata që kishin bredhur edhe murrizave”...

Sepse nën atë lloj pushteti të sëmurësh nga zemërimi me njeriun e lirë, edhe “fshatit nuk i kishte mbetur asnjë shije. Kishte vetëm fjalë të përsëritura”... “Bota ishte zvogëluar fare... nga dëshira për lavdi e atyre që ngërdheshjet e majmunëve i marrin për fillimet e qytetërimit të njerëzimit!”... Sepse atë lloj pushteti kriminal e mbanin më këmbë “disa horra, disa kaptera drizash dhe hendeqesh!”. Atë palo pushtet të shëmtimit njerëzor e mbanin më këmbë ca “njerëz që vrisnin gratë dhe kërkonin (të prangosnin) ata që shisnin qumësht”...

Atëherë, me të drejtë, pyet danezi i shkretë i Terbeshinës: “Si mund të ishim mirë kur njerëzit ishin tërbuar dhe lëshoheshin për të kafshuar çdo krijesë të pafajshme që gjenin përpara?...” Si mund të ishim mirë, do të pyeste cilido, kur shihje sesi rrihej për vdekje një njeri bujar, vetëm pse ca monedha floriri që pati gjetur në murin e rrëzuar të kuzhinës ua shpërndau të varfërve? Dhe këtë krim e bënin gjithë zell po ata “trima drizash e murrizash” – për të marrë hua gjuhën e bukur të Trebeshinës – që dikur premtuan “më të mëngjër e më të djathtë” se do ta bënin popullin fukara “të hante me lugë floriri”...

Si duket, çdo gjë është e mundshme në një vend e në një kohë, që Faraoni është bërë Sekretar i Parë dhe Sekretari i Parë është bërë Faraon. Në një vend e në një kohë kur dhe spitalet psikiatrike janë kthyer në burgje të hetuesisë speciale për të zbuluar “komplotet periodike” kundër “pushtetit popullor” dhe sidomos “planet e armikut për të helmuar udhëheqësin kryesor të Partisë, duke derdhur helme në banjo”... Por edhe për të mos e zgjeruar aq shumë rrezen e goditjes, sa dhe vetë tragjikja të kthehet në qesharake dhe njerëzit të shkojnë në burg duke qeshur me frikën e pushtetit.

Sepse periudha që përshkruan Trebeshina në novelën e tij “Një histori dashurie”, duket që është ende larg pastrimeve të mëdha të kryera nga diktatori për të hapur udhën e trashëgimtarit të tij më besnik. Kasaphana në emër të trashëgimisë së pushtetit, nuk kishte nisur ende. Diktatori mbahej mirë nga shëndeti dhe nuk ka ardhur koha të prishet me të gjithë të ngjashmit e vet. Ende nuk ka nisur të shkruajë vëllimet e tij me “I thashë e më tha...” dhe diabetin e përballon me dietë të fortë dhe me “unitetin e çeliktë të popullit rreth Partisë...”. Nuk ka nisur ende ndërtimi i 700.000 bunkerëve dhe diktatori paranojak nuk është ende aq i sigurt nëse duhet të vërë në zbatim paranojën e atij të marrit të njohur të kryeqytetit, që recitonte rrugëve listat e grupet armiqësore me emra të anëtarëve të Byrosë Politike... Gjëma për popullin e për danezin e mirë të Trebeshinës me shokë, ka kohë që rrënon vendin dhe turbullon kohën, por pushteti mbahet ende fort me aradhet e besnikëve me të shkuar të lavdishme murrizash e me etje të pashuar për dhunë. Ithtarët e dhunës mbajnë më këmbë idhujt e pushtetit dhe vendi duket që po gatitet të rrënojë dhe shtëpitë e Zotit për të krijuar një fe të re, një Zot të ri dhe një Parajsë në tokë, shumë më të bukur se ajo në qiell...

Ndoshta, këtë ndien Trebeshina kur shkruan “Një histori dashurie”. Ndien shkrimtari i shqetësuar se dhe dashuria do të pësojë fatin e fesë e të besimit te liria. Do të pësojë dhe dashuria fatin e besimit tek e Bukura e tek e Mira dhe prandaj tallet dhe me iluzionet e veta të dikurshme prej komisari. Trebeshina shkrimtar i halleve të rënda, tallet, tashmë, me Trebeshinën komisar të iluzioneve djaloshare dhe e sheh me hidhërim të madh e na e thotë shkoqur të gjithëve: “Oh! Sa larg që ishte Danimarka!“…

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH