Aktualitet

Sa empatikë janë shqiptarët, studentët e UET bëjnë eksperimentin

               Publikuar në : 10:25 - 12/06/19 E Liberale

Dy studentët e psikologjisë në UET, Abdelazim El-Waei dhe Roi Vogli, kanë zhvilluar së fundmi një eksperiment social, i cili kishte në fokus konceptin e empatisë te shqiptarët.

Eksperimentet sociale janë një praktikë efektive për hulumtimin e sjelljeve dhe reagimeve të njerëzve në ekspozimin e tyre në situata të ndryshme. Ndërsa zhvillimin e këtyre eksperimente në publik, jemi mësuar ta shohim shpesh në vendet perëndimore, nuk është e çuditshme që tashmë të tilla projekte t’i shohim edhe në Shqipëri, edhe përse shumë më rrallë. Dy studentë të degës Psikologji të Universitetit Europian të Tiranës, Abdelazim El-Waei dhe Roi Vogli, kanë zhvilluar së fundmi një eksperiment social, i cili kishte në fokus empatinë e shqiptarëve në raport me të panjohurit në rrugë. Ata kanë dalë në sheshin në qendër të Tiranës, me një pankartë në dorë, e cila shkruante: “Ndihem i vetmuar, më përqafo dhe fito 100 lekë”.

Ideja lindi për shkak të një detyre që duhej dorëzuar në lëndën “Hyrje në psikologji” ndaj dhe Abdelazimi mendoi që në bashkëpunim me Roin të krijonte një projekt ndryshe nga të tjerët, ku dijet teorike të testoheshin në praktikë. Tema që duhej trajtuar ishte empatia, një koncept që ka të bëjë me aftësinë e të kuptuarit të botës së brendshme të tjetrit, ndërgjegjësimit mbi përjetimet, përvojat dhe mendimet e tij.

“Kisha dëshirë që detyrën ta realizoja në një mënyrë më interesante nga e zakonshmja, ndaj mendova të zhvilloj këtë eksperiment social, i cili kishte për qëllim të kuptonte se sa empatikë janë shqiptarët me të panjohurit në rrugë. Sa mund ta kuptonin ata që isha i vetmuar, sa mund ta kuptonin ata dhembjen time, ishin të gatshëm të më përqafonin, sepse e ndienin se në këtë mënyrë do të më ndihmonin, apo ishin të tërhequr më tepër nga shpërblimi monetar i përmendur në pankartë, këto ishin disa prej dilemave tona, të cilat morën një përgjigje”, tregon Abdelazimi.

Roi është gjithashtu në vitin e dytë të studimeve dhe idenë e kolegut të tij e përkrahu sapo e dëgjoi, për shkak se e cilëson si një mundësi shumë të mirë për të kuptuar se çfarë realisht mendojnë dhe ndiejnë njerëzit në të tilla situata.

“Edhe për shkak të karakterit të degës që kemi zgjedhur të studiojmë, përpiqemi që tematikat që trajtojmë teorikisht gjatë orës së mësimit t’i testojmë në një farë mënyre në praktikë. Kështu që ideja e një eksperimenti social m’u duk mjaft e mirë dhe isha i bindjes se do të mund të përfitonim prej realizimit të tij”, thotë Roi.


Rezultatet e eksperimentit në përgjithësi treguan një qëndrim pozitiv të shqiptarëve përkundrejt pankartës që mbanin djemtë, duke u treguar të gatshëm për t’u dhënë atyre përqafimin e kërkuar, pa marrë në konsideratë shpërblimin monetar. Ndonëse një pjesë e kalimtarëve kishte hezitime fillimisht, apo dyshime mbi atë çfarë po ndodhte, në përgjithësi të gjithë ata që pranuan të dhuronin një përqafim, e bënë këtë duke e konsideruar si një mënyrë për t’iu gjendur pranë tjetrit.

Abdelazimi, ndërkohë, ka një kanal në “YouTube”, në të cilin gjenden video të realizua prej tij mbi tematika të ndryshme që lidhen me psikologjinë, duke filluar nga shpjegimi i koncepteve të ndryshme që kanë të bëjnë me çrregullimet e ndryshme te këshillat për të përballuar stresin, gjithnjë në këndvështrimin e një studenti të pasionuar pas profesionit që ka zgjedhur për të ardhmen e tij. Ai është student në vitin e dytë, megjithatë kjo nuk është takimi i tij i parë me UET, për shkak se studimet e tij për psikologji kanë nisur pas përfundimit të ciklit Bachelor për degën Informatikë-Ekonomike.
“Fillimisht kam realizuar në UET tri vite studimet për degën Informatikë-Ekonomike. Kjo nuk ishte një zgjedhje nisur nga pasioni, më tepër nga shtysa e prindërve, por në përfundim të ciklit Bachelor vendosa të ndjek pasionin tim të vërtetë, psikologjinë. Mamaja ime është në profesion psikologe dhe gjatë kohës së studimeve të saj, unë e ndihmoja me projektet që ajo trajtonte konkretisht në detyrat e saj, fëmijët me sindromën down, ata me autizëm, me anoreksi etj. Në atë kohë, meqenëse merresha me montazhin e videove të projekteve, u bëra kureshtar të lexoja më tepër mbi ato që dëgjoja dhe filloi të më pëlqente psikologjia dhe vendosa që përfundimisht karriera ime të fokusohej në këtë fushë”, tregon Abdelazimi.
Ndërkohë që Roi e sheh të ardhmen e tij në fushën e psikologjisë ligjore.

“Për sa i përket asaj që parashikoj për veten në të ardhmen, është pozicionimi te psikologjia ligjore me drejtim ekspertizën ligjore, ku puna fokusohet në gjykata apo institucionet e vuajtjes së dënimit.”
Krahas këtij eksperimenti, i cili rezultoi mjaft frytdhënës, dy të rinjtë kanë ndër mend që së shpejti të zhvillojnë edhe të tjera, me fokus në elementë të tjerë që lidhen me lëndën “Hyrje në psikologji”./ Gazeta Liberale

(Visited 13 times, 1 visits today)

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *