Aktualitet

Sa do të shkojë nesër? Euro zbret sot minimumin historik, këmbehet me 104 lekë

Shkruar nga Liberale
Sa do të shkojë nesër? Euro zbret sot minimumin historik,

Në treg në mesditë euro zbriti deri në 104 lekë, sipas burimeve nga tregu.

Euro ka vijuar që të humbë pikë me ritme të shpejta në raport me lekun, duke tejkaluar të gjitha parashikimet.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 104.85 lekë, duke u nënçmuar me 0.86 lekë në raport me ditën e mëparshme. Kjo është dhe rënia më e madhe ditore e këtij viti dhe më e forta që nga 28 dhjetori 2022.

Në këto nivele, euro ka shënuar një tjetër minimum historik në raportet e këmbimit me lekun, që kur ajo filloi të zbatohej si monedhë zyrtare në janar të vitit 2002.

Në krahasim me fillimin e vitit euro ka rënë me 9.69 lekë, ose 8.4%, ndërsa në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur monedha e përbashkët tregtohej me 119.12 lekë këmbehet me 14.35 lekë më pak (zhvlerësim 12%).

Aktorët e mëdhenj të tregut thanë se kjo tendencë është e lidhur me ofertën e lartë në treg. Sipas tyre, tregu është “mbytur” në euro dhe tregtuesit nuk kanë ku shesin, ndërkohë që nuk blejnë.

Shtimi i numrit të turistëve ka ndikuar në rritjen e ofertës për valutë. Në maj, sipas INSTAT në vend hynë rreth 17%  shtetas të huaj më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, ndërsa për 5 mujorin janë 42.5% hyrje më shumë.  Gjithsesi, në maj, kur filloi dhe rënia e fortë e euros, ritmet e rritjes së të huajve ishin më të ulëtat në raport me muajt e mëparshëm.

Një tjetër burim i qëndrueshëm i valutës janë hyrjet informale, që kanalizohen kryesisht në tregun e pasurive të paluajtshme. INSTAT bëri të ditur se në tremujorin e parë ekonomia u rrit me 2.76%, ndërsa  “Aktivitete të pasurive të paluajtshme” ndikuan me +0,62 pikë përqindje, dhe “Ndërtimi” me 0.42 pikë përqindje, duke ndikuar të dyja në 38% të rritjes totale të ekonomisë.

Krahas euros, të gjitha valutat e tjera kanë shënuar rënie të fortë, duke treguar se luhatjet lidhen me faktorët e brendshëm të ofertës së lartë për valutë, çka bën që monedhat e huaja të tërheqin njëra-tjetrën për poshtë. Dollari ra me 0.95 lekë, në 96.18 lekë. Paundi u nënçmua me 0.90 lekë, në 122 lekë, franga zvicerane me 0.42 lekë, në 107.49 lekë.

Parashikimet janë se të paktën deri në vjeshtë, Euro do të zhvlerësohet aq sa rrezikon të barazohet me lekun, ose të paktën do të mbetet në nivelin aktual.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH