Kryesore

Sa afër dhe larg rrezikut?

               Publikuar në : 08:59 - 10/01/20 liberale

Në konfliktin mes dy fuqive bërthamore, Shqipëria duket e papërfillshme për shënjestrën e Iranit, megjithë kërcënimet e Ayatollah Khamenei-t për vendin europian djallëzor.

Për kryeministrin Rama çdo sulm ndaj Shqipërisë është sulm ndaj NATO-s, ndërsa vetë muxhahedinët e strehuar në Manzë nuk shohin arsye që deklaratat e liderit iranian të merren seriozisht dhe se vendi ynë nuk është rast i jashtëzakonshëm dhe as i veçantë në këtë çështje.

Çdo sulm mbi vendin tonë, është sulm mbi NATO-n do të shprehej dje kryeministri shqiptar pas marrjes së presidencës së OSBE, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp që organizoi me sekretarin e përgjithshëm Gremminger.

Ashtu siç kishte  bërë edhe një ditë më herët nga Vjena, se Shqipëria nuk prekej drejtpërdrejt nga konflikti edhe dje Rama u përpoq të siguronte shqiptarët e shqetësuar prej deklaratave të liderit iranian Ali Khamenei mbi atë që e cilësoi si vend djallëzor europian, që bashkëpunon me armiqtë e Republikës Islamike.

Kreu i qeverisë tha dje se strehimi i tre mijë muxhahedinëve ishte një risk i ndërmarrë nga ana e Shqipërisë, por sipas tij i marrë në mënyrë bipartizane. “Në këtë drejtim politika shqiptare ka bërë këtë hap me një bindje të unifikuar në funksion të një aleance strategjike të padiskutueshme me SHBA”, do të shprehej kryeministri, i cili edhe më 8 janar tha se aleanca me Shtetet e  Bashkuara të Amerikës është e panegociueshme. Qëndrim që e mbajtën si presidenti Meta, ashtu edhe lideri i opozitës Basha.

“Dua të nënvizoj se ne jemi anëtare të NATO-s dhe çdo sulm mbi vendin tonë është sulm mbi NATO-n. Pra kush e ka menduar përfshirjen në NATO si një moment celebrimi, ne jemi vend i saj dhe ne kemi detyrime në NATO. Jemi në një botë ku përballemi me rreziqe dhe armiq të demokracisë dhe jemi shumë krenarë që jemi të dobishëm në mbështetje të një aleance që lufton për një botë më të mirë”, do të shprehej kryeministri ndërsa mori zyrtarisht presidencën e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë.

Kryeministri Rama nuk sheh arsye objektive që Shqipëria të jetë e ekspozuar në mënyrë të veçantë, megjithë deklaratat kërcënuese të Khamenei-t, që i referohet strehimit të tre mijë  anëtarëve të opozitës iraniane, të shpallur si terroristë nga regjimi teokratik i Teheranit.

Ndërsa Irani iu kundërpërgjigj menjëherë sulmit amerikan ku mbeti i vrarë gjenerali i forcave speciale “Al Quds”, Qassem Soleiman, duke bombarduar dy baza ushtarake të ShBA në Irak, deklaratat e Khamenei-t ndaj Shqipërisë, së cilës nuk iu referua në emër, duke më shumë të rrafshit politik edhe pse erdhën fill pas vrasjes së gjeneralit. Megjithëse strehimi  i  muxhahedinëve MEK, por edhe me dëbimin e ambasadorit të Iranit nga Tirana, mund të duken dy episode për  t’iu druajtur kërcënimit të Iranit, aktualisht fokusi i konfliktit është tek ShBA, ndërsa në hartën gjeopolitike Shqipëria megjithëse partner dhe anëtar në aleancën e Euro-Atlantikut është fare e vogël dhe Amerika me bazat dhe forcat e saj ushtarake është në rajon.

Megjithëse strehimi i 3 mijë muxhahedinëve MEK, për të cilin Rama do të thoshte se është mision humanitar, mund të duket një shifër e konsiderueshme për kapacitetet e vendit ai mbetet i vogël për shifrën e përgjithshme të anëtarëve të opozitës iraniane, që përllogaritet tek 120 anëtarë dhe përkrahës,  të zotuar për të rrëzuar regjimin e Al Khamenei-t.

Për më tepër, kryeministri do të thoshte dy ditë më parë që ShBA është shumë e angazhuar në sigurinë e Shqipërisë.  Amerika gjithashtu ka marrë në mbrojtje sigurinë e muxhahedinë që prej vitit 2003.

Edhe ambasadori i ShBA-së në OSBE  James Gilmore ka folur  dje rreth konfliktit  me Iranin dhe kërcënimin që udhëheqësi suprem Ali Khamenei bëri ndaj Shqipërisë duke e quajtur një “vend djallëzor”. Gilmore do të siguronte se  Uashingtoni mbetet i angazhuar për paqe dhe se Shqipëria dhe populli shqiptar janë të sigurt dhe se këto kërcënime janë të pakuptimta.

“SHBA nuk po kërkon asnjë lloj lufte me Iranin. Shtetet e Bashkuara morën masa, sepse ishin nën sulm. Bazat tona janë sulmuar edhe më parë. Shqipëria është një vend mik i SHBA-ve. Kemi besim se populli i Shqipërisë do të jetë i sigurt”, do të thoshte Gilmore, ndërsa edhe reagimet e presidentit Trump u komentuan si më të zbutura, ndërsa u shpreh se Amerika nuk kishte në plan të përdorte ushtrinë e saj.

Gjenerali  amerikan Michael D Barbero, gjatë një takimi  me deputetë dhe ish-deputetë shqiptarë, do të kishte në fokus të diskutimeve tensionin mes dy vendeve ndërsa e cilësoi vrasjen e gjeneralit Soleiman si ngjarjen më të rëndësishme pas vrasjes së Osama Bin LAden dhe të liderit të ISIS, Al Baghdad. Edhe presidenti Trump e përmendi dy ditë më parë vrasjen e Al Baghdad, duke shtuar se ISIS ishte armik i përbashkët i ShBA-së dhe Iranit.

Sipas një anëtari të opozitës iraniani, i strehuar në kampin “Ashraf 3” në Manzë, kërcënimet e Ayatollah Al Khamenei-t nuk janë për t’u marrë shumë seriozisht.

“Si gjithmonë, asgjë e re s’ka ndodhur. Ne kemi qenë nën kërcënim, dhe sigurisht ne jemi shumë aktivë në sigurinë tonë, dhe siguria është shumë e besueshme. Prandaj, mendoj se nuk është një kërcënim i ri dhe për t’u marrë seriozisht kundër nesh apo kundër Shqipërisë”, do të shprehej muxhahedini Shahriar Kia, duke shtuar se Shqipëria nuk është një rast i jashtëzakonshëm, por as një  i veçantë në këtë pikë.

Për këshilltarin ligjor të  MEK Bahzat Saffari, muxhahedinët janë të rrezikut ndaj sulmeve të regjimit të Iranit, që sipas tij ndiqen për t’u sulmuar dhe vrarë me bomba. Vitin e kaluar në Shqipëri u arrestuan tre shtetas iranianë, që u dyshuan të ishin agjentë të forcave “Al Quds”.

“Anëtarët e muxhahedinëve ndodhen edhe në shtetet e tjera europiane. Mënyra e vetme për të pasur siguri në Shqipëri është duke treguar vendosmëri kundra regjimit iranian, siç ka bërë Shqipëria deri më tani”, është shprehur Saffari, ndërsa ka përshëndetur dëbimin e ambasadorit iranian, që sipas tij ishte pjesë e terrorizmit.

Për muxhahedinët gjuha e vendosmërisë dhe një reagim i fortë kundrejt regjimit iranian nga ShBA e  bën botën dhe veçanërisht  Lindjen e Mesme më të sigurt.

Nëse Shqipëria si vend i vogël nuk shihet potencialisht nën shënjestrën e Iranit, në konfliktin e tij me ShBA, rreziku për sulme terroriste -ndërsa vitin e kaluar mund të jetë parandaluar një i tillë në Tiranë nga tre iranianët që hynë në territorin shqiptar si gazetarë dhe regjisorë -, nuk mund të përjashtohet. Por organizata terroriste të Lindjes së Mesme kanë zgjedhur shtete të mëdha e të fuqishme si shënjestra të sulmeve terroriste, siç ka ndodhur me Francën.

Kryeministri Rama fliste dje pas marrjes së presidencës së OSBE, si kryeministri i vendit europian që u përcaktua si djallëzor  nga autoriteti më i lartë i regjimit totalitar të Iranit, por siç thonë edhe vetë muxhahedinët fjalët e Al Khamenei-t nuk duhen marrë aq seriozisht dhe Shqipëria nuk është rast i jashtëzakonshëm.

Shahriar Kia, muxhahedini që jeton në Shqipëri: Deklaratat e Khameneit nuk duhen marrë seriozisht

 Shahriar Kia është një nga muxhahedinët që jetojnë në Shqipëri. Si ai, në vendin tonë jetojnë edhe shumë të tjerë, pas një marrëveshjeje mes qeverisë shqiptare dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Ka më shumë se 2500 muxhahedinë që po jetojnë këtu në kampin Ashraf dhe nëpër Shqipëri”,  thotë z. Shahriar Kia. Pjesëtarët e opozitës iraniane, ose siç njihen ndryshe

muxhahedinët, e shohin vrasjen e gjeneralit Qassem Soleimani si një veprim që do të kontribuojë për paqen jo vetëm në rajon, por edhe në gjithë botën.“Si fillim, Kasem Suleimani ishte komandanti i forcave terroriste Quds. Ai ishte numri dy në Iran dhe po ndiqte politika terroriste dhe ndërhyrje në shtetet e tjera për këtë regjim. Ai kreu shumë krime, jo vetëm kundër popullit Iranian dhe muxhahedinëve, por edhe kundër popujve të Sirisë, Irakut, Libanit, Jemenit. Gjithë Lindja e Mesme ka vuajtur shumë nga krimet që ai ka kryer. Vetëm muxhahedinët në kampin Ashraf dhe Liberty në Irak janë sulmuar më shumë se 24 herë nga forcat Quds. Rreth 147 nga

njerëzit tanë janë vrarë nga forcat e Qassem Soleimanit, dhe më shumë se 1000 persona kanë pësuar lëndime të rënda. Fakt është se ai ishte çelësi pas këtij terrorizmi dhe destabiliteti në

rajon. Prandaj, mendoj se ekzekutimi i këtij njeriu nga qeveria amerikane është në përfitim në paqes dhe sigurisë, jo vetëm për rajonin, por për të gjithë botën. Mendoj se kjo ishte një disfatë dhe goditje shumë e fuqishme kundër regjimit Iranian, sepse humbi një njeri shumë të fuqishëm

në aktivitetet dhe operacionet e terrorizmit. Vrasja e Soleimanit do ta bëjë regjimin iranian më të dobët dhe do t’i limitojë operacionet terroriste jashtë Iranit. Pra, mendoj se është në përtim të paqes dhe sigurisë për njerëzit në Iran dhe nëpër botë”, thotë z. Shahriar Kia. Pas vrasjes së Sulejmanit, ajatollahu Ali Khamenei premtoi hakmarrje. Por a i kanë parë këto deklarata si kërcënim muxhahedinët që strehohen në kampin e Manzës? “Ne ndihemi të sigurt, sepse ne jemi alternativa kryesore dhe opozita e regjimit Iranian, që është një regjim djallëzor. Ne kemi qenë gjithnjë nën kërcënim jo vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjitha shtetet nëpër botë, përfshirë brenda Iranit. Deri më sot mund të numërohen më shumë se 120 mijë përkrahës dhe anëtarë të MEK, anëtarë të opozitës në Iran të cilët janë ekzekutuar nga ky regjim. Është diçka me të cilën jemi përfshirë prej dekadash, pra ne jemi një armik i regjimit atje, dhe kemi gjithnjë të njëjtat kërcënime”, – shton ai. Shahriar Kia mendon se Shqipëria nuk ka përse të ndihet e rrezikuar nga deklaratat e Khameneit, dhe se ato nuk duhen marrë seriozisht. “Si gjithmonë, asgjë e re s’ka ndodhur. Ne kemi qenë nën kërcënim dhe sigurisht ne jemi shumë aktivë në sigurinë tonë, dhe siguria është shumë e besueshme. Prandaj, mendoj se nuk është një kërcënim i ri dhe për t’u marrë seriozisht kundër nesh apo kundër Shqipërisë. Shqipëria nuk është një rast i jashtëzakonshëm, por nuk është as një rast i veçantë në këtë pikë”, thotë z. Kia.

Gjenerali amerikan në Tiranë: Vrasja e Suleiman, më e rëndësishme se ajo e Bin Laden

 Gjenerali Michael D Barbero zhvilloi këtë paradite një takim me deputetë dhe ish-deputetë shqiptare, ku në fokus të diskutimit ishte tensioni mes Iranit dhe SHBA, pas vrasjes së gjeneralit iranian, Qassem Suleiman, nga trupat amerikane. Gjenerali vlerësoi veprimet e Presidentit Donald Trump, duke e cilësuar vrasjen e iranianit si ngjarjen më të rëndësishme, pas vrasjes së Osama Bin Laden dhe liderit të ISIS, Al Bagdad. Sipas tij, gjenerali iranian ishte një kriminel ndërkombëtar, që drejtonte sulmet dhe luftën në Lindjen e Mesme.

“Kam qenë 4 vjet në Irak, deri më 2011 isha si oficer i gjeneral Petreas, dhe më pas u riktheva si komandant i NATO-s për të punuar me forcat ushtarake të Irakut. Jam mirënjohës për atë që Qassem Suleimani ka bërë. Sulmi për të vrarë atë ishte mjaft i rëndësishëm, mendoj se ishte më i rëndësishëm se vrasja e Osama Bin Laden, apo AL Bagdad. Ai ishte personi i dytë më i fuqishëm në Iran dhe arkitekti i çdo lloj paqëndrueshmërie atje.

Nuk do të kishte luftë atje, nëse ai nuk do të ofronte ndihmën e tij apo nuk do të jepte urdhra. Ai ishte një terrorist, drejtonte të gjitha sulmet. Kemi pasur shumë sulme prej tij, ndaj kundërveproi Trump. Edhe ne do të kishim bërë të njëjtën gjë, po ta kishim mundësinë. Suleiman ishte një kriminel ndërkombëtar, ka shkaktuar vdekjen e shumë personave të pafajshëm për 15 vitet e fundit. Për këtë arsye, ishin veprimet e duhura dhe ne do t’i përballojmë vetë pasojat. Ai është kryesori i luftës që po ndodh. Ai ka çuar rreth 18 raketa në bazat tona në Irak, por fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar. Në Iran do të ketë disa shënjestra të tjera amerikane, apo në vendet tona aleate. Amerika duhet të vazhdojë këtë politikë dhe të rrisë presionin në këtë rajon. Ka ardhur momenti që partnerët aleatë duhet të qëndrojnë të fortë dhe të mos kërkojnë falje për vrasjen e Soleimanit, ky është momenti që ato të thonë nëse janë pro apo kundër terrorizmit. /Gazeta Liberale

Tags: , , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back