Aktualitet

Rustem Gjata: Dhe Gjykatë Kushtetuese, dhe diktaturë s’mund të ketë

               Publikuar në : 09:46 - 16/05/19 Liberale

Klubi i Drejtësisë “John Locke” në Universitetin Europian të Tiranës ka mbajtur takimin e radhës, ku ka qenë i ftuar ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, z. Rustem Gjata, i cili ka folur mbi një sërë tematikash që kanë të bëjnë me sistemin gjyqësor në Shqipëri dhe në veçanti me Gjykatën Kushtetuese.

Klubi i drejtësisë “John Locke”, i cili mblidhet në mënyrë periodike për të diskutuar mbi tematika të ndryshme që kanë të bëjnë me çështjet e drejtësisë në vend, këtë herë kishte të ftuar për një bashkëbisedim me studentët, ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, z. Rustem Gjata, nën moderimin e Dekanes së Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Prof. Asoc. Dr. Endira Bushati.

Pas viteve ’90, në vendin tonë ndodhën shumë ndryshime me karakter demokratik, të cilat shënuan një kthesë rrënjësore në historinë e shtetit shqiptar dhe të institucioneve të tij. Të drejtat e njeriut morën vëmendjen e duhur dhe krijimi i shtetit të së drejtës u kthye në prioritet. Në kuadër të këtyre ndryshimeve u krijua edhe Gjykata Kushtetuese, si një nga institucionet më të rëndësishme për garantimin e rendit të ri kushtetues që po instalohej në Shqipëri. Që në fillim ky institucion u konsiderua nga ligjvënësi si autoriteti më i lartë që garanton respektimin e Kushtetutës dhe bën interpretimin përfundimtar të saj. Në vitin 1992, vitin e themelimit, kryetar i Gjykatës Kushtetuese u zgjodh Rustem Gjata për një periudhë trevjeçare, mandat i cili u përsërit në vitin 1995 dhe tetë anëtarët e tjerë ishin: Manol Konomi, Feti Gjilani, Hilmi Dakli, Franc Jakova, Veli Budo, Thimio Kondi, Natasha Sheshi, Ylvi Myrtja.


Z. Gjata u ka treguar studentëve se krijimi i kësaj gjykate është shoqëruar me diskutime të shumta, si dhe një farë rezistence, për shkak se në atë kohë ekzistonte gjithashtu një ide për të krijuar një Gjykatë Supreme, ku ishte i inkorporuar kontrolli i kushtetutshmërisë së ligjeve bashkë me Gjykatën e Lartë.
“Unë kam insistuar për krijimin e një Gjykate Kushtetuese, nisur edhe prej kërkesës së Këshillit të Europës, që e cilësonte krijimin e një gjykate të tillë si një domosdoshmëri për rendin e ri demokratik që po ndërtohej në atë kohë”, ka thënë ai.

Gjatë bashkëbisedimit, krahas historisë së krijimit të Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri, z. Gjata gjithashtu ka ndarë me studentët edhe historinë e themelimit Gjykatës së Parë Kushtetuese në botë, atë të Austrisë, të krijuar nga Hans Kelsen.

Ai u ka shpjeguar studentëve se si funksionon kjo Gjykatë Kushtetuese, rolin dhe kompetencat e saj dhe ndërkohë ka bërë një pasqyrim kronologjik të ecurisë dhe punës që prej themelimit, duke vënë në dukje vlerësimet që ka dhënë Gjykata e Kushtetuese Austriake për gjykatën e vendit tonë.
“Gjykata Kushtetuese shqiptare është vlerësuar si gjykata më e mirë e lindjes në atë kohë”, ka thënë z. Gjata.

Gjykata Kushtetuese përbëhej nga 9 anëtarë dhe kryetari zgjidhej me votim të fshehtë nga vetë gjyqtarët. Ligji i mësipërm përcaktonte edhe statusin e gjyqtarëve kushtetues, kompetencat e atributet, subjektet që e vinin në lëvizje dhe fuqinë detyruese të vendimeve të saj. Përgjatë viteve anëtarët kanë ndryshuar. Aktualisht sot, Shqipëria gjendet në një situatë ku Gjykata Kushtetuese nuk funksionon. Ajo ka mbetur me vetëm një anëtar, nga nëntë që duhet të ketë. Z. Rustem Gjata, në bashkëbisedimin e realizuar me studentët, ka vënë theksin te rëndësia e Gjykatës Kushtetuese.

“Gjykatë Kushtetuese dhe diktaturë nuk mund të ketë njëkohësisht”, është shprehur ai duke nënvijëzuar faktin që ekzistenca e kësaj gjykate shërben si një garanci për demokracinë.


Z. Gjata gjithashtu foli për pasojat juridike, ekonomike dhe politike të mungesës së Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë në vend. Ai ka ndarë me studentët eksperiencën e tij përgjatë viteve, si është bërë pjesë e botës së drejtësisë, cilat kanë qenë vështirësitë që ai ka hasur në vitet e gjata të karrierës, duke veçuar ato të hasura përgjatë periudhës së regjimit komunist. Studentët kanë qenë mjaft kuriozë në lidhje me eksperiencën e tij dhe e kanë pyetur mbi një sërë çështjesh, për të cilat z. Gjata ka qenë mjaft i hapur në kthimin e përgjigjeve, duke ndarë me ta edhe shembuj konkretë vendimesh apo rastesh gjyqësore. / Gazeta Liberale

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *