Globi

Rusia përpiqet të përjashtojë flamurin e Kosovës nga OKB

Shkruar nga Liberale
Rusia përpiqet të përjashtojë flamurin e Kosovës nga

Rusia u përpoq të martën të ndalonte një përfaqësues të Kosovës që të fliste në Këshillin e Sigurisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara me flamurin e shtetit të Kosovës nga pas, duke thënë se shumica e vendeve anëtare të këshillit nuk e njohin pavarësinë e saj nga Serbia.

Associated Press raporton se kërkesa u shtrua nga zëvendësambasadori rus në OKB, Dmitry Polyansky, duke bërë që takimi i programuar ku do të diskutohej për Kosovën të shtyhej me 45 minuta, ndërsa 15 anëtarët e këshillit diskutuan çështjen privatisht.

Polyansky tha se “8 nga 15 vendet anëtarë të Këshillit të Sigurisë nuk e njohin Kosovën si shtet”, dhe për këtë arsye, flamuri nuk duhet të qëndronte pas shpinës së ministres së Jashtme, Donika Gervalla. Por ai tha se Rusia nuk kishte kundërshtime për praninë dhe fjalimin e saj aty.

Përfaqësuesi ligjor i Mbretërisë së Bashkuar, Chanaka Wickremasinghe, tha se këto nuk ishin takime formale dhe se flamuri i Kosovës ishte shfaqur në takimin e mëparshëm.

Pas ndërprerjes së mbledhjeve ballë-për-ballë, për shkak të pandemisë së koronavirusit, Rusia këmbënguli që të gjitha takimet virtuale të konsideroheshin jo formale.

Kur takimi më në fund rifilloi, ambasadori i Vietnamit në OKB, Dang Dinh Quy, tha se flamujt në takimet virtuale nuk duhet të jenë shkas për ndërprerje dhe flamuri duhet të qëndronte aty.

Deri në shtatorin e vitit të kaluar, 98 nga 193 vende anëtare të OKB e kanë njohur Kosovën si shtet. Rusia, Kina, por edhe disa vende të Bashkimit Europian, nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH