Aktualitet

Rusia nuk do lejojë të flitet për homoseksualitetin

Shkruar nga Liberale
Rusia nuk do lejojë të flitet për homoseksualitetin

Rusia është shumë afër miratimit të një ligji që do t’i ndalojë të gjithë njerëzit të flasin për homoseksualitetin dhe shumë çështje të tjera që lidhen me komunitetin LGBT+.

Kufijtë e temave të ndaluara nga ligji i ri janë shumë të gjëra dhe të paqarta, duke përfshirë shpërndarjen e informacionit mbi ato që quhen “mënyra jo tradicionale të jetesës” apo “refuzimi i vlerave familjare”.

Referuar disa shoqatave LGBT+ çdo përmendje në publik e ekzistencës së çifteve të të njëjtit seks, mund të ndiqet penalisht sipas ligjit. Dënimet variojnë nga 50 mijë deri në 400 mijë rubla dhe në rastin e shtetasve të huaj mund të shkohet deri tek dëbimi nga Rusia.

Një nga pikat e ligjit është ndalimi i të folurit për tema që mund të “ngjallin tek të miturit dëshirën për të ndryshuar seksin”, si dhe propagandimin e “pedofilisë”, gjithashtu qeveria ruse përfshin në këtë përkufizim edhe të qenit homoseksual.

Sipas këtij ligji, çdo diskutim për komunitetin LGBT+ mund të mbyllet në internet dhe filmat që thjesht flasin për homoseksualitetin mund të censurohen. Ndalimet mund të prekin shumë fusha të jetës së përditshme dhe të kulturës nga reklamat te librat, aq sa botuesit kanë frikë se mund të ketë efekte edhe në disa klasikë të letërsisë ruse dhe në shumë romane të tjera në përgjithësi.

Miratimi i këtij ligji do të kërkonte kalimin e tij nga Këshilli i Federatës që është edhe dhoma më e lartë e parlamentit rus dhe më pas do të ratifikohet nga Presidenti, Vladimir Putin. Mediat shkruajnë se nuk ekziston asnjë arsye që ky ligj të bllokohet, pasi Putin ka kundërshtuar homoseksualitetin në mënyra të ndryshme dhe gjithashtu në drejtimin e tij u miratua edhe ligji i vitit 2013.

Ligji i asaj kohe nënvizonte se “mbronte fëmijët nga informacioni që promovon refuzimin e vlerave tradicionale të familjes”.

Disa politikanë rusë kanë sqaruar se miratimi i ligjit të ri është zvarritur për shkak të luftës në Ukrainë, duke argumentuar se ky veprim është pjesë e filozofisë qeverisëse për të mbrojtur vlerat shoqërore ndaj fluksit të ideve liberale perëndimore. Alexander Khinshtein, kreu i komisionit të informacionit të parlamentit rus, deputet i partisë së Putinit, “Rusia e Bashkuar”, deklaroi se ushtarët rusë në Ukrainë po luftojnë për të mbrojtur vlerat tradicionale të krishtera.

Në parlament, ai publikoi pamjet e dy filmave për fëmijë të prodhuar në perëndim, të tillë si “South Park” dhe “Peppa Pig”, sidomos në filmin e fundit, ka një episod ku njëri nga personazhet tregon se kishte dy nëna. Bazuar në këto pamje, Khinshtein, argumentoi se një luftë po zhvillohet kundër shoqërisë ruse dhe se lufta në Ukrainë nuk po zhvillohet vetëm në fushën e betejës, por edhe “në mendjet dhe shpirtrat e njerëzve”./Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH