Globi

Rusia miraton projektligjin që ndalon ndryshimin e gjinisë

Shkruar nga Liberale
Rusia miraton projektligjin që ndalon ndryshimin e gjinisë

Duma e Shtetit të Rusisë miratoi një projektligj që ndalon operacionet “që synojnë ndryshimin e seksit të një personi” dhe ndryshimin e gjinisë në dokumentet zyrtare dhe të dhënat publike.

Në këtë projektligj bëhet përjashtim për rastet që lidhen me trajtimin e “anomalive kongjenitale fiziologjike të formimit të seksit tek fëmijët”, por operacione të tilla mund të kryhen vetëm me vendim të komisionit mjekësor dhe në klinika publike.

Projektligji gjithashtu ua ndalon transgjinorëve të adoptojnë fëmijë ose të marrin kujdestarinë e të miturve.

Versioni i ashpërsuar i këtij projektligji u miratua njëzëri në leximin e tretë dhe të fundit në dhomën e ulët të parlamentit të Rusisë, Duma e Shtetit. Kremlini ka deklaruar se ku projektligj mbron “vlerat tradicionale” të vendit.

Në leximin e dytë të këtij projektligji një ditë më parë, u shtuan klauzola që anulojnë martesat në të cilat një person ka “ndryshuar gjini” dhe klauzola që ua ndalojnë transgjinorëve të bëhen prindër birësues.

Projektligji duhet të miratohet nga Këshilli i Federatës, i kontrolluar nga Kremlini i Rusisë, që vulos legjislacionin që Duma ka miratuar, para se të nënshkruhet në ligj nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Ky projektligj ka tronditur komunitetin transgjinor të vendit dhe ka tërhequr kritika jo vetëm nga mbrojtësit e të drejtave LGBTI+ (homoseksual, lesbike, biseksual, transgjinor dhe ndërgjinor), por edhe nga personeli mjekësor./REL

Artikulli i plotë këtu.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH