Analizë

RUSIA DHE KLASAT DREJTUESE

Shkruar nga Liberale
RUSIA DHE KLASAT DREJTUESE

Nga: ANGELO PANEBIANCO

Çështje tonat? Sipas hulumtimeve shumë bashkatdhetarë mendojnë se nuk duhej të ndihmonim Ukrainën të mbrohej nga agresioni rus.

Tërësia e italianëve që mendojnë kështu mund të paraqitet si një tortë me dy shtresa. Është shtresa e sipërme, më e holla, e përbërë nga të politizuarit: paqësorë pak a shumë të shtirë, putinianë të shkallëve të ndryshme, gjithsesi të gjithë kundëramerikanë.

Është pastaj shtresa e poshtëme, shumë më e gjërë, e përbërë nga ata që mendojnë se pjesëmarrja e jonë në mundimin perëndimor, i dëmton ata në mënyrë vetiake: faturat që rriten, inflaksioni.

Mendojnë: “Kush na detyroi t’a bëjmë? Jemi dëmtuar nga sanksionet që qeveritë perëndimore I kanë detyruar Rusisë. Duhet t’a ndërpresim , e aq më keq për Ukrainën”.

Meqë njerëzit kanë të drejtë të mos njohin alkimitë e ndërlikuara të politikës ndërkombëtare, e normalisht, në fakt, dijnë pak ose aspak, në demokracitë në të cilat nuk qeveriset pa miratimin e opinionit publik, do t’i takonte atyre që merren me to si profesion (klasa politike, shërbyes të komunikimeve, ekspertë por edhe intelektualë me një farë ndjekësish në opinionin publik) t’u përcillnin këtyre njerëzve lajmet e nevojshme për t’u drejtuar e për të gjykuar.

Do t’u takonte këtyre t’i shpjegonin publikut të madh se gjërat që ndodhin n’Ukrainë janë çështje tona që çke me të: simbas asaj se si do të përfundojë lufta, jeta e të gjithë neve do të jetë e ndikuar fuqimisht.

Por në Vëndin tonë (jo vetëm në tonin, por në tonin më shumë se tek të tjerët), profesionistët e mësipërm janë të ndarë.

Kujdes, nuk janë të ndarë, sikurse do t’ishte e natyrshme, vetëm nga opinione të ndryshme mbi strategjitë më të mira për të kundërshtuar imperializmin rus. Janë të ndarë nga fakti se imperializmi rus për disa është një kërcënim edhe për ne, për të tjerët nuk është aspak.

Që këtej rrjedhin edhe mesazhet e kundërta kundrejt opinionit publik. Me që ndërmjet atyre që i kumtojnë publikut nuk ka as më të paktën marrëveshje mbi qënien e një kërcënimi të afërt, pra është e pashmangëshme që opinioni publik të jetë i pështjelluar, të mos kuptojë rëndësinë e çështjes dhe një pjesë e tij të katandiset të mendojë se jemi ngatërruar në gjëra që nuk kanë të bëjnë me ne.

Është e vështirë në këta kushte t’arrijë tek të gjithë mesazhi simbas të cilit, në një botë kaq të ndërvarur ka pak gjëra që të mos jenë edhe çështje tonat.

Merret me mënd që nuk mund të mos jetë një luftë n’Evropë. Si të shpjegohet, në këta kushte, që mësyemja ruse ka bërë copë copë sistemin e sigurisë evropiane e nëse do të ketë një mundësi që të pengojë shpejt a vonë shpërthimin e një lufte të tretë botërore, ajo është e varur sot në aftësinë për të ndihmuar ukrainasit të ndalojnë rusët, duke vepruar n’atë mënyrë që për Putinin çmimet e veprimeve të tij të bëhen aq të palejueshme sa t’a detyrojnë të braktisë projektin e ri të rimëkëmbjes së perandorisë së lashtë?

Si të shpjegohet që ukrainasit, me qëndresën e tyre, ndoshta na kanë shpëtuar? Nëse Putini do t’a kishte marrë Ukrainën nuk do t’ishte ndaluar (është vite që po na e thotë). Më pas do t’i takonte Moldavisë e do të ishin nën trysni Vëndet balltike dhe Polonia, pra Vënde të NATO-s.

Si do të kishte qënë atëherë e mundëshme të shmangej një luftë e përgjithëshme dhe një ndeshje mes fuqive bërthamore? Po, pikërisht janë çështje tonat.

Nëse ka njerëz që besojnë se një luftë në zemrën e Evropës nuk ka të bëjë me ta, çfarë do të mendonin nëse nesër përballimi ushtarak do të zhvendosej nga ana tjetër e globit, nëse mbas një farë kohe Kina do të vendoste të mësynte Taivanin?

Nëse nuk ndihen të pështjelluar në një luftë n’Evropë, aq më tepër nuk do të ndjeheshin të tillë nëse do të shpërthente një konflikt i armatosur mes Kinës e Shteteve të Bashkuara. Por edhe kjo mundësi do të kishte të bënte me ne.

Sepse një përqëndrim masiv i aparatit ushtarak amerikan në detin e Kinës do të kishte lënë pa mbrojtje Evropën. Një Evropë të pasur por të paarmatosur, siç ishte Italia në gjysmën e parë të Pesëqindit, kur u shkatërrua nga lufta ndërmjet fuqive të mëdha për kontrollin e gadishullit.

Federata ruse, përballë një rasti kaq të shijshëm, pothuajse sigurisht do të lëvizte. Do të orvatej të bënte atë që sot ukrainasit dhe mbështetja perëndimore qëndresës së tyre i a ndalojnë të bëjë.

Ose të shohim Lindjen e Mesme dhe Afrikën. Prej tyre arrijnë dy kërcënime. Depërtimi kinez e rus dhe shtimi i islamizmit skajor. Për shumë kohë Kina ka zgjeruar ndikimin e saj n’Afrikë me mjete ekonomike.

Por prej disa vitesh është edhe ushtarakisht e pranishme. Rusët, nga ana e tyre, tashmë të vendosur në Siri e në Libi, kanë zëvendësuar evropianët, me mercenarët e tyre, edhe në Sahel.

Zotërojnë rubineta që mund t’i hapin kur të duan, për të përmbytur Evropën me dallgë të mërguarish me qëllim të prishin qëndrueshmërinë e demokracive. Prania e tyre ushtarake është tashmë një therje n’ijën Jugore të NATO-s.

Për t’i vënë një pritë rusëve e kinezëve NATO duhet domosdoshmërisht të merret vesh me më të pabesueshmin e antarëve të saj: mikun/kundërshtar Erdoganin e Turqisë.

Por përtej belegëve strategjikë të Kinës e të Rusisë, nga Afrika vijnë të tjera kërcënime. Përpjekja evropiane (Franca e ndihmuar nga Italia e nga Vënde të tjera) për të ndaluar në Mali baticën në rritje të skajshmërisë islamike ka dështuar.

Një ditë NATO, me Evropën në vijë të parë, do të duhet të investojë rezerva (që kushtojnë flijime për qytetarët) për të përmbajtur kërcënimin, më parë se të godasë Evropën. Edhe njëherë tjetër çështje e jona.

Dasitë në opinionin publik mbi luftën në vazhdim pasqyrojnë atë brënda elitave. Ka edhe në Vëndin tonë, si në të gjithë botën perëndimore, prirje për të quajtur Perëndimin , në të cilin bëjnë pjesë, armikun e vërtetë, arsyen e gjithë të këqijave (përfshirë këtu edhe agresionin rus).

Por janë edhe veçantitë italiane. Do të thotë diçka ajo përqindje që, simbas hulumtimeve i afrohet tridhjetë përqind të italianëve “të ndjeshëm” ndaj arsyeve të Putinit.

Demokracitë, ndërmjet gjërave të tjera,shquhen për shpirtin e bashkësisë, për fuqinë e madhe apo të vogël të kahut të përkatësisë një bashkësie. Në mënyrë empirike, ajo fuqi zbulohet në prani të sfidave të mëdha.

Nëse shpirti i bashkësisë është i fuqishëm, përballë një kërcënimi të pritshëm, elitat priren të bëjnë një front të përbashkët mbas opinionit publik, pothuajse të tërë. Nuk është rasti i ynë.

“Corriere della Sera”, 10 korrik 2022

Përktheu: Eugjen Merlika

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH