Letërsi

Ruka: Ura e sigurtë midis traditës e modernitetit në poezinë shqipe

Shkruar nga Liberale
Ruka: Ura e sigurtë midis traditës e modernitetit në poezinë

Nga Odise Kote

Në fillim të viteve 80, si nxënës shkolle, udhëtoja me autobuzin skëterrë të Ballshit, mbushur përplot, drejt Tiranës. Diku Tepelenës, autobuzi ndalon dhe aty hipën një djalosh, që atëherë sepse më ngjau me një shufër hollake thane. Me zë gurgullues, të plotë e gjëmues, i foli dikujt që e ftoi të ulej : “…nuk na lënë gjylet të flemë / do këndojmë a ç’ar do bëjmë …/ o shoko…”

Ishte Petrit Ruka.

Distiku i magjishëm i asaj dite, ka rreth 40 vjet që ka mbetur në memorien time, jo thjesht për faktin që ca lebër trima, (siç e kanë zakon), në luftën e Vlorës të 1920 –tës, përqeshnin ushtarët italianë që qëllonin me mortaja dhe ata, pas shkëmbinjve, këndonin labçe e shtinin me dyfekë me gjalmë, por për të vërtetën e madhe estetike të urës së sigurtë që po ngrinte djaloshi si shufër hollake thane, midis Traditës dhe Modernitetit.

Ky raport unik, midis traditës dhe modernitetit, është një udhë e gjatë, e lodhshme, që kalon përmes dhembjesh, gjakosjesh, peripecish, humbjesh e rrëzimesh. Petrit Ruka e zgjodhi vetëdijshëm dhe drejt udhën e tij, që në krye, duke u bërë njëherësh paraprijës në poezinë shqiptare të pas viteve 1990.

I shpëtuar prej kuptimit naiv të ligjërimit poetik si ves kolektiv dhe tundimit mashtrues të përzierjes së tekstit me analiza sociale, historike, etj, etj, poeti Ruka hyri nga shtegu që e zgjedhin të pëveçmit, drejt e në vorbullat e vrullshme të rrahjeve të nëndheshme të ligjësive estetike, strukturës e kuptimit të Fjalës si Art e ekzistencë e saj.

Disa mendime modeste mbi Tekstet poetike të Petrit Rukës :

150 vjet më parë, Sharl Bodleri, duke gjykuar raportin mes traditës dhe modernitetit, do të na linte një thirrje të rëndësishme për të rimenduar atë se çfarë bëjnë poetët sot.

Ai thotë : Moderniteti është kalimtarja, ajo që arratiset tutje, e pasigurta, gjysma e artit, ndërkohë që gjysma tjetër, është e pandryshueshmja, e përjetshmja.

Ndërsa studuesi Tokvili thotë se në modernizëm letërsia është edhe nën trysninë tregtare dhe autorët, në vend që të synojnë të rafinojnë shijet, më shumë do t’iu duhet të kënaqin pasionet.

I shënjuar jo prej fatit, por prej intuitës të Poetit, udhës qiellore të poezisë së vërtetë, tekstet poetike të Rukës nisën të rrjedhin që në nisje, në shtratin normal të tyre, me kahje përmbushjeje e udhëtimi drejt shtegut hyjnor ku të çojnë ligjësitë e përveçme estetike. Tekstet e tij poetike u bënë të vetëmjaftueshme, të afta në ndërtimin e urës traditë – modernitet.

Këto Tekste, përpos që kënaqin lexuesin, janë tani pjesë e tronditjes estetike, e bukurisë së fjalës shqipe, në raportin mes të Përhershmes dhe të Përkohshmes.

Tekstet e Petrit Rukës nuk ranë në kurthin e pushtetit të Tanishmërisë, nën trysninë e të cilit gjendet lexuesi i bombarduar nga e tashmja dhe spektakli, që fokusohet ose në argëtime boshe, ose në frikëra e zhgënjime, pra në zvetënimin e përditshëm, duke iu larguar në fakt të përhershmes, të përjetshmes.

Ja përse profosori i Hawardit, Harold Bloom iu thotë studentëve se : “Shekspiri na njeh përpara se ta njohim ne atë”.

Arti i fjalës, domethënë i endjes së tekstit, është provuar si prodhuesi e ndikuesi më i madh kulturor, për pasojë si një ndikues i rëndësishëm edhe në gjykimet morale të shoqërisë.

Duke e ditur këtë, çfarë zgjodhi Petrit Ruka ? Le të bëjmë një analizë kontrasti midis : Imagjinatës morale dhe Imagjinatës idilike.

Profesori i letërsisë së krahasuar në universitetin e Indianës, Matei Calinescu "Tek fytyrat e modernitetit" shkruan: ”Në kohët e klasikes, ndjenjat e stisura nuk kishin asnjë standart e nuk përfaqësonin ndonjë dëshirë për t'u ndjekur”.

Ndërsa përkundër saj, Imagjinata idilike e josh lexuesin drejt nevojës së tij të brendshme për të qenë në paqe me vetveten. Çdo paqe, pa reflektimin e brendshëm moral, është një kotësi, ose tërësi kotësish. Por qënia e njeriut prej natyre, e ka të pamundur të vetëdisiplinohet, të ndjekë standartet e gjykimit, të moralit. Njeriu ndjek më së shumti dëshirat, shijon lirinë.

Ja pse idetë e Rusoit, ndiqen më tepër, jo sepse janë të vërteta, por janë përkëdhelëse, shpirtërore.

Ndër të parët poetë mirëfilli që e kuptoi këtë raport, këtë marrëdhënie, Petrit Ruka ndjeu nevojën e konsolidimit dhe të kalimeve të vetëvetishme të teksteve poetike nga tradita në modernizëm dhe anasjelltas.

Kohë pas kohe, në të gjitha tekstet poetike të Petrit Rukës, nisën të vijnë thellime dhe intuita poetike magjepsëse, që kishin këtë ndërthurje, këtë ngjizje, palcë të zgjedhur, këto kalime të vetëvetishme nga tradita në modernitet ( si të kalonin nga odaja e miqve në dhomën e kuvendimeve brenda shtëpisë) që përkonin me një rregjistër të mahnitshëm e të pashtershëm temash.

Ndryshe nga shumë paraardhës, Petrit Ruka nisi t'i shkrijë gjinitë.

Teoria e gjinive është parim i prejardhjes, lirika, epika dhe dramatika, arkigjinite e triadës, por tek poezia e tij, teksti bëhet formë dominante letrare, ku brenda saj është metafora, hiperbola, epiteti, krahasimi, drama, komedia, vizatimet, informacionet nga të gjitha tekstet e tjera, të ndryshme, shkencore, ekonomike, politike,sociale, etj. Kjo formë shënon edhe fillimin e një ndjeshmërie të re, sikundër dhe fundin e një të vjetre.

I pari Goethe (Gete), si rrebel romantik, nuk i përfilli rregullat e gjinive me arsyetimin se kombinimi i tyre mund të prodhojë variante pakufi të gjinive poetike. As Aristoteli nuk ishte ithtar i pastërtisë së gjinive.

I prirur në rrugën drejt metaforave, poezitë e Petrit Rukës si tekste duket se i kanë ikur ngjashmërisë me poezitë e traditës, por pa e humbur, përkundrazi, duke e ndriçuar më mirë tharmin, magjinë e perceptimeve unike të tyre.

Secili ecën në rrugën që shtron vetë, po në dejet e poezive të tij si tekste, dallohet gjithnjë një kapilar gjaku simbolist, atë që Pol Verleni do ta sqaronte : "Nëse lexuesit do pëlqejnë metaforat, herët a vonë do të duan librat, e pas librave, Njeriun…”

Poezitë e Petrit Rukës si Tekste janë plot vizione e imagjinata, ndërsa struktura e ndërtimit të tyre shpesh ngjan siç thotë Umerto Ecco, kombinatorike.

Arskombinatoria e Petrit Rukës e derdhur në tekstet poetike, është ngjizja (ashtu si brumi i bukës së mirë) e ardhur organikisht e psikikës : së labit, fshatarit, kryeqytetasit, qytetarit, europianit, mësuesit, poliglotit, këngëtarit, dollibashit, skenaristit, kineastit, publiçistit, studiuesit, editorit, aventurierit, regjizorit, frojdistit, njeriut të virtyteve, fabulistit, marrësit e hedhësit të këngës, njeriut të rrugës e akademikut të përkorë, etj.

Vizioni dhe imagjinata e kësaj ngjizjeje, pa strukturë të ndërtuar është vetëm haluçinacion.

Petrit Ruka e ka kuptuar që në nisje se struktura, jo thjesht forma, është konstrukti solid i përjetshëm i fjalës.  Në strukturën e ndërtimit të teksteve poetike të tij, nuk kemi thjesht kombinim shkronjash, apo gjendjesh që shthurin kuptimet e mëparshme e ndërtojnë të rejat, por kemi sidomos kombinim shenjash, tingujsh, kuptimesh, ligjërimesh e klithmash, ku futen imazhet, zërat, vizatimet, të rejat e shkencës, skicat, shkrepjet, ndodhitë, implikimet e kujtimeve, të fotove, të këngëve, kujat e thekshme, baladat e thinjura ballkanase e shqiptare, zërat e padëgjuara, ngjarjet e pandodhura, të pathënat,etj.

Gjithçka përzihet brenda vetes në tekst, duke u tretur fije - fije, pastërtie, gjuhësie, perëndie, dashurie, artistikisht, për të ndërtuar pastaj sipas teknikës postmoderne të montazhit, kolazhin e artit, Tekstin. Siç thotë John Barth “një arskombinatoria” të mrekullueshme.

Kjo prirje, e vetëm kjo, e ka çuar prej kohësh tekstin e poezisë së Petrit Rukës, në bashkëkohësi me tekstet më të mira të autorëve shqiptarë dhe atyre nga vende të tjera të Europës e të Botës, aty ku jeton Poezia e vërtetë.

E dimë fare mirë se nga gjithë letërsia më e mirë botërore dhe ajo shqipe na kujtohen vetëm disa poezi. Ky është haraçi i madh, i pamëshirshëm i seleksionimit.

Poezia e Petrit Rukës, krahas asaj të mjeshtrave më të mëdhenj të Poezisë Shqipe, meriton të jetë në vendin e duhur, në tekstet shkollore ( e munguar), në katedrat universitare (ende e pastudiuar) në simpoziumet akademike ( e pa trajtuar). /Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH