Aktualitet

Poeti Rudolf Marku dorëhiqet nga juria e QKLL/ Alda Bardhyli pasi merr në dorë dorëheqjen e tij e shkarkon. Skandalizohet poeti!

Shkruar nga Liberale
Poeti Rudolf Marku dorëhiqet nga juria e QKLL/ Alda Bardhyli pasi merr

Poeti dhe shkrimtari Rudolf Marku ka njoftuar se është tërhequr nga juria për zgjedhjen e poetit Laureat.

Në një letër drejtuar Drejtoreshës së QKLL, Alda Bardhyli, si dhe Sibel Halimi, Kryetare e Jurisë për zgjedhjen e Poetit Laureat të Shqipërisë, ai shprehet ndër të tjera se arsyeja kryesore e tërheqjes, është cenimi i Integritetit të procesit të zgjedhjes së Poetit Laureat.

Reagimi i plotë:

Znj. Alda Bardhyli, Drejtoreshë e QKLL

Znj.Sibel Halimi, Kryetare e Jurisë për zgjedhjen e Poetit Laureat të Shqipërisë,

Me keqardhje të sinqertë, e ndjej veten të detyruar t’Ju kërkoj dorëheqjen si anëtar i Jurisë të zgjedhjes së Poetit Laureat.

Arsyet e një veprimi të tillë mund t’i gjeni në një shkrim timin të para ca ditëve, botuar në shtypin e Tiranës, në gazetat ExLibris dhe Panorama.

Pa dashur të përsëris veten, arsyeja kryesore e tërheqjes time, është cenimi i Integritetit të proçesit të zgjedhjes së Poetit Laureat. Deri në atë shkallë, sa shumica e anëtarëve të Jurisë të mos jenë në gjëndje të thonë qoftë dhe një titull të vetëm të librave, botuar prej kandidatit që ata vetë propozojnë për Poet Lauraet! Pa le pastaj të thonë një titull nga poezitë e këtij autori! Një mosnjohje e tillë, nëse ai nuk do t’i dinte titujt e veprave të poetëve që janë përfshirë në Curriculum të sistemit shkollor, do t’i kushtonte mbetjen në klasë një gjimnazisti !

As unë dhe as një njeri i vetëm që ka një arsye të shëndosht, nuk mund ta mendonte se proçesi i zgjedhjes së Poetit Laureat do të degradonte në atë nivel, të cilin nuk e meriton as Poezia Shqipe dhe as Poetët shqiptarë.

Nuk bëj fajtor asnjërin prej anëtarëve të Jurisë, as dhe Drejtoreshen e QKLL, e aq më tepër kryetaren e Jurisë, zonjën Halimi. Ruaj respektin tim prej kolegu për të gjithë këta. Nuk kam se si të mos i shpreh, gjithashtu, dhe falenderimet e mia znj. Bardhyli për bashkëpunimin tonë dyvjeçar, gjatë periudhës që kaloi.

Çështja qëndron te systemi i gabuar që kemi ngritur për Proçesin e zgjedhjes së Poetit Laureat, te vizioni apokaliptik i masovizmit dhe pa-përgjegjshmërisë mendjelehtë të kritereve për të vlerësuar Poezinë Shqipe, këtë gardiane të Gjuhës tonë dhe të vlerave tona shpirtnore.

Konfuzioni në zgjedhjen e Poetit Laureat reflekton, për mendimin tim, një spektër shumë më të gjërë të keqkuptimit të vlerësimit të letersisë në ditët tona. Mungesen e kritikes serioze, abuzimet në shpalljen e Çmimeve Kombëtare, a të Çmimeve vjetore, të tilla si Prozatori më i mirë i Vitit, a Përkthyesi më i mirë i Vitit a Poeti më i mirë i Vitit- që duhej të ishin quajtur, në fakt, në shumicen e rasteve, Prozatori më i keq a Përkthyesi më i keq a Poeti më i keq, – këto, dhe shumë prapështira të tjera të kohës tonë, janë një faktor interferues dhe në proçesin e zgjedhjes së Poetit Laureat. Në një kohë që duhej të ishte pikërisht QKLL e cila duhej të krijonte modelin e normalitetit të vlerësimit me dinjitet të vlerave reale të Poezinë Shqipe!

Mendoj, sa më të përgjegjshëm të jemi për mangësitë e Proçesit të zgjedhjes së Poetit Laureat, aq më shërbim do i bënim Poezisë shqipe, por dhe integritetit tonë.

I jap përgëzimet e mia Poetit të ardhshëm Poetit Laureat, i cili shpresoj të jetë njëri nga emërat dinjitoz, që nuk mungojnë në listën e përzgjedhur, ngatërruar me ca emra të tjerë, që nuk do t’i bënin aq shumë nder, po të zgjidheshin, as dhe vetëvetes së tyre.

Me respekt,

Rudolf Marku

PS:

Mendova, para se t’ia dergoj shtypit këtë kërkesë për dorëheqje, thjesht për arsye etike, t’ia dërgoja së pari me e-mail Alda Bardhylit dhe Kryetares së Jurisë, znj Sibela Halimit.

Dy orë më pas, shoh rastësisht se Bardhyli paska përdorur një nga truket e saj të pandershme: ka postuar me nxitim një njoftim sikur është QKLLajo që më paska hequr nga Juria!!!

Dy orë pasi ia dergova kerkesen, për të shpëtuar fëtyrën, ajo pretendon se është QKLL që më paska hequr nga anatëresia e Jurisë. Ky truk është një paturpesi e papritur. Nese vertete QKLL do të kishte menduar të më hiqte si anëtar Jurie, përpara se të merrte kerkesen time, ajo duhej të më kishte njoftuar së pari mua, ashtu siç e njoftova me shkrim unë atê!

Është një turp që e spjegon në mënyrën më elokuente arsyen e dështimit të QKLL. E spjegon shumë herë më mirë nga unë vetë, që u përpoqa të respektoj etikën qoftë duke e lajmëruar QKLL para se kërkesa ime të bëhej e ditur në shtyp, qoftë dhe fjalët gjithë kortezi që kam thënë në tekst për Bardhylin. Kam menduar se rrugaçëria do të ishte gjëja më e fundit në botë që mund të kishte lidhje me një Qëndër të Kulturës, aq me tëpër më një Qëndër te Librit!

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH