Aktualitet

Rudolf Marku, shtegtari me fytyrë të zbehtë

Shkruar nga Liberale

Shënime mbi një udhëtim fantastik

Vladimir Myrtezai

Shkrime të këtij lloji që unë afroj për publikun nuk kanë asnjë ndërsyerje për ta sjellë realitetin që unë shkruaj si një propozim që i shërben dikujt apo tregut të interesave. Janë shënime të pandikuara nga gjithçkandodh sot në garën e zulmën e urive mediatike. Është një lloj zëri i brendshëm bashkëshoqërues që i shërben artistit për të ndërtuar modelet e mendjes me dëshirën për të qenë i përngjashëm me të, apo projeksionin ideal e identifikues të tij. Diçka nga kuzhina e gjellbërjes që ushqen vetë  artistin dhe e bën të jetojë në një realitet të superpozuar si fantastik dhe i oksigjenuar. Është një udhëtim shplodhës, jo garues dhe i krahasuar. Ndodh kur duket se gjithçka që të rrethon ka vlerën e asgjëje dobiprurëse, por që duhet shënuar për të qenë në të tashmen e gjithkujt, që ka dëshirën për të shijuar një udhëtim, si i papërsëritur e i pakohë.

Nuk do t’i shkonte për shtat Rudolf Markut që njohjen me të ta zhvendosja në një narrativë të zakonshme, dokumentuese, duke filluar me data, vende, takime apo me trille hyrjesh e mbylljesh, sepse e ndiej se do të më qortonte në heshtje me një lloj shpotie, duke e zvargur reagimin në një vrerosje të sheshtë që vetëm ai di ta shpërndajë në ajër. Me siguri që do turpërohej e do bënte gjeste rioshësh, - një shenjë domethënëse kjo e njerëzve të dijes kur nuhasin se po u afrohet një kornizë - dhe kështu do lëkundej që të ndalonte këtë marrëzi, të cilën mund ta quante shkarje piktorësh në delir.

Por, nuk kam pse të marr leje për të dhënë opinionin tim për ato gjëra që më kanë bërë një përshtypje të thellë, që për fat parakaluan në jetën time.

R.Marku më kujton Fernand Léger-in, një nga përfaqësuesit e artit modern; që shënon një ngulim të pazakontë në rrymën e kubizmit. Léger-i shquhet për një analizë racionale të artit modern. Po ashtu, ai do të mbahet mend edhe për një kthjelltësi drithëruese të trajtave primare, të cilat i modelonte si të ishin pjesë apo ingranazhe të një makinerie misterioze. Pikërisht në këtë pikë ai shkëputet si me thikë nga udhëtimi  tradicional i pikturës. Mënyrat drejtpeshuese të krahasimit, në shumë raste i shpjegoja me strukturën e shenjave në pikturë, si një paralele e arketipave të përputhur, por në gjini diametralisht të ndryshme: rasti i një shkrimtari, i shpjeguar në strukturën timbrike të pikturës, që përkon me shtratin e fjalës.

Le të themi se ky është një mekanizëm krahasues për të shpjeguar tingullin dhe fjalën në ndërvarje reciproke. Ndaj kur lexoj shkrimtarin Rudolf Marku, paralelja pamore me ndërlidhet me Lèger-in, si binjaku i tij i konvertuar.

Rudolfin e kam njohur në një realitet halucinant, utopik e të pakohë, në një zgjedhje të pavullnetshme, pa asnjë përmbajtje paraprake. Një udhëtim zbulues, siç ndodh rëndom përballë një vepre arti, ku shqisat e tua perceptojnë instinktivisht një imazh të pazakontë në një rrethanë të zhvoshkur. Kalim i zhveshur e rutinë në peizazhet e befta të syrit, pa strukturë, i ngrirë që në feksjen e parë. Platforma betoni të stërmëdha, të pjastruara rrafshët; një ndriçim opak, karrige bosh, një zheg i paparë dhe ndoca njerëz si njolla të hedhura, që prisnin të mos u kalonte ora e shërbimit të kafesë, sepse kafeja ekspres në atë qytet ishte jo vetëm një luks i sojit të vet, por edhe status.

Kafeja shërbehej deri në orën 10:00 am. Në këtë uri ku mbahej radhë u shfaq një djalë i ri me një ecje rastësore, i cili u ul në një prej karrigeve që kishte më pranë dhe porositi kafenë. Me luksin e freskinë e njeriut të panjohur, prania e tij e ndryshoi për një frymë kohë atmosferën e nderë të njerëzve në kafene. Peizazhi ishte i boshatisur e i përafërt me grinë e betonit, dhe bashkë me grinë e personazhit të pazakontë të krijonte idenë e një skene filmi pa dialog, një elektrizim i padukshëm si mungesë graviteti. Ishte një përputhje pamore fatlume, që për ne piktorët përbën rast për të gjuajtur të pjesshmen, të veçantën; një lloj përzierje e imazhit të menduar, si një gjendje metafizike e psonisur me kast.

Personazhi që sapo hyri ishte poeti Rudolf Marku. Nuk do më shqitej nga mendja kjo mizaskenë natyrale, si një rast destini, ku njeriu ka shprazur të gjitha rezervat e kuriozitetit për të kapur prerjen e lartë të imazhit rrokur me të vërtetën e mëvonshme, që për fat qëlloi të ishte poet.

Aso kohe Rudolfi dukej një trup mesatar, i mbërthyer në zgjatime të ngushta e vertikale, që në rrjedhë ritmi, bashkë me vijat e drejta e të zgjatura të krijonte idenë e një vizatimi të Modigliani-t, në forma gati lisho e krejt të thjeshtuara. Kjo ishte shkrepja e parë njohëse me shkrimtarin Rudolf Marku. Takimi me të u ndihmua më pas nga një mik i përbashkët dhe shok shkolle i tij, Xhyher Cani, që e bëri këtë takim jetëgjatë e me stacione më të thelluara aksidentesh e takimesh miqësore. Aq sa ç’dukej i largët në shfaqjen e parë, po aq i hapur e i drejtpërdrejtë ishte në bisedë e komunikim. Nuk më hiqet nga kujtesa një rrokopujë e lehtë zverdheme si velaturë akuareli: nënqeshja e tij, e cila do të më shoqëronte më vonë si një kompleks i fshehtë, që çdo herë prishte një lloj ekuilibri në besim për të qenë i pakontrolluar. Si duket nuk ishte ajo prerje e përputhur që të lejon të jepesh e të shkrish kufij që me herën e parë. Ishte një ngërç që do më zgjaste si një kontraktim mundësish për ta dashur jashtë një kornize, që përgjithësisht ishte e paragjykuar. E vetmja epërsi që ndieja ishte se si kompleksoheshin shkrimtarët nga gjuhët e nëndheshme e të abstraguara të artit pamor; një reagim foshnjarak që u jepte pasiguri, ose në ndonjë rast siguri të tejngopur.

Përgjithësisht shkrimtarët e mirë mbroheshin me kulturë qasëse dhe paralele filozofike, ku përpiqeshin të identifikonin zgjedhjet dhe preferencat me artin e shenjës. Një lloj romantizmi në përzgjedhje dhe shije, si një tik asgjësues me kufizime territoresh.

Takimi tjetër me Rudolfin ishte te shtëpia muze e Migjenit në Shkodër. Duhet thënë se ai ishte një personazh që vetmohej e nuk e gjeje me të tjerë në tavolinë. Sapo kisha prezantuar ciklin e tij grafik mbi poezinë e njohur të poetit, “Mjerimi”.

Një tjetër takim i mbetur nga më surealët ishte një kafe në dhomën e tij të improvizuar në një qoshk fundor të papafingos së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve; një copë vend që Lidhja ia kish dhënë provizorisht si strehë.

Në një kohë utopish të mëdha, ne, një grup krijuesish, vetëshquheshim si viktimat e superpozuara të gjendjeve të përsëritura në delir, pasi për shkak të mbylljes, kuti matës i njohurive ishte i kufizuar e modest, por shkalla e ëndërrimit për të qenë dikushi ishte e stërmadhe. Në fakt, kjo bëri që të dilnin shumë shkrimtarë, të të gjitha formateve, gjë që nuk përkonte fare me shtatin e vogël të Shqipërisë. Por, gjithsesi, kjo dendësi i jepte këtij grupimi një hall të përbashkët: sensin e lartë të absurdit(si arrati e aksidentuar e fantazisë) dhe të humorit (si shkarje autodestruktive).

Takimi me Rudolfin, apo me Remarkun, siç do e thërrisja më vonë në shkëmbime e kontakte pune, u bë diku në muzg në një ajër të rralluar e të lagësht, një peizazh që kullonte në deformime të paqëndrueshme. Sikur ishim të brendashkruar në hapësirat diabolike të pikturave të Dali-së. Si tani e kam parasysh atë thjeshtim tejet të kursyer e të zhveshur të dhomës ku jetonte, si një eremit që ndante ajrin në një sipërfaqe të varfër, aq sa edhe krahasimi është i pamundur të të çojë diku. Mbaj mend një formë kuadratike me dy batanije ushtrie të palosura, ngjashëm me një kënd minderi; disa libra me kapakë të mbështjellë në të verdhë dhe një xhezve kafeje e stërpërdorur, që ishte objekti më i vyer dekorativ në atë hapësirë të improvizuar.

Aq bosh dhe e zhveshur ishte ajo hapësirë e ngushtë, saqë të dukej si një varfëri forme krejt ekstreme. Çngjyrimet e shpëlara të mureve krijonin iluzionin e shpërbërë të një këndi të pangjashëm. Thjesht ideja se aty jetonte Rudolf Marku të shtynte që të riformuloje imazhin, që po t’i qaseshe pozitivisht mund të justifikoje arratitë imagjinare që i jepnin krahë shkrimtarit.

Të gjithë ndiheshim pacientë të ideve, ose aktorë të skenës së absurdit. Më ndërmendej shpesh ai takim i thjeshtuar, ku merrte vlerë vetëm fjala. Rudolfi sapo kishte botuar në gazetën Drita, “Kali i Kaligulës”, një tekst që e trazoi atmosferën e shkrimtarëve. Dhe shumë më herët se kaq, në vitin 1971, vetëm 19 vjeç me poezinë “I vonuari”. Kjo poezi u konsiderua menjëherë si manifest i brezit të ri letrar.

“Balada e njeriut që nuk dua ta njoh” është një tjetër poezi që i referoheshim një grup  i ngushtë miqsh kur diskutonim për poetë  si një distancë e mrekullueshme e ishullimit narcizist të poetit nga të tepërtat e neveritshme që shumë shpesh ndeshim në afri të njerëzve që gjithduken për shkak të pandjeshmërisë dhe mundohen të të marrin jetën me arrogancën shkelëse të tyre. Poeti e deklamon që;- “Ai është njeriu që nuk dua ta njoh “ “Dhe e njoh kaq mirë”

Folëm gjatë për një mënyrë të shkruari, ku vetë fjala ngas pavarësinë e saj si strukturë tingëllore, si ngjyrat apo masivët e formës, që mësyjnë ndërgjegjen e artistit. Folëm për zgjedhje të ndryshme e fate shkrimtarësh të gjymtuar nga pushtetet kalimtare. Folëm për gra tërheqëse dhe bukuri që nuk plakeshin kurrë. Folëm për mundësi shndërrimesh e perspektivash ekzaltuese, për atë që quhej fati i shkrimtarit si prejardhja e paparashikueshme.

I vetmi status i përbashkët për të cilën nuk folëm ishte martesa, një term i zhdukur nga fjalori, pasi ndiheshim të përjashtuar nga kjo ndërvarje: të dy ishim në një pavarësi te lume beqarie. Atmosfera e këtij takimi, për shkak te ç’dekorimit e thjeshtësisë prekëse, do më mbetej në mendje si një dalje nga përditshmëria në një tjetër rrethanë: e vizatuar me dashje për një takim mbresëlënës.

Pas nëntëdhjetës nuk u takuam për një kohë të gjatë. Secili në zgjedhjen e vet. Liria kish funksionuar si shtyrje në tunele, ku vetëkosumoheshim duke mbajtur larg të kaluarën si një pengesë të panevojshme. Sot e kësaj dite miqësia dhe simpatitë kryen fermentin e tyre në lexime të vona e në rezyme për të kaluarën, si një grafi që i përkasin një kohe muze. Si duket kohët më të bukura kishin kaluar bashkë me një pjesë ëndrrash kalimtare; për arsyen e thjeshtë se gjithçka ndërroi dhe rruga e dijes qe e gjatë dhe e mundimshme.

E gjithë ajo shumatore krijuesish në nevojë shpirtërore qenë shastisur nën efektin e lirisë, që natyrisht ka rregullat dhe kushtet e saj për ta zhbërë e tejkaluar. Gjithsesi ndiqeshim në shkrime në shtypin periodik apo në libra.

Më qëlloi ta takoja Remarkun para disa ditësh, ku ndamë një vakt dreke së bashku. I pandryshueshëm, krejt si më parë, në një hov të rinuar për të qenë i pranishëm me cytjen natyrale në gjuhë trupi, që figuronte edhe më të qenit aktiv për gjithçka që shkiste pranë tij, për ta pasur në kontroll me shqisën e mrekullueshme të analizës. Fiks si në takimin e parë, pa kohë, pa moshë e krejt i kthjellët. Pa tepri në paraqitje, i përmbajtur, me disa vite të padukshme, sërish i hollë e i zeshkët, me një ecje normale, e ngjashme me atë të Al Pacino, si një përputhje shëtitëse.

E gjitha për shkak të një jete disi të kontrolluar e të mbyllur, dashuri e simpati të ndërsjella brenda sojit artistiko-letrar, ku krijohet një atmosferë të jashtëzakontë, që më së shumti lindte nga kimitë, kulturat e shkollat e përbashkëta, por ndonjëherë krejt e pa arsye si shkëmbime thjesht njerëzore, si rrjedhojë e leximeve dhe një gare të ndezur brenda territorit të mbyllur.

Si kudo, miqësitë ishin kult dhe shpresë shfryrjesh në qarqe intime, si një lloj karburanti që i jepte forcë këtyre marrëdhënieve të ndezura karakteriale e të veçanta.

Parë nga distanca, këto marrëdhënie edhe sot ngjajnë me një status bashkëjetese, që me siguri zhvillohej si një luftë e pandreqshme dhe e koklavitur mes artistësh. Nuk se ishte një paqe e patrazuar, madje qe e rrezikshme, pasi shumë nga këta aktorë të këtij teatri absurd e pësuan keq e më keq.

Në sytë e një njeriu si unë, që e shihte nga pas kangjellave këtë vapor të stërmadh njerëzish në ego (Lidhjen e Shkrimtarëve) Rudolf Marku më dukej si i shpëtuar prej të qenit i veçantë, si dhe nga melodia e tij thjesht e njerëzishme, që kishte një pikëpërputhje në përfytyrimin tim të atëhershëm me letrat. Por, ndoshta edhe nga mënyra se si e perceptojmë botën e ëndrrave e ndoshta edhe për shkak të vetmimit të gjithsecilit, gjë që e bënte territorin e një miqësie të stërzmadhuar e fantastike.

Por, është më interesant ky përfytyrim në një realitet të shkruar, që ndillet krejtësisht, utopik nganjëherë, si simpati e veçantë në skanerin e rëndomtë të therjeprerjeve të vazhdueshme që prodhon qenia njerëzore.

E ç ’kuptim do të kishte bota dhe përkthimi i një situate të përjetuar nga një artist në një udhëtim të ndërkryer e plotësues, dhe prerja e mendimeve, që në të shumtë marrin të drejtën e gjykatësit?! Rrëfimet duhen bërë për të qasur ndjeshmërinë dhe zgjedhjen e modelit sipas prerjes së çdonjërit prej nesh, ndonjëherë si artistë a profetë, herë të tjera si rrobashqepës të hetimit në qenien e tjetrit.

Njeriu është një qenie herë e dënuar e herë e bekuar me fjalën.

Kur shkruajmë vetëshënohemi. /Gazeta Liberale

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH