Letërsi

Rudolf Marku, autor i UET PRESS poeti Laureat i parë shqiptar

Shkruar nga Liberale
Rudolf Marku, autor i UET PRESS poeti Laureat i parë shqiptar

Shkrimtari Rudolf Marku, autor i UET PRESS dhe fitues i çmimit Kadare, u shpall Poeti Laureat shqiptar. Përgjatë dy viteve, 2020-2022, ai do të jetë në krye të një fushate për të promovuar poezinë shqipe, ndërsa kjo ngjarje shenjon nisjen e një tradite të re për Shqipërinë, në komunikimin e fjalës poetike në mjedisin kombëtar dhe atë ndërkombëtar.

“Poezia është një vitalitet i jashtëzakonshëm, sepse është grindja e përjetshme e qenies njerëzore me veten e vet. Duhet të grindesh me veten që të kesh paqe me njerëzit e tjerë. Gjatë këtyre dy viteve si Poet Laureat,  do të luftoj fort që të promovoj vlerat e jashtëzakonshme të poezisë shqipe, jashtë vendit, sa edhe në shoqërinë shqiptare.” –tha Rudolf Marku në ceremoninë e mbajtur në Ministrinë e Kulturës.

Komiteti i këtij vlerësimi kryesuar nga shkrimtari Besnik Mustafaj e shoqëroi vendimin me motivacionin e mëposhtëm:

"Ka arritur të ndërtojë një vepër të pasur dhe koherente përtej konteksteve historike, politike dhe gjeografike në të cilat ka jetuar poeti, duke shprehur me gjuhën e përshtatshme atë çka është e qëndrueshme te njeriu. Në motivacionin për Poetin Laureat është vlerësuar edhe shërbimi i çmuar që i ka bërë ai kulturës kombëtare, duke sjelle në shqip shumë nga kryeveprat e poezisë botërore”.

Rudolf Marku është autor i disa vëllimeve poetike, romaneve, shkrimeve publicistike dhe përkthyes i shumë autorëve të njohur të shekullit XX. Poezitë e Rudolf Markut janë përkthyer dhe botuar në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht dhe në disa gjuhë të tjera.

Rudolf Marku (1952) ka lindur në Lezhë. Është diplomuar në Universitetin e Tiranës Ai ka punuar si redaktor në gazetën letrare “Drita” në vitet 1987-1990, nëpërmjet së cilës përfshiu dhe i dha zë shkrimtarëve të rinj, duke ia bërë ata të njohur lexuesit shqiptar. Në vitin 1996 emërohet atashe i kulturës nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë pranë Ambasadës Shqiptare në Londër. Vëllimi i parë poetik “Shokët e mi” (1974) u kritikua nga shtypi si një libër me gabime ideologjike, ç’ka solli tërheqjen e tij nga botimi dhe bëri që ta dërgonin në fshat. Më pas kanë ndjekur botimin librat “Rruga” (’77), “Sërishmi” (’82), “Udhëtim për në vendin e gjërave që njohim” (’89), etj.. Në vitet e fundit ka botuar disa romane, ku ndër më të rëndësishmit ndër ta është “Tre divorcet e zotit Viktor N.”, me të cilin fitoi Çmimin Kadare për vitin 2015, në edicionin e parë të këtij çmimi.

Rudolf Marku mbetet një ndër autorët më aktivë dhe të pranishëm në letërsinë shqipe. Është nderuar me çmimin e Poezisë Evropiane në Berlin në vitin 2007; me çmimin Naim Frashëri për vitin 2012 në Tetovë dhe Prishtinë; me çmimin At Zef Pllumi për librin poetik; me çmimin PEN dhe me çmimin Penda e Argjendë, dhënë nga Ministria e Kulturës për vitin 2012.

Qëllimi i akordimit të këtij çmimi është që personaliteti i përzgjedhur, do të jetë në krye të një fushate publike me fokus poezinë shqipe. Komiteti drejtues i këtij projekti të rëndësishëm për botën e letrave shqiptare u kryesua nga shkrimtari dhe poeti Besnik Mustafaj. Gjithashtu në këtë komitet ishin edhe emra te tjerë si botuesja Arlinda Dudaj, poetja Viola Isufaj, kritiku Agim Baçi dhe zv.dekani i Fakultetit Filologji-Histori, Agron Gjekmarkaj.

Çmimi “Poeti Laureat” i cili në mbarë botën njihet si një vlerësim i poetëve të cilët shquhen për krijimtarinë e tyre, daton që nga shekulli i 17 në Angli. Më pas, shumë vende të botës e ndoqën këtë traditë duke e bërë pjesë të rëndësishme të kulturës së tyre. Qëllimi i këtij vlerësimi është ndërgjegjësimi mbi rëndësinë e leximit të poezisë.

Poeti dhe përkthyesi Rudolf Marku është i pari që do t’u përcjellë këtë stafetë emrave të mëdhenj të poezisë shqipe, të cilët do të ndërtojnë traditën shqiptare të Poetit Laureat. /Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH