Krye

Këndi i librit UETPRESS/ Në vend të parathënies – për Tironën e Nonës

               Publikuar në : 10:55 - 25/03/20 liberale

Të dashur lexues,

Më këtë kënd do të përcjellim ndalesa të imëta mbi shkrimtarinë e autorëve shqiptarë, të cilat në këto ditë të vështira, urojmë të jenë një lexim i pëlqyeshëm për ju për të zgjuar një kujtesë të mirë e të vlerë; mdoshta për të nxitur një lexim të ri që muk kemi patur kohë ta bëjmë në ngutin e së përditshmes sonë të ngarkuar, apo për t’ju rikthyer një libri të dashur që sot mund të peshojë ndryshe në zemrën dhe mendimin e secilit prej nesh.
Sot jemi banorë të strukur të qyteteve tona pa hapat dhe zhurmën tonë, por që mbartin kujtesën e gjallë të jetës së secilit prej nesh.
Këtë kujtesë ka ndarë me lexuesit autori Blendi Fevziu në rrëfimin e tij mbi Tironën e Nonës, ndërsa në faqet e këtij botimi të UETPRESS, secili gjen një rrugë të vetën për të takuar fëmijërinë e tij.
Deri sa të kthehemi për të përqafuar të shtrenjtët tanë, veçanërisht gjyshërit dhe gjyshet, ju ftojmë të çmalleni me Tironën e Nonës…

Në vend të parathënies – për Tironën e Nonës

Nga Hektor Bregasi

Përgjithësisht fëmijëria njihet si periudha më e bukur dhe interesante në jetë. Sa herë bëhet fjalë për të, në rrëfime gojore, apo të shkruara, ajo mbetet e veçantë, e papërsëritshme pavarësisht rrethanave dhe mjedisit ku zë fill dhe ngjizet.

Sado e shumëllojshme dhe e veçantë, fëmijëria në ambientin shqiptar ka një gjë të përbashkët: mjedisin tonë të familjes tradicionale, nëpër të cilën, ka kaluar fëmijëria e pjesës më të madhe të shqiptarëve. Në to, njerëz të një gjaku apo të afërt, krijojnë atë unitet material dhe shpirtëror, që u ka shërbyer për t’u përballur me gëzimet apo hidhërimet e jetës. Në çdo situatë, në mjediset tona familjare edhe kur ky i ngjan një kalvari të vërtetë vuajtjesh, privimesh apo mjerimi, një gjë nuk ka munguar kurrë në to: Përkushtimi ndaj fëmijëve, dashuria që i rrethon ata, në krejt fëmijërinë e tyre.

Edhe dashuria e prindërve, gjysheve dhe gjyshërve e pastër si kristali, më e ndjera, e pakushtëzuara, e domosdoshmja për të pasur fëmijëri, mungesën e së cilës nuk do mund ta kompensonte asgjë në jetë.

Në një mjedis të tillë, me të veçantat e saj, nisi udhëtimin e vet fëmijëria e Blendit deri në moshën 15-vjecare. Është një rrëfim i thjeshtë për fëmijërinë e tij, me mbresat dhe përjetimet e dy botëve; asaj që gjallon brenda mureve të shtëpisë dhe asaj tjetrës, jashtë saj. Të dyja shpalosen me çiltërsinë dhe dashurinë e një fëmije, duke e bërë rrëfimin kësisoj, të ngrohtë dhe interesant.
Në rrëfimin për fëmijërinë brenda mureve të shtëpisë, krijohet përshtypja e leximit të një sage atë të Toptanasve, si një nga familjet më të njohura dhe me ndikim për shumë dekada, jo vetëm për Tiranën e rrethinat e saj, por edhe më gjerë. Ndonëse nuk pretendohet për një histori të mirëfilltë, gjithsesi, disa prej këtyre rrëfimeve të dëgjuara, apo të dokumentuara, paraqesin interes të veçantë. Bukur shpaloset dhe ajo tjetra, fëmijëria përtej mureve të shtëpisë, rrugicat, lagjia dhe personazhet e saj interesante.
Deri këtu, çdo ngjarje apo personazh shihet me sytë e një fëmije.

Pjesa tjetër ka të bëjë më post-fëmijërinë, ose me faktin si i sheh ngjarjet e përjetuara në atë kohë nga pozitat e një të rrituri.

Është i njohur fakti se fëmijëria dhe mjedisi familjaro-shoqëror i kësaj periudhe në jetën e njeriut, ka vendin e vet, në formimin dhe ngjizjen e personalitetit të secilit prej nesh. Më vonë, këtij faktori i shtohet shkollimi dhe rritja e vazhdueshme e nivelit intelektual, mjedisi shoqëror dhe kulturor, të cilit i përkasim. Me formësimin e personalitetit, ato çfarë trashëgojmë nga fëmijëria apo familja, rimerren përsëri, për të kaluar nëpër filtrin e njeriut; tanimë të formuar për të konsideruar si trashëgimi të mirën, të pëlqyeshmen nga mendjet e shëndosha dhe të përparuara. Pjesa tjetër, përsëri mbetet përsa i takon së shkuarës. Edhe në këtë pjesë, Blendi ka arritur ta japë atë që është pjesë e karakterit dhe personalitetit të vet.

Dhe në fund, ajo që më ka lënë përshtypje të jashtëzakonshme është dashuria, adhurimi deri në veneracion për ata që ndikuan së tepërmi fëmijërinë e Blendit, të cilës, pavarësisht nga vështirësitë e kohës, nuk i mungoi kurrë përkushtimi dhe dashuria e atyre që i qëndruan pranë.
Më ngazëllen mirënjohja e tij ndaj Nonës, Teta Metit, dajë Aliut, Bibisë, e të tjerë, ndaj të cilëve, gjen të vetmen mënyrë për t’i shpërblyer në këtë rrëfim.

Më ngazëllen gjithashtu çiltërsia dhe dashuria fëminore, e cila, sikur të zinte më shumë vend në marrëdhëniet ndërnjerëzore, jeta jonë do ishte shumë më interesante dhe më e bukur nga kjo që kemi.

Tags:

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back