Aktualitet

RTSH, një pol mediatik i pazëvendësueshëm

               Publikuar në : 19:10 - 28/04/20 liberale

Preç Zogaj

Radiotelevizioni shqiptar mbush sot gjashtëdhjetëvjeç nga dita kur emetoi në eter imazhet e para televizive. Përtej kuadrit politik të kohës (partia-shtet kontrollonte gjithë mediat në funksion të propagandës dhe edukimit komunist të masave), krijimi i televizionit shqiptar ka qenë dhe mbetet një ngjarje historike në rrugën e emancipimit të shoqërisë shqiptare.

Ashtu si letërsia, teatri, muzika, piktura, shkolla, industria, bujqësia e të tjera me radhë, edhe RTSH, falë gazetarëve, regjisoreve, operatorëve, skenaristëve, drejtueseve ndonjëherë, përkthyeseve dhe punonjësve të sektorëve të tjerë që plotësojnë një media të madhe televizive, bëri jetën e vet profesionale, plot momente shkëlqimi, paralel apo në ndërthurje me fillin ideologjik.

Buisjet liberale ciklike në Shqipërinë komuniste kanë patur në televizionin shqiptar sythin dhe burimin kryesor. Andej vinte pak frymë oksidenti, moda, tendencat e reja të artit dhe muzikës, një kategori filmash që edhe pse kalonin në filtrat e çensurës, shpërndanin në Shqipërinë e mbyllur një aromë civilizimi, gjuhë, emra, fytyra, ndjesi, marrëdhënie dhe pamje të jetës së të tjerëve që i mbanin shqiptarët gjithsesi të lidhur me kontinentin dhe planetin.

Një moment kulmor i këtyre buisjeje është i famshmi festival i njëmbëdhjetë i këngës në RTSH. E kanë thënë të tjerë përpara meje dhe unë veç e përsëris këtu, se ky festival nuk ishte një rrufe në qiell të kthjellët, sikur dikush u kujtua papritur të përshtatë të themi një “Sanremo” italiane në Shqipëri. Ai erdhi natyrshëm në rrugën e kërkimeve dhe realizimeve të mëparshme në frymën e hapjes, thyerjes se dogmave e klisheve zyrtare.
Jehona e jashtëzakonshme që pati në publik vërtetonte sintoninë e artit dhe publikut për lirinë. Ai ishte fillimi dhe kulmi i një lëvizjeje tektonike në gjithë strukturën e sistemit hegjemon që u pasua me “lëkundje” të forta në fusha të tjera.

Regjimi, siç dihet, u përgjigj me plumba dhe pranga. RTSH e vuajti revanshin e dhunës, por ndërkohë nuk pushoj se mbajturi të mbërthyer shqiptarët para ekranit të tij përmes transmetimit të filmave serialë, eventeve sportive kombëtare dhe botërore, ngjarjeve dhe lajmeve të brendshme pa kontekst të ngurtë politik dhe ideologjik, e tjerë. Fryma liberale nuk u ndalua dot asnjëherë deri në fund për faktin se liberalizimi si shprehje e lirisë është natyrë e brendshme e individëve dhe shoqërisë.

Dhe nuk do të jetë e rastit që disa nga momentet kryesore të Lëvizjes Demokratike të dhjetorit 1990, jo vetëm ato të autorizuarat, u filmuan dhe u transmetuan nga RTSH.

Shtrirë në kohë, e gjithë kjo ka bërë që RTSH të jetë jo vetëm një media në kuptimin klasik të fjalës, por edhe një dokumentim pa të ngjashëm, një kujtesë, një histori autentike e Shqipërisë përgjatë diktaturës dhe më vonë, arshiva më e pasur e saj me zë dhe figurë, vlera e së cilës vetëm është shtuar e shtohet.

Pas hapjes demokratike të viteve nëntëdhjetë, në inercinë e së kaluarës, por me nijetin e shtuar të rivaliteteve dhe synimeve të partive për influencë politike, RTSH ka vuajtur të dalë në hapësirat e një medie të lirë publike, në kuptimin demokratik të fjalës. Ajo ka qenë për një kohë relativisht të gjatë nën presionin e qeverive dhe partive për ta patur si megafon dhe zgjatim propagandistik të tyre me lloj-lloj alibish pa lidhje me principet deontologjike mbi të cilat funksionon media. RTSH i pagoi koston përdorimit dhe shpërdorimin për arsye politike.

Dalja në skenë e mediave elektronike të pavarura e gjeti të papërgatitur për të përballuar sfidat e konkurrencës. Gjigandi mediatik më i vjetër në vend u sfidua nga mediat e reja private, duke humbur shumë terren në shikueshmëri dhe dëgjueshmëri. Sigurisht, lulëzimi dhe suksesi i mediave elektronike private ka qenë dhe mbetet një ngjarje e madhe për Shqipërinë, një tregues dhe ilustrim par exellance i parimit të famshëm të shoqërive të hapura “liria punon”. Nga kjo pikëpamje ka pasur e ka arsyer për t’u gëzuar dhe jo për të vajtuar që RTSH u konkurrua dhe u sfidua nga televizionet e radiot private që në këtë rast dëshmuan edhe avantazhet e nismave të lira në raport me strukturat e rënda e të kalçifikuara shtetërore.

Por në përballjen me privatët u pa qartë se RTSH humbi më shumë se “kuota e pranueshme”- le ta themi kështu- , domethënë më shumë se sa pritej me historinë dhe mjetet e mëdha që zotëronte. Kjo është një histori shqiptare komplekse e tranzicionit, që kërkon kohë dhe nuk është rasti për t’u treguar. Madje edhe nuk ia vlen më, mendoj unë.

Fakti i gëzueshëm është se me kalimin e kohës RTSH përfitoi nga mediat private konkurruese dhe sfiduese të saj, duke përshtatur dora-dorës programe dhe transmetime më dinamike dhe duke u përfshirë ndërkohë në projektet europianë të fuqizimit, modernizimit dhe pavarësimit të mediave publike. Vetë mendimi dhe vizioni politik i drejtuesëve në vend, i shprehur në ligjet dhe vendimet përgjithësisht konsesuale të Kuvendit të Shqipërisë për median në tërësi dhe për atë publike në veçanti, ka lëvizur drejt konformimit me parimet dhe kërkesat bashkëkohore perëndimore, duke e lenë të lirë ose relativisht të lirë median më të vjetër, që për pak e patën e katandisur në gërdallë.

Fillon këtu një periudhe e re, ajo e krijimit de fakto të medias elektronike publike, e domosdoshme dhe e pazëvendësueshme në mozaikun mediatik të çdo vendi. E tregon qartë Italia, Greqia, Franca, Gjermania, aq më shumë Austria, ku mediat publike janë shumë të fuqishme. Ato bashkëjetojnë në një garë të shëndetshme me mediat private dhe janë komplementare për shumë programe pluralë, informacione dhe shërbime të veçanta që i ofrojnë publikut sot. Debati e dikurshëm në këto vende “duhen mbajtur apo privatizuar mediat publike” është mbyllur në favor të mbajtjes dhe fuqizimit të tyre pikërisht për shërbimet specifike dhe garancitë që ofron media e taksapaguesve për një referim me të gjere, jo kurdoherë në funksion të tregut, të vlerave kombëtare në çdo fushë dhe për një informim të pandikuar nga interesa të njëanshme të grupeve të interesit më dëm të njëra tjetrës, apo edhe nga burimeve kriminale.

Kjo po ndodh me RTSH në Shqipëri, e cila sipas mendimit tim po sfidon vetveten pikësëpari, domethënë terrenin e humbur nga vitet nëntëdhjetë e këndej, sikurse paralelisht, po shumëfishon vetveten në shembullin e RAI-t me një paketë të pasur kanalesh, siç janë, përveç RTSH 1 si kanali kryesor, RTSH 2, RTSH 3, RTSH Sport që transmeton non stop nga të gjitha eventet sportive në vend dhe në botë dhe ka tashmë bashkë me kanalin e parë disa eskluzivitet, ku dallojnë ndeshjet e botërorit, garat e Formula Uno, garat e motorëve, ndeshjet e kombëtares tok me Digitalb, olimpiada të atletikës, e tjerë, e tjerë; RTSH 24, RTSH Fëmije, RTSH Muzikë, RTSH Film, RTSH Shqip, RTSH Plus, së fundi RTSH Shkollë, plus filialet në disa qytete te vendit,-të gjitha këto me programe që vinë duke u konsoliduar e duke tërhequr shikues me interesa dhe shije të larmishme.

Një ndryshim i madh në RTSH, që përfaqëson sipas meje sfidën kryesore që radiotelevizioni publik po i bën të shkuarës së vet, por edhe levën e suksesit për sot dhe për të ardhmen, është konsolidimi i pavarësisë editoriale. Emisionet e lajmeve, për të cilat janë zhvilluar e zhvillohen rëndom beteja të ashpra politike që kush e e kush të ketë më shumë hapësirë dhe influence, janë nga më objektivët, me të paanshmit dhe më të balancuarit politikisht. Mund të kisha referuar këtu të dhënat e monitorimit të tyre brenda dhe jashtë vendit nga institucione të specializuara ku del qartë se raportimi ne RTSH është i balancuar dhe në anën e publikut. Ka evoluar për mirë edhe cilësia profesionale e raportimit.

Unë bashkë me kolegun Lorenc Vangjeli dhe me një staf profesionistësh të institucionit konceptojnë dhe realizojmë prej tre vitesh si të jashtëm emisionin “Java në Rtsh” dhe “Java drejt mesnatës”, çdo të premte nga ora 20-30 deri në mesnatë me një ndërprerje për emisionin e lajmeve të orës 22.30. Ajo çfarë dua të ndaj me lexuesit e mi dhe teleshikuesit e RTSH-së është se në asnjë rast dhe në asnjë lloj forme nuk na është kërkuar nga drejtuesit e institucionit të mbajmë anë politikisht apo t’i bëjmë qokë ndokujt. Të njëjtën gjë kam dëgjuar nga kolegë që drejtojnë emisione me karakter politik në këtë media. Po të referonim temat dhe të ftuarit në emisionin tonë do të konstatonim fare qartë balancimin për të cilin folëm me lart, me një anim të dobishëm dhe me masë në favor të oponencës dhe opozitarizmit. Të vetmet kërkesa në formë sugjerimesh nga drejtuesit, që e përmbajnë edhe nxitjen, lidhen me zgjerimin e gamës tematike, duke sjellë me shumë probleme të fermerëve, të agroindustrisë, të sigurisë ushqimore, të sipërmarrjes në tërësi, të shkollës, pra të temave me interes të madh publik ku nuk shkon tallavaja.

Sfida për shndërrimin e RTSH në një pol mediatik të pazëvendësueshëm, në garë, në bashkëjetesë dhe në ndikim pozitiv të ndërsjelltë me median private, vazhdon. Fjala kyçe në këtë përpjekje është pavarësia. E cila teksa duket e fituar tashmë, ka nevojë të mbështetet vazhdimisht me investime të kohës në teknologji, në mjediset e transmetimit, në cilësinë e emisioneve, e tjerë. Familjet shqiptare që paguajnë njëmijë lekë në muaj për median publike me plot kanale dhe të larmishme në programe meritojnë gjithnjë me shumë.

Suksese dhe jetëgjatësi RTSH-së. /Gazeta Liberale

Tags: ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back