Aktualitet

Rrugëtimi artistik i Edith Mihalit

               Publikuar në : 11:23 - 11/05/19 E Liberale

Nga dita e parë si nxënëse në Liceun Artistik në auditorët e UET si pedagoge e kantos

“Artistja e Merituar” dhe “Mjeshtrja e Madhe”, sopranoja Edith Mihali, pedagoge e Kantos në Universitetin Europian të Tiranës, tregon mbi eksperiencën e saj në skenë, si dhe mësimdhënien në akademi.

Teksa flet për artin dhe skenën, dashuria dhe pasioni shpërfaqen dukshëm në sytë e saj. Për dekada të tëra, Edith Mihali ka mrekulluar spektatorin me zërin e saj potent dhe prezencën në skenë. Ndër vite ka kënduar në veprat më të suksesshme në skenën operistike, duke fituar kështu dashamirësinë dhe vlerësimin e publikut. Ka realizuar një shumëllojshmëri rolesh, ku pavarësisht vështirësive që kanë paraqitur, gjithnjë ka spikatur për talentin e saj. Karriera e gjatë në skenë dhe puna e palodhur kanë bërë që të vlerësohet me dy tituj, “Artiste e Merituar” dhe “Mjeshtre e Madhe”. Sopranoja Edith Mihali, krahas kontributit të jashtëzakonshëm për artin dhe kulturën shqiptare, është gjithashtu prej shumë vitesh një ndër pedagoget më të dalluara për kanton në vend, ku disa prej ish-studentëve të saj janë edhe vetë tashmë personalitete të skenës.

Suksesi në karrierë nuk ndërtohet brenda ditës dhe veçanërisht në arte. Ka qenë përkushtimi përkundrejt muzikës që në vegjëli, vullneti për të mësuar dhe punuar, të cilat kanë bërë që Prof. Asoc. Edith Mihali të jetë ky personalitet me emër që është sot, që njihet si për arritjet në skenë ashtu edhe për ato në auditor. Ishte vetëm gjashtë vjeç kur mori pjesë në konkursin për t’u bërë pjesë e Liceut Artistik, falë një këshille që mamaja e saj mori rastësisht nga kompozitorja e njohur, Dhora Leka, e cila i tha se Edithi kishte talent në muzikë. Konkursin e fitoi dhe ndoqi studimet për violinë.

“Kam ndjekur studimet për violinë që në moshën 6-vjeçare. Nuk mund të them se ishte pasioni im, pasi atëherë isha shumë e vogël. Ka qenë një zgjedhje e familjes, të cilën unë edhe për shkak të karakterit të bindur, e kam respektuar. Liceu atëherë ishte një shkollë shumë e fortë, ku ti formoheshe plotësisht në aspektin teknik dhe profesional, dhe ishe gati edhe për skenën kjo përsa i përket instrumentistëve. Shkolla e lartë më pas ishte thjesht përforcim i njohurive”, rrëfen artistja e mirënjohur.

Për një fëmijë, të studioje në Lice nuk ishte fort e thjeshtë, për shkak se krahas të gjitha lëndëve të përgjithshme që bënin moshatarët duhet të studioje intensivisht edhe për lëndët e profesionit. Për shumë vite iu përkushtua mësimit të violinës, por edhe pianos, e cila për fëmijët e vegjël atëherë ishte një instrument sekondar, por zgjidhi të vijojë studimet në shkollën e mesme, për teoritikë muzike.
“Kaluan 11 vjet dhe unë ndërrova degë, për shkak se violinën nuk e kisha shumë qejf. Në shkollë të mesme vazhdova teorikë, ku përgatiteshin profesionistë për lëndët teorike të muzikës si solfezhi, harmonia, polifonia etj.”, tregon Mihali.

Megjithatë përsëri, në jetën e saj profesionale do të ndodhte një ndryshim.
“Është vërtet fat i madh, që brezi im është edukuar në shkolla nga personalitetet më të shquara të artit shqiptar. Kompozitori dhe dirigjenti Simon Gjoni, të cilin kam pasur fatin ta kem drejtor artistik në Lice, zgjodhi shtatë vajza për të hyrë në atë që atëherë quhej Konservator, pa na marrë mendim. Unë e mbaj mend që atëherë u futëm në një klasë, që edhe sot quhet Klasa numër një e pianos, ku ndodhej Marie Kraja, Llukë Kaçaj dhe Mihal Ciko. Pasi na bënë një provë zëri, ata më thanë se duhet të studioja për kanto.”

Duke qenë një natyrë e turpshme që nga vegjëlia dhe që i shmangej vëmendjes, për Edith Mihalin, të studioje për kanto nuk ishte një opsion. Ajo vendosi të ndiqte studimet e larta në të njëjtin profil, teoritikë muzike. Ndonëse vendimin e mori e sigurt në vete, sërish rrethanat e sollën që ta rikonsideronte atë. Artistes së mirënjohur Marie Kraja, i kish mbetur në mend zëri magjepsës i nxënëses së ndrojtur që kishte ardhur atë ditë në klasë.

“Unë nuk e kisha fort qejf kanton, për shkak se kisha një natyrë fort të mbyllur dhe vëmendja nuk më pëlqente ndaj nuk e pranova ftesën. Konkurrova për teoritikë dhe fitova. Më pas, ishte një insistim i Marie Krajës, edhe i sime ëme që më shtynë të konkurroja për kanto. Në gjysmë të vitit jap konkursin dhe për pesë vjet unë i vazhdoj studimet në të dyja degët dhe në fund diplomohem dhe për teoritikë dhe për kanto”, rrëfen Mihali.

Rrëfen se ka dhënë mësim për lëndën solfezh që në vit të tretë të studimeve në universitet, për shkak se zëvendësoi një mësuese që ishte larguar me lejen e lindjes. Pas diplomimit, ajo shkoi mësuese në Lice, për po të njëjtën lëndë. Për shkak të një “fletërrufeje” që iu dha në atë kohë, për mungesën në një mbledhje të stafit pedagogjik, Edith Mihali, vendosi të konkurronte për të qenë pjesë e Teatrit të Operës dhe Baletit. Mësimdhënia në akademi për të nisi në vitin 1979.

“Në vitin ’75, pasi fitoi konkursin, unë emërohem soliste e Teatrit të Operës dhe Baletit. Që nga ajo kohë e në vazhdim pastaj kam qenë soliste në teatër. Pas sukseseve të para, më thanë që duhet të jepja mësim në akademi. U vura përpara përgjegjësisë dhe në fillim isha e pasigurt. Thosha si mund të jap unë mësim … Për fatin tim, atëherë ishte pedagogia ime e nderuar Marie Kraja, të cilës i mora mendim. Ajo më qetësoi dhe më tha: “Nuk do të bësh gjë tjetër veçse ato që ke studiuar, ato që ke dëgjuar nga unë, si dhe gjithë eksperiencën tënde t’ua komunikosh studentëve”. Këtu ka filluar mësimdhënia që nuk e kam shkëputur më”.

Ndoshta qe për të fat, që të studionte dhe të formohej nga pedagogë, të cilët kanë qenë personalitete të njohura të kulturës dhe artit shqiptar, si dhe në një periudhë ku formimi i artistëve ishte kryefjalë. Të gjithë këta pedagogë dhe drejtues të aftë, ishin një shembull për pedagogen e re, e cila eksperiencën e pasur në skenë, si dhe njohuritë e perfeksionuara përgjatë viteve të studimit, ua komunikonte me shumë përkushtim studentëve të saj. Për shkak të kërkesave të larta që institucionet artistike në vend kishin për kapital human, shkollat ishin të përkushtuara që të formonin studentë, të cilët do të ishin menjëherë të gatshëm për të perfomuar në skenë.

“Europa më parë është arritur me artin, sesa me fushat e tjera në Shqipëri”, thotë ajo.

Të gjithë dijen dhe dashurinë e saj për profesionin, ua ka përcjellë brezave ndër vite, duke kontribuuar jo pak, në formimin e artistëve të njohur shqiptarë. Sot, duke parë ndryshimin e brezave, ajo vë theksin që të rinjtë duhet të përkushtohen më tepër ndaj profesionit të tyre të ardhshëm.

“Në mësimdhënie duhet të kesh përgjegjësi, që atë element të mirë me të cilin t’i punon, në përfundim të studimeve të jenë të aftë të përballen me sfidat e profesionit. Duhet që atë eksperiencë që ke marrë në skenë, t’ua transmetosh studentëve. Njëkohësisht duhet të jesh edhe i ndërgjegjshëm, bashkohen të gjitha, për t’u dhënë studentëve atë profesion që ke, pa i kursyer asnjë njohuri. Ekzistojnë traktate të ndryshme për degë të ndryshme, sicc është edhe kanto, por ky profesion nuk mund të mësohet prej tyre. Kjo do një punë të drejtëpërdrejtë me pedagogun dhe në mënyrë shumë sistematike, thuajse të përditshme. Do vullnet, pasion dhe sigurisht shumë dashuri. Pa dashuri s’bëhet…”

Krahas arritjeve të dalluara në skenë por edhe në profesionin e pedagoges, Edith Mihali ka qenë drejtuese artistike e Teatrit të Operës dhe Baletit, për thuajse 8 vjet, ku edhe kjo eksperiencë është shënjuar nga përkushtimi, ideali për një standard në art, përgjegjësia dhe padyshim pasioni.

(Visited 2 times, 1 visits today)

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *