Aktualitet

Universitas vjen këtë të shtunë me: Rrugët qorre të mendimit shqiptar

Shkruar nga Liberale
Universitas vjen këtë të shtunë me: Rrugët qorre

Suplementi “Universitas” vjen çdo të shtunë në Gazetën Liberale, me rubrika të larmishme, zhanre të ndryshme, jo vetëm analiza politike, por edhe analiza për çështje të rëndësishme.

Në rubrikën “Polemika” do të gjeni një shkrim nga Klementin Mile me titull: “Rrugët qorre të mendimit shqiptar”. 

“Për mendimin shqiptar, rënia e komunizmit në vendin tonë fill pas rënies së këtij regjimi në të gjithë Europën Lindore dhe Bashkimin Sovjetik, pati pasoja katastrofike. Katastrofa prek themelet strukturore të sistemit social dhe, për këtë arsye, i imponohet mendimit duke e vendosur para faktit se nuk ka më kohë dhe duhet zgjedhur patjetër një rrugë drejt së ardhmes. Në këtë kuptim, rënia e komunizmit ka qenë për mendimin shqiptar aq katastrofike sa dhe “vdekja e Zotit” për mendimin europian.”

Ndërsa në rubrikën “Profil” do të gjeni një shkrim nga Vladimir Myrtezai me titullin: “Polakja Danuta Kosciuszko Jukni/ Në dashuri të pakthyeshme”

Sa herë vështroj atë kohë dhe sa më larg i rri aq dhe më interesante më duket ai reliev që në fakt po ta jetoje ishte një kornizë e rëndë rregullash dhe një kontroll mbytës ndaj privacisë dhe jetës së lirë, por gjithsesi në një ngushticë të tillë njeriu përpiqet të projektojë vlerën e thjeshtë të jetës apo vetë formën e të mbijetuarit si një jetë të kushtëzuar që detyrimisht i nënshtrohej për ta pranuar e marrë pjesë në të”, e nis shkrimin e tij Myrtezai.

"Vlerat kulturore shqiptare në tehun e ish-sigurimit të shtetit", një shkrim që vjen nga Eugjen Merlika dhe që përqëndrohet mbi raportet e ish-Sigurimit mbi shkrimatarët Ernest Koliqi dhe Martin Camaj.

"Në këta katër dokumente të CIA-s, të raportuara nga ndonjë agjent shqiptar i saj në Beograd (me gjasë ndonjë spiun i dyfishtë i Sigurimit dhe i CIA-s) nuk vërehet absolutisht asnjë e dhënë mbi Martin Camajn, student në Beograd, aq më pak mbi një veprimtari të mundëshme të tij në dobi të UDB-së", shkruan Merlika.

Po ashtu, analisti dhe gazetari Enver Robelli sjell shkrimin "Trauma ballkanike të vitit 2020".

"Mbi prejardhjen e familjes mbretërore serbe, origjinën e nënës së Skënderbeut, Migjenin si uragan të letërsisë shqipe, shumësinë e identiteteve të Eqrem Bej Vlorës dhe kacafytjet shqiptaro-serbe për historinë në vitin 2020."

Ndërsa në rubrikën “Campus” do të lexoni një shkrim me titull: “Pranimi në Universitet/Pakënaqësi e lartë".

Po ashtu, në këtë rubrikë do të lexoni shkrimin me titull: Nisma e Departamentit të Komunikimit / Student Talks”. Pedagogia në Departmentin e Shkencave Humane dhe Komunikimit, UET, Miranda Prifti sjell të shtjelluar shtimin e kërkesave të kohës për profesionistë të rinj në fushën e komunikimit. Ndërsa studentja Suela Laska rrëfen mbi eksperiencën si Menaxhere e rrjeteve sociale.

Këto dhe shumë të tjera do t’i lexoni në fundjavë në suplementin “Universitas”./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH