Kryesore

Rruga e Bashës

               Publikuar në : 10:01 - 09/07/19 V Liberale

Me kërkesat e pandryshueshme për largimin e Ramës, qeverinë tranzitore dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare, me përgjigjen e prerë të ndërkombëtarëve që i njohën zgjedhjet vendore si të rregullta dhe nuk kanë dërguar negociatorë për krizën, rruga e vetme që sheh Basha për t’i arritur kërkesat e tij dhe të aleatëve është pikërisht rezistenca dhe rruga

Suadela Balliu

 Me të kapërcyer sfidën me pjesëmarrjen pas afro dy javësh shkëputje nga protestat, kryetari i PD-së ripërtëriu edhe njëherë kauzën e opozitës, duke siguruar mbështetësit në pandryshueshmërinë e akteve dhe kërkesave të tyre qysh prej muajit shkurt. Për Bashën dhe aleatët kjo ishte edhe dalja e parë pas 30 qershorit, ballë përballë me protestuesit, të cilët më herët i nxitën edhe në mbrojtje të demokracisë për pamundësimin e zgjedhjeve.

Për ata të zhgënjyerit se opozita nuk ndoqi itinerarin e parë për zgjedhjet, Basha do të thoshte se pikërisht 30 qershori i shërbeu më shumë se kurrë opozitës për të kuptuar se shumica e shqiptarëve e braktisën procesin. Referendum kundër së keqes, e cilësoi kreu i demokratëve gjatë protestës së djeshme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Duke i quajtur aksionarë të lëvizjes për largimin e Ramës, ata që bojkotuan votimet e së dielës së fundit të qershorit, Basha do t’u premtonte atyre që iu bashkuan në protestë se

“Bashkë do ta rrëzojmë këtë qeverisje antikombëtare”.

Ndërsa u ndal te protestuesit e burgosur që prodhuan disa nga aktet e demokratëve për të penguar procesin zgjedhor, por edhe atyre të ndaluar nga policia në disa prej protestave që kanë shënuar akte dhune, kreu i selisë blu përcolli edhe një mesazh për socialistët.

“Braktiseni Edi Ramën! Izolojeni Edi Ramën! Shpëtoni partinë tuaj dhe nderin tuaj, të marrë peng nga krimi, oligarkët dhe të fortët e rrugës”, do të shprehej Basha, thirrje të cilën e ka bërë edhe më herët, ndërsa shprehej se dialogu me socialistët për krijimin e një qeverie tranzitore do të vinte vetëm pas largimit të Ramës nga detyra e kryeministrit.

Basha nuk ndryshon

Dje Basha tregoi se nga kjo e fundit nuk kishte hequr dorë, me gjithë tërheqjen e tij nga qëndrimi për pamundësimin e zgjedhjeve për një më të moderuar si thirrjet për bojkot, të cilat erdhën edhe pas dekretit të presidentit për ta shfuqizuar 30 qershorin.

“Shqipëria sot është një vend pa ligj është një vend pa rregulla, është një vend pa drejtësi. Në Shqipëri sundon Njëshi. Në Shqipëri mbretëron një njeri i vetëm. Të gjitha pushtetet i ka Edi Rama”, u shpreh Basha, ndërsa veç largimit të Ramës përsëriti edhe njëherë kërkesën e opozitës për drejtësi përmes ligjit ndaj atyre që janë përgjegjës për shitblerjen dhe vjedhjen e votave.

“Dua ta deklaroj para gjithë botës: Derisa të dalin para drejtësisë, ata që vodhën votat e shqiptarëve, bashkë me krimin, nuk do të ketë zgjidhje politike. Ne do të bëjmë çdo përpjekje, do të përdorim çdo mjet për t’i nxjerrë ata para drejtësisë”, premtoi Basha, ndërsa prej 30 qershorit zyrtarisht PD është forcë politike e papërfaqësuar në asnjë pushtet.

Prej muajsh ftesave të kryeministrit, herë në deklarata e herë në letra publike, për dialog kreu i opozitës i është përgjigjur prerë me refuzime, protesta e djeshme ishte edhe një përgjigje ndaj dorës së shtrirë të kryeministrit për dialog, pas zgjedhjeve.

“Bashkë me ta, do të largojmë Edi Ramën nga pushteti. Njeriun që e solli krimin në politikë, njeriu që ia la shtetin në dorë krimit”, tha kryedemokrati, duke nënkuptuar se arena e luftimit të opozitës do të jetë rruga dhe protestat që do të vijojnë pas asaj të 8 korrikut. Edhe njëherë Basha shënjestroi kryeministrin Rama si burimin e së keqes dhe se pa largimin e tij nuk do të ishte e mundur as drejtësia, as zgjedhjet e lira e as integrimi në BE.

Me rrezikun e qëndrimit jashtë sistemit, të paktën deri në zgjedhjet parlamentare të 2021-shit -edhe ftesat për dialog të Ramës e kanë pasur fokusin pikërisht në atë kohë – Basha mendon se këmbëngulja në kërkesat dhe qëndresa ka triumfuar. Sipas Bashës, kjo në fakt është një përpjekje jo pesëmujore, por gjashtëvjeçare e Partisë Demokratike.

“Këto përpjekje po sjellin ndryshimin e madh. Jo vetëm largimin e kësaj qeverie, por ndryshimin e thellë të vendit”, do të shprehej ai si për të karikuar me besim mbështetësit që protestonin paqësisht mbrëmjen e së hënës.

Ndryshe nga zgjidhja e majit të 2017-s, Basha do të siguronte se kjo krizë politike do të zgjidhej me parime, duke përjashtuar marrëveshje të cilat i quajti “pazare”.

“Kjo krizë do të zgjidhet duke i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Ata që e kanë sjellë vendin në këtë vend, ata që sollën krimin në politikë, ata që u korruptuan, nuk do të dalin nga kriza si shpëtimtarë, por si përgjegjës.”

Gjuha radikale

Radikal në retorikën e tij, Basha dje përcolli disa paralajmërime për të fortët e rrugës, të politikës, të biznesit, por edhe medias.

“Përgatituni për ditën e gjykimit! Drejtësia ka vonuar, por drejtësia nuk do të mungojë!”, do të shprehej ai, duke iu drejtuar kriminelëve: “Ne do t’ju shtypim pa mëshirë! Do ta pastrojmë Shqipërinë nga fara juaj shkatërrimtare!”, tha ai, ndërsa e çoi edhe njëherë vizionin e tij pas largimit të Ramës dhe e pozicionoi veten si fitimtar.

Të tijën e projektoi si “qeveri të popullit” , të cilën për ta pasur fillimisht do të duhej një reformë zgjedhore – edhe pse kjo e fundit mund të miratohet në parlament me votat e opozitës së re – dhe reformë të partive, duke siguruar që paratë e krimit dhe të oligarkëve të mos kishin rol në zgjedhje e as administrata e as media për të manipuluar votuesit.

Kjo, sipas Bashës, ishte sfida e parë e largimit të Ramës nga pushteti, por ndërsa ai fliste përballë protestuesve Parlamenti kishte votuar me 101 vota pro ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar për shkarkimin e presidentit.

Basha do të thoshte se rruga e transformimit politik dhe ekonomik do të nisë nga zgjedhjet e lira dhe se qeveria e dalë prej tyre do të jetë ajo që do të hapë menjëherë negociatat me BE-në, përgjigjja e së cilës vjen këtë vjeshtë.

Në protestën që zgjati dy orë, Basha shpalosi thuajse një platformë të mirëfilltë elektorale, duke mos u ndalur vetëm te kushti i parë i opozitës për largimin e Ramës.

Me ndërkombëtarët që kanë mbështetur 30 qershorin dhe i kanë dhënë rëndësi prioritare ecurisë së Reformës në Drejtësi, si domosdoshmëria emergjente për vendin dhe me reagimet e tyre të vakëta e të largëta për dialog mes palëve për zgjidhjen e krizës politike, Basha do të konfirmonte se shpëtimin nuk e pret nga jashtë, ashtu siç erdhi më 2017-n.

“Në rrugën tonë do të kemi ndihmën e miqve. Në betejat tona nuk do të jemi vetëm, por beteja është e jona”, do të thoshte kreu i PD-së, duke shtuar se dinjitetin nuk do ta gjejnë duke bërë viktimën. Një qëndrim ky i ndryshëm nga ai i presidentit Meta dhe ish-kryeministrit Berisha që e kanë cilësuar reformën në drejtësi si një plan destabilizues i organizatave të huaja, duke nënkuptuar rolin e fondacionit “Soros” në ideimin e reformës në Drejtësi.

“Forcën nuk do ta gjejmë duke fajësuar të tjerët. Shpëtimi nuk do të na vijë nga jashtë. Zgjidhja nuk do vijë me magji. Punën nuk do të na e bëjnë të tjerët”, do të shprehej si në forma të pohimeve universale kreu i opozitës.

Duke evokuar patriotët dhe duke shkuar pas në kohë me shpalljen e pavarësisë, Basha do të thoshte se kjo është koha e shqiptarëve. Por me kërkesat e pandryshueshme për largimin e Ramës, qeverinë tranzitore dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat edhe Presidenti Meta do t’i cilësonte maksimaliste e që e bëjnë të vështirë hyrjen në dialog, por edhe me përgjigjen tanimë të prerë të ndërkombëtarëve që i njohën zgjedhjet vendore si të rregullta dhe nuk kanë dërguar negociatorë për krizën, duke mos pranuar përfitime nga ndonjë marrëveshje e ngjashme me atë të dy viteve më parë, që do ta kthente sërish brenda sistemit opozitën, rruga e vetme që sheh Basha për t’i arritur kërkesat e tij dhe të aleatëve është pikërisht rruga. Në betejën për të mos humbur si forcë politike dhe atë përballë kundërshtarëve politikë, Bashës i duhet të luftojë dyfish. Lufta duket e gjatë dhe jo pak e vështirë./Gazeta Liberale

(Visited 73 times, 1 visits today)

Etiketa: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *