Aktualitet

Rruga Broduej dhe Kadare

Shkruar nga Liberale
Rruga Broduej dhe Kadare

Roland Gjoza

Brodueistët i dinin të gjitha itineraret e Kadaresë. "U nis Moli. Pas "Kështjellës", zonja Pompidu i botoi "Kronikë në gur". Maria Antuaneta, ajo bukuroshja e Pigalit, iu lut për një titull tjetër për romanin; "Qyteti në gur." Edhe për "Kështjellën" ajo i tha t'ia vinin "Tamburët e shiut". "Pse, ne Pigal vendosen këto gjëra?"  "Vetëm atje, shtremso, kështu, pra, që të mos e zeje syri i keq."

Kadare merrte së pari bekimin e brodueistëve. Pastaj puna e tij merrte dhenë: shitëset e mapos prisnin me kureshtje si do të vinte e veshur Elena, berberi Faje e kishte merak prerjen e flokëve ala parisien, bukinisti shpresonte për ndonjë album apo libër të vjetër të blerë gati falas në bankinat antike të urave mbi Sene. Pse ndodhte kjo? Atëherë ishte rast i rrallë të dilje jashtë. Të quanin me fat. Kur mbërrinte Kadare, Broduej ishte dhe Bulevardi i Madh. "U kthye Kadare, e shikoni? Paska veshur këpucë me taka të larta. Moda qenka me majë. Elena e paska kostumin pak të ngushtë. Sa bukur ia tregoka trupin, të nxirës me bojë. Elenë, po Elenë me halle, ama. Nuk kam parë grua më të bukur dhe më zonjë.

Në fund të Bulevardit të Madh nuk ishte më Universiteti, po Kulla Eifel. Parisi kishte ardhur bashkë me Kadarenë. “Sa me fat!" pëshpëritnin vajzat e bukura.

Më thirri Ibrahim Uruçi, kryeredaktori i Dritës, dramaturg me emër në atë kohë dhe më tha të shkoja t'i merrja një artikull Razi Brahimit. Ai ishte kritiku më i famshëm, më i frikshëm dhe më dogmatik i kohës. Në zyrë ndodhej Kadare. Ai dukej i shqetësuar. "Shpejt, se do ta botojmë në këtë numër. Është me shumë rëndësi", tha Uruçi. Dhe tendosi e kërciti tirandat prej llastiku të pantallonave.

Ishte një shtëpi përdhese te konviktet e studentëve. E shoqja lante rroba në një govatë, ndërsa Raziu shkruante brenda. Unë e prisja ulur mbi një gur. Pas gati një ore,  Raziu thirri nga brenda “Hi." E shoqja la rrobat menjëherë, fshiu duart në përparëse dhe duke nxjerrë hi nga një stufë në oborr, më tha: "Mbaroi."

Pas pak Raziu doli vetë dhe më dha një tufë me letra të mbushura me shkrim dore.

"Pjesën e dytë, eja merre pas tri ditësh", shtoi ai ftohtë. Ishte një burrë i shkurtër, tepër i zeshkët, i zymtë si të gjithë shkrimtarët.

Në zyrën e Ibrahimit priste Kadare. U mbyll dera dhe unë dola në korridor. Në zyrat e Dritës ishin Frida Zeqo,Thanas Dino, Moikom Zeqo, Viktor Qurku, Fatos Kongoli, Vasil Melo. Ata nuk e dinin ç'i priste. Unë vërtitesha më tepër në korridor.

Ata dolën. Kadare i thoshte Uruçit; "Kjo është një paçavure, ai nxin poezinë më të mirë të të rinjve"  "Shëëët, është shkrim i porositur nga lart. Diçka po vjen rrotull."

"Fik deti etj.." ishte shkrimi që do të paralajmëronte Plenumin famëkeq për letërsinë dhe artet. Në të kritikohej me tone të ashpra poezia moderne me metafora të guximshme e abstragim te thukët te Th.Dinos, V.Qurkut, M.Zeqos, F.Halitit, Xh.Spahiut, F.Reshpës, të cilët, sipas autorit kishin ndikime nga Sartri e Frojdi.Të përmendeshin këta emra në atë kohë ishte tejet e rrezikshme.

Pas dy ditësh i çova Kadaresë në shtëpi një tufë me libra dhe gazeta. Nuk kisha qënë ndonjëherë në shtëpinë e Kadaresë. Derën ma hapi Elena. Nga brodueistët poshtë kisha dëgjuar se dyert me rimeso Kadare i kishte vënë me "Dimrin..," oxhakun, me "Kronikën.." dhe kështu me radhë.

"Këta janë gomarë", shpërtheu Kadare". Shiko, kanë fshirë portretin e Frojdit, Sartrit dhe Kamyse, i kanë vënë një kryq të kuq. Injorantët!"

Ato ishin libra dhe gazeta të porositura që vinin nëpërmjet ndërmarrjes së Përhapjes së Librit, për një grup të zgjedhur njerëzish nga fusha të ndryshme. Veçse ishte një rregull, përpara se të shpërndaheshin, kalonin te zyra e kontrollit. Atje, personaliteteve më të mëdhenj të botës, që kritikoheshin nga partia, u prisnin kokën, u grisnin artikujt, një pjesë të madhe të librave e hidhnin në kosh.

"E more pjesën e dytë?" më pyeti Kadare. "Sot në mbrëmje do të shkoj." "Do të ketë koka!"

Sa me fat është ky Kadare, thoshin brodueistët, nesër niset për në Amerikë. Do të kaloj nëpër Broduejn e vërtetë, në Mannhatan. Ah, ta lumsha, Kadare.Ke le me këmishë."

Vërtet rrebeshet e tundnin dhe e shkundnin apartamentin kubist të Kadaresë, po ja që, nëpër interlude hapej moti, një çerek diell dilte dhe për të dhe ai udhëtonte.

Ibrahim Uruçi vdiq në Tepelenë, si pastrues  rrugësh, Qyrku u çmend dhe u hodh nga një shkëmb në Qeparo, Rreshpja u burgos, Haliti u internua, Spahiut iu bë karton një libër dhe u dërgua me punë në fshat.

Tolloni. Pas Daci Baos, fletërrufesë, erdhi tolloni. Kadare shkruante romanin e madh "Koncerti.." Kinezëritë, heroi i importuar, monstra,Lei Fen, po e kërcënonte Broduejn. Nuk kishte kafe, po çikore. Një pako gjalp 200 gram në javë. Një gjysmë kg vaj, gjysmë kg sheqer. Një kg mish në muaj. 10 kokrra vezë në javë. O zot, ju kujtohet? "Më mirë hamë bar, se të shkelim parimet."

Kadare shkruante romanin e shkëlqyer "Koncerti...," me racion.

Nuk e harroj kurrë atë ditë. Si ta harroj? E gjora grua, e kam fjalën për Elenën, mbante radhë te mishi. Ç ‘radhë qenë ato të nxirat, të gjata, të heshtura, të pikëlluara...më mirë hamë bar...Elenës i erdhi radha. Nuk i doli zëri. O zot, Elenës së bukur nuk i doli zëri. Shitësja, derdengë, që i shkëlqente lëkura, tha me autoritet; "E,Elenë, ç'ke, pse s'flet?. "Nuk më del një racion mish. Ka mundësi...Kadare po shkruan një roman të vështirë. Ka nevojë, më kupton? Dhe shikonte nga radha e gjatë e heshtur, e gjora Elenë. Priste një lloj miratimi. Po asnjë shenjë nuk po jepej. Shitësja thirri: "Merre dhe një racion për Kadarenë nga ana ime." Asnjë nuk foli. Shitësit kishin rëndësinë e Sekretarit të Parë. Ajo nuk e bëri se ia dinte vërtet vlerën Kadaresë, po që të tregonte se ishte mbi Kadarenë.

Ç'hoqi Kadare i shkretë nga racioni. Kinezëritë që përshkruante ai në roman, u panë si kinezëritë shqiptare. Thanas Leçi, drejtori i shtëpisë botuese "Naim Frashëri" ia nxiu jetën. Relacione pa fund në Komitetin Qendror, akuza, kërkesa për ndëshkim, kërcënime. Anëtari i Komitetit Qendror, Anastas Kondo,që mbulonte letërsinë dhe artet, e konsideronte romanin krejt të pabotueshëm, madje armiqësor. Dorëshkrimi i romanit u mbyll në sirtarin e drejtorit ku fjeti me racion për pesë vjet.

Ah, ky racioni! Po Kadareja kishte fat, dilte jashtë herë pas here, shtrohej në restorantet aristokratike të Parisit ku pinte nga ajo vera e kohës së Mari Antuanetës, $1000 shishja. Ah, ta lumsha Kadare, ti je vërtet me fat. Këto i thoshim ne brodueistët, të kënaqur që Kadare bënte sfidë, shkullonte verë të kuqe Burgonjë, nga ajo më e mira me shkrimtarë dhe kineastë të shquar francez.

Në atë kohë ne e ngrysnim me çaj mali dhe një thërrime djathë. Ushqimi ishte shndërruar në mit.

Tufëzimi kishte bërë që kakarisja e një pule të dukej më e bukur se melodija e filmit "Love story" ose këngët e Vaçe Zelës.

Pastaj erdhi ikja e Kadaresë. Sikur humbëm shpirtin. Një pjesë e artistëve u lehtësuan. Të gjorët, kujtonin se vendet në letërsi, ishin si karriget në kinema që edhe mund t'i zësh, se s'të thotë njeri gjë. Iku për të marrë Nobelin, dezertori, e morët vesh, tha jashtëqitja e kombit për emigrantët. Te gjitha shpifje. Te gjitha të këqijat vinin nga Kadareja. Ai ishte armiku. Ta harrojmë Kadarenë.

Arsyet e ikjes Kadareja i shpjegon në librat e tij.

Ne brodueistët e brezit të tretë mendonim se Kadareja i hapi ambasadat, ai e shpejtoi pluralizmin, ai ia nxori mirë bojën komunizmit. Ikja e tij ishte sfida e madhe, me ju s'jetohet! Ç ‘fat i madh! E bëri para nesh, brodueistave.Të lumtë Kadare.

Një ditë një mik më tha: “Vetëm dy gjëra mund të eksportojë Shqipëria; bashkëjetesën fetare dhe Kadarenë" /Gazeta Liberale

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH