Aktualitet

Rrjeti i Ekselencës/ UET vlerëson me certifikata 100 studentë të shkëlqyer

Shkruar nga Liberale

Dija matet me numrin e librave të palexuar, i sfidoi presidenti i Universitetit Europian të Tiranës studentët që kishin mbushur sallën Aula Magna. Të viteve dhe cikleve të ndryshëm e madje degëve të ndryshme, ajo që i bënte bashkë më shumë se 100 studentë ishin rezultatet e shkëlqyera, që i dallon si ekselentë.

“Thjesht bota e librit është e pamjaftueshme për të prekur jetën dhe siç thotë Sokrati, “një jetë që nuk vihet në provë nuk ia vlen edhe ta jetosh. Juve ju erdhi shansi të vini në provë dijet tuaja dhe të eksperimentoni”, iu drejtua profesor Selami Xhepa, të rinjve të pranishëm në ceremoni.

Ai iu tha studentëve se libri u shërben të pasurojnë dijen, por eksperimentimi dhe puna praktike do t’i bëjë të mund t’i shtyjnë edhe më tej kufijtë e dijes.

“Shkolla nuk është institucioni ku mësohen të vërteta finale. Shkolla është institucioni ku shtrohen pyetjet e duhura dhe njerëzit pajisen me metodat e duhura që të kërkojnë të vërteta e tyre. Që nga koha e Aristotelit vazhdojmë të bëjmë të njëjtat pyetje dhe ato që ndryshojnë janë përgjigjet. Dhe ato përgjigje do t’i ndryshoni ju, nëpërmjet punës suaj”, i inkurajoi profesor Xhepa ata.

Roli i atyre që përbëjnë pjesën e ekselencës e një shoqërie, është të thyejnë barrierat e dijes dhe t’i zgjerojnë kufijtë e dijes e të zhvillimit të një vendi.

Zoti Xhepa vuri theksin tek sfidat e shoqërisë së sotme, të pandeshura më parë.

“Dija teorike është në zhbërje, sidomos në disa fusha të kërkimit shkencor, në fushat sociale dhe ende nuk është formuar një model i ri teorik. Nuk dua të them me këtë që do ta formoni ju këtë dije teorike, por nevoja për të ruajtur një kontakt me universitetin dhe me qendrat e kërkimit shkencor, kudo ku do të jeni në punën tuaj, është më emergjente se kurrë”.

Ai u tha studentëve se ndryshimet në rendin botëror, atë politik dhe ekonomik, është një mundësi për këta të rinj të kontribuojnë në adresimin e sfidave, në kontekstin e shoqërisë shqiptare.

“Universiteti do të jetë gjithnjë pranë jush. Konsiderojeni si një qendër të përhershme, ku mund të vini të komunikoni me pedagogët, mentorët tuaj dhe konsiderojeni formimin tuaj akademik si një proces që sapo ka nisur e ndoshta nuk do të bitisë derisa të marrë fund procesi 50 vjeçar i punës që ju pret” e përfundoi presidenti i UET, fjalën e tij.

Administratori i UET, Tildi Çadri tha se rrjeti i studentëve ekselentë është frymëzim për një universitet që në thelb të tij ka cilësinë. Ai cilësoi disa nga arritjet e Universitetit Europian të Tiranës, i cili së fundi mori një certifikim ndërkombëtar nga një prej agjencive më prestigjioze të akreditimit në Europë, duke iu nënshtruar me vullnet të lirë këtij procesi, si i pari dhe i vetmi universitet publik e privat në Shqipëri. Kjo, sipas administratorit, i jep një vlerë të shtuar diplomave të UET, ndërsa së fundi janë hapur degët edhe në gjuhën angleze.

Po ashtu, zoti Çadri nënvizoi edhe dimensionin e ndërkombëtariazimit dhe projektet në kuadër të shkëmbimeve studentore. “Janë njëqind universitete me të cilët kemi marrëveshje dhe bashkëpunime. ata presin t’i vizitoni, ne presim studentë të huaj”.

UET ka të zhvilluar gjithashtu nxitjen e studentëve ekselentë me bursat e ndryshme që ofron. Zoti Çadri zbuloi se janë mëse 400 bursa të ndryshme, që akordohen çdo vit.

“Ajo që duam të arrijmë përmes këtij rrjeti , jo vetëm të sensibilizojmë pjesën tjetër të shoqërisë por t’u japim meshin e asaj që përcillni. Ju jeni ambasadorët, cilësia në tregun e punës, barometri me të cilin vlerësohet edhe UET”, tha ai.

Administratori i UET zbuloi se universiteti synon të krijojë një rrjet të përbashkët bashkëpunimi të UET Alumni dhe studentëve të ekselencës, ku të parët do të shërbejnë si shembuj suksesi dhe pika kontaktesh për studentët që diplomohen, duke e bërë universitetin pikëtakimin që bën bashkë aktorë të ndryshëm të shoqërisë. “Të jesh ekselent është gjë e rrallë”, do të thoshte dekani i Fakultetit Ekonomik, Elvin Meka. Ai vërejti se në UET ka pasur çdo vit studentë të ekselencës, por “sa vjen bëhet më e vështirë. Sepse, asgjë në shoqërinë shqiptare nuk ofron nxitje për të qenë ekselent, asnjë model social-politik e ekonomik që të përkrahë ekselentët ,është përjashtim nga rregulli. Kjo tregon se jeni të veçantë nga të tjerët dhe ka një element të rëndësishëm, çdokush prej jush beson te dija, te shkolla dhe kjo është gjëja më e çmuar, jo të gjithë kanë besim se me dijen do të shkojnë përpara, kush e ka “bravo i qoftë!”, tha zoti Meka, duke i inkurajuar të rinjtë të vazhdojnë të besojnë tek dija e të shkojnë përpara.

Kiara Abdiu: UET një komunitet, si familje

“Rruga e suksesit nuk është e lehtë. Do të ketë sfida dhe vështirësi, por kjo do të mbetet një nga eksperiencat më të bukura që kam kaluar dhe po kaloj. Kam njohur një staf pedagogësh shumë të përkushtuar, që më kanë ndihmuar të ndërtoj një themel të fortë për atë që më pret në të ardhmen dhe një komunitet që do ta quaja si familje shumë të madhe”, u shpreh studentja e vitit të tretë Bachelor, në Teknologji Informacioni.

Lorenc Malaj: Frymë mirëkuptimi dhe përkatësie

Që ne krye të herës çmoj mikpritjen nga stafi i institucionit dhe transmetimi i një fryme bashkëpunimi dhe përkatësie, duke ma pakësuar ndjenjën e ndrojtjes që kisha fillimisht. Si pjesë e brezit që na u desh të përballemi edhe me pandeminë, në fillim u ndjeva skeptik për mirëfunksionimin e mësimit online, por gradualisht falë logjistikës dhe frymës mirëkuptuese, me pedagogët kaluam çdo hendek vështirësie dhe sfidat e saj periudhe, Pastaj rikthimi në auditorë na njohu më mirë me raportet studentë-profesorë , ku me korrektësi dhe ndërgjegje të pastër shfaqëm respekt dhe vlerësim për njëri-tjetrin. Ky mirëkuptim na e bëri më të lehtë rrugën drejt arritjeve më të larta akademike”, tha studenti i Masterit, në Fakultetin e Shkencave Juridike.

Ledina Sinani: Në UET gjeta atë që më kish munguar në Publik

Vetëm Masterin kam zhvilluar këtu. Jam ish-studente e Matematikës, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe kam bërë krahasimin mes dy sistemeve. Në UET ndjeva atë që më ka munguar gjatë viteve të Bachelorit, përfshi vlerësimin e duhur dhe të merituar të pedagogëve, qasjen e literaturave ndërkombëtare dhe bashkëkohore dhe u njohëm për herë të parë me kërkimin shkencor. E kuptuam dhe kemi qenë të detyruar për mirë, që edhe detyrat e kursit t’i zhvillojmë si të ishin kërkime shkencore, mbështetje nga i gjithë stafi e shumë të tjera që na e bënë shkollimin kënaqësi dhe shtysë që të thelloheshim më shumë në fushën e studimit. Nëse më pyesin pse duhet të zgjedh UET, do të përgjigjesha sepse UET është një institucion, që në qendër vë procesin e të nxënit dhe studentit e që, universitetet e tjera duhet të marrin shembull”, tha studentja e Masterit në Financë-Kontabiliteti, Ledina Sinani.

Ismir Alibashi: Nëse je i mirë me UET, UET është dyfish i mirë me ty!

“Pas Bachelor-it, këtu isha në mëdyshje: ta vazhdoja Masterin apo të nisja punë. Më ofruan një vend në një organizatë me një pagë mjaft të mirë dhe u mëdysha; ta pranoja apo të sakrifikoja edhe dy vite dhe të kërkoja më vonë një punë, edhe më të mirë si edhe të dilja intelektualisht më lart. Është sfidë e bukur. Jam falënderues. Unë kam bërë edhe Erasmus, vitin e dytë dhe kam kuptuar një gjë: nëse je i mirë me UET, UET është dyfish i mirë me ty”, tha para kolegëve studenti i Masterit në Degën e Komunikimit.

Lemisa Doka: Pedagogët, këshilltarë dhe miq për ne

“Hap pas hapi, ditë pas dite, vit pas viti pedagogët tanë bëhen asistentë, këshilltarë dhe miq të paçmuar për ne. Na mësojnë që, qëllimi kryesor i dijes të mos mbetet thjesht akumulimi i saj, por arritja e një shkalle më tepër. Le të jetë lumturia e brendshme, le të jetë jetesa pa frikën e së nesërmes, le të jetë komunikimi brenda familjes, le të tjerë shëndeti, le të jetë realizimi i disa ëndrrave fëminore, le të jetesa në harmoni me komunitetin, le të jetë kujdesi për ata që janë në nevojë, sepse këto na identifikojnë si njerëz. Bëhuni më të mirët në çdo gjë që prekni!

Njohuritë që do të merrni brenda dhe jashtë mureve të universitetit të bëhen trampolinë të besueshme në rrugën drejt qëllimit tuaj”, u shpreh studentja e Fakultetit të Shkencave Mjekësore, Teknike në UET.

[gallery columns="1" size="full" jnewsslider="true" ids="1247368,1247371,1247372,1247353,1247369,1247367,1247365,1247364,1247363,1247362,1247370,1247360,1247359,1247358,1247356"]

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH