Globi

Rritja e çmimeve nuk ndalet, recesioni kërcënon Europën, më e rrezikuar Italia

Shkruar nga Liberale
Rritja e çmimeve nuk ndalet, recesioni kërcënon Europën,

Inflacioni i Eurozonës u rrit në 8.6 për muajin qershor nga 8.1 për qind që ishte në muajin maj, pas një përshpejtimi të mprehtë të çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, në shumë vende evropiane, për shkak të ndërprerjeve të furnizimit të shkaktuara nga pushtimi rus i Ukrainës.

Presionet në rritje të çmimeve në bllok kompensuan një ngadalësim gjerman të inflacionit, i nxitur nga transporti dhe subvencionet e energjisë elektrike, me qëllim për të zbutur koston më të lartë të jetesës.

Ekonomistët e anketuar nga Reuters e kishin parashikuar inflacionin e eurozonës prej 8.4 për qind. Claus Vistesen, një ekonomist në “Pantheon Macroeconomics”, tha se rritja më e madhe se sa pritej “rrit rrezikun” që Banka Qendrore Europiane do të rrisë normat me më shumë pikë sesa përqindja e planifikuar në tremujorin e saj, duke shtuar se ajo ka mbetur shumë pas në kohë.

Presidentja e BQE-së Christine Lagarde tha këtë javë në forumin vjetor të bankës në Sintra, Portugali, se do t'i përmbahet planit të saj për të filluar rritjen e normave të interesit, me një rritje bazë prej 25 pikësh, më 21 korrik. Ajo shtoi se një lëvizje më e madhe ka të ngjarë të realizohet në shtator, nëse nuk do të ketë një ngadalësim të shpejtë të inflacionit.

Banka qendrore po kryen një veprim të vështirë balancimi për të frenuar rritjen e shfrenuar të çmimeve, ndërsa po përpiqet të shmangë zvarritjen e rajonit drejt një recesioni të thellë ose një krize tjetër borxhi pasi kostot e huamarrjes u rritën ndjeshëm në vendet më të dobëta si p.sh. Italia.

Fabio Panetta, anëtar i bordit ekzekutiv të BQE-së, tha në një fjalim të premten se rritja e normës duhet të jetë “graduale” sepse, ndryshe nga SHBA, inflacioni i lartë "nuk pasqyron kërkesën e tepërt në zonën e euros”.

“Konsumimi dhe investimet mbeten nën nivelin e tyre para pandemisë, madje edhe më larg nga tendenca e tyre para pandemisë,” tha Panetta. “Kur norma e depozitave të BQE-së të rritet nga minus 0.5 për qind mbi zero, çdo lëvizje e mëtejshme “do të varet nga evolucioni i perspektivës mbi  inflacionin dhe ekonominë”, tha ai.

Papunësia në 19 vende të BE-së ra në një nivel rekord prej 6.6 për qind në maj, gjë që ka të ngjarë të shtojë presionin, në rritjen e pagave.

Christoph Weil, një ekonomist në Commerzbank, parashikoi se inflacioni i eurozonës do të ishte 7.5 për qind deri në fund të këtij viti, shumë mbi objektivin prej 2 për qind të vendosur nga BQE.

Inflacioni u rrit në 17 nga 19 vendet e eurozonës në qershor, duke u ngadalësuar vetëm në Gjermani dhe Holandë, sipas një vlerësimi të shpejtë realizuar nga Eurostat. Ai u rrit me ritme dyshifrore në nëntë shtete anëtare dhe mbi 20 për qind në Estoni dhe Lituani. Normat më të ulëta të inflacionit i kishin Malta dhe Franca, përkatësisht 6.1 dhe 6.5 për qind.

Çmimet e energjisë u rritën me një nivel më të lartë historik për eurozonën prej pothuajse 42 për qind në qershor, pasi Rusia uli furnizimet me gaz natyror për Evropën. Çmimet e ushqimeve, alkoolit dhe duhanit në bllok u rritën me 8.9 për qind, duke reflektuar ndërprerjen e furnizimeve me mallra bujqësore, të shkaktuar nga konflikti në Ukrainë.

Inflacioni bazë, duke përjashtuar çmimet më të paqëndrueshme të energjisë dhe ushqimeve, u ngadalësua lehtë në 3.7 për qind në muajin qershor, duke reflektuar çmime më të lira për transportin, për shkak të subvencioneve qeveritare. /Përgatiti: Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH