Aktualitet

Rritet me 50% numri i personave të shtruar në psikiatri në 2023

Shkruar nga Liberale
Rritet me 50% numri i personave të shtruar në psikiatri në 2023

Çrregullimet mendore po përparojnë më shpejtësi në popullatën shqiptare, por fenomeni pësoi rritje të shpejtë pas pandemisë Covid-19.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë në 4-mujorin e parë të vitit aktual, numri u personave të shtruar në pavijonet e psikiatrisë u rrit me rreth 50%, duke arritur në 1122 pacientë nga 749 që ishin në 4-mujorin e parë 2022.

Shtrimet pësuan rritje edhe në shërbimet e tjera spitalore. Në 4 mujorin e parë rreth 99,500 persona u shtruan në spitale me një rritje vjetore 15%. Aktivitetet e spitaleve publike kanë shënuar rritje për të gjitha shërbimet tregojnë të dhënat.

Teksa barra e sëmundjeve po përparon në popullatë për shkak të plakjes së popullsisë dhe stilit të jetesës, disa shërbime shihet se kanë mangësi si në stafe dhe ambiente. Në një situatë të tillë janë edhe shërbimet spitalore për sëmundjet mendore dhe sëmundjet e zemrës.

Shqipëria ka një numër të ulët mjekësh për banorë, por numri i mjekëve psikiatër është shumë i ulët në raport me nevojat.

Mjekët psikiatër vlerësojnë se përhapja e sëmundjeve mendore në popullatë është me e lartë se raportimet zyrtare, pasi ka nën-diagnostikim të ulët për shkak të kulturës së ulët që ka popullata për të pranuar sëmundjen.

Më herët mjeket psikiatër të spitalit psikiatrik në QSUT pohuan për Monitor se në spitalet psikiatrike gjithmonë shfaqet kjo tendencë, numri i pacientëve herë ulet dhe rritet. Kjo pasi disa pacientë kronikë të shtruar në psikiatri që përfundojnë mjekimin, rikthehen sërish për shtrime, pasi gjendja e tyre përkeqësohet nga përdorimi i substancave narkotike.

Pavarësisht se ankthi nuk mjekohet apo trajtohet nga spitalet psikiatrike, mjekët e poliklinikave pohojnë se rastet e pacientëve që vuajnë nga ankthi gjatë kësaj periudhe janë në rritje të lartë krahasuar me vjet.

Mjekja psikiatër Arjan Rreli pranë Qendrës Komunitare të Shëndetit Mendor Nr. 3 në Tiranë tha se pas ngjarjes së tërmetit të vitit 2019 dhe pandemisë së Covid-19 vijon tendenca rritëse e pacientëve me shenja ankthi dhe depresioni.

Mjekja psikiatër Rreli veçoi se ngjarjet e shumta në vend, duke përfshirë aksidentet me humbje jetësh apo vrasjet, të transmetuara nga mediat, por edhe përcjella e tyre nga modelet e tjera të teknologjisë së informacionit po ndikojnë negativisht në shtimin e këtyre pacientëve, duke u shkaktuar ankth dhe pasiguri.

Një tjetër faktor në shtimin e pacientëve me ankth mjekja psikiatër veçoi edhe ndryshimin e shpejtë të temperaturave.

Pandemia Covid -19, ndër simptomat më të rënda që la pas ishte shëndeti mendor. Organizata Botërore e Shendetëisë ka bërë thirrje për rritjen e kapaciteteve në shëndetësi për trajtimin e problemeve mendore.

Stresi, depresioni dhe sëmundjet mendore në përgjithësi u stimuluan nga disa ngjarje të paparashikuara vitit e fundit. Fillimisht tërmeti i vitit 2019, më pas pandemia Covid-19, lufta në Ukrainë dhe më pas çmimet e larta kanë krijuar destabiltet mendor dhe kanë përkeqësuar situatën e atyre me predispozitë depresioni.

Pas një stabilizimi në vitin 2022, numri i pacientëve në spitalin psikiatrik ju kthye rritjes. Mjekët pohojnë se të sëmurët neglizhojnë simptomat dhe trajtimin me medikamente deri sa vijnë në gjendje të rëndë që kërkojnë trajtim spitalor.

Një nga studimet më të mëdha të kryera (deri më tani) mbi efektet mendore që lë Covid-19, ka zbuluar se personat që shërohen nga virusi rezultojnë të vuajnë nga probleme psikiatrike ose neurologjike deri gjashtë muaj më vonë.

Studimi i botuar në revistën “Lancet Psychiatry” mori në vëzhgim të dhënat shëndetësore të mbi 23 mijë pacientëve që ishin rikuperuar nga Covid-19 dhe zbuloi se 34% e tyre kishin probleme neurologjike ose psikiatrike brenda gjashtë muajve./Monitor

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH