Globi

Rreziqet e neglizhuara të rrjeteve të ekstremit të djathtë në Ballkan

Shkruar nga Liberale
Rreziqet e neglizhuara të rrjeteve të ekstremit të djathtë

Hikmet Karcic

Disa ditë më parë, media sllovene zbuloi ekzistencën e një dokumenti diplomatik jozyrtar, që fliste mbi potencialin e “shpërbërjes” së Bosnje-Hercegovinës si shtet, dhe krijimin e kufijve të rinj përgjatë linjave etnike në Ballkan.

Njerëzit në Bosnje e mësuan shumë kohë më parë se sapo dikush diku fillon “të vizatojë” kufij të rinj, kjo zakonisht do të thotë që në versionin më të mirë të ngjarjeve, boshnjakët do të përfundojnë në mërgim.

Një çerek shekulli më parë, udhëheqësit serbë dhe kroatë “vizatuan” kufij të rinj të ngjashëm me ato të paraardhësve të tyre në vitin 1939, në prag të Luftës së Dytë Botërore. Të dyja herët, kjo gjë ka nënkuptuar se boshnjakët do të përfundojnë në enklava, në autokolona refugjatësh dhe në varre masive.

Sllovenia, e udhëhequr nga Janez Jansa, një politikan i ekstremit të djathtë dhe me lidhje të forta me politikanë të tjerë të ekstremit të djathtë në të gjithë Evropën, më së shumti me kryeministrin hungarez Victor Orban, ka gjithashtu lidhje të forta në Republika Srpska, entiteti serb brenda Bosnjë dhe Herzegovinës.

Në vitin 2018, nisi një hetim mbi një hua të majme që iu dha partisë së zotit Jansa nga një biznesmene nga Republika Srpska. Koha e botimit të këtij dokumenti është veçanërisht shqetësuese për shkak se Sllovenia do të mbajë presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian nga 1 korriku dhe deri më 31 dhjetor 2021, kur mund të priten përpjekje për ta shtyrë përpara këtë axhendë.

Përgjatë viteve udhëheqësit politikë serbë dhe kroatë të Bosnjës, me ndihmën e aleatëve brenda institucioneve qeveritare të Serbisë dhe Kroacisë, kanë promovuar idenë e shpërbërjes së Bosnjes përgjatë ndarjeve etnike, në mënyrë që ato të shkrihen në një “Serbi të Madhe” dhe “Kroaci të Madhe”.

Pandemia e Covid-19, rritja e ndikimit rus dhe kinez në rajon, përpjekjet për destabilizimin e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, rritja e nacionalizmit, populizmit dhe ekstremizmit të ekstremit të djathtë, e kanë futur sërish rajonin në një situatë delikate.

Një rrjet aktorësh të ekstremit të djathtë, përkatësisht kryeministri hungarez Victor Orban, e kanë dominuar hapësirën publike dhe ligjërimin politik në të gjithë rajonin, duke shkuar edhe përtej tij. Në shkurtin e vitit 2018, udhëheqësja italiane e ekstremit të djathtë Giorgia Meloni u takua me Viktor Orban.

Gjatë takimit të tyre, në mur ishte e pranishme një hartë demografike e Bosnjës Hercegovinës. Nuk pati asnjë shpjegim zyrtar për këtë, por është e qartë se ka ndodhur një diskutim rreth demografisë së këtij vendi. Më vonë po gjatë atij viti, u botua një tjetër foto e Orban para të njëjtës hartë, teksa mbante në duar një libër të botuar në vitin 2017 nga Douglas Murray me titull “Vdekja e çuditshme e Evropës:Emigracioni, identiteti, islami”.

Argumenti i tij kryesor është se emigracioni po e shkatërron Evropën.

Ndërohë, Orban ka krijuar lidhje të ngushta me politikanë të tjerë nacionalistë dhe të së djathtës ekstremë në rajon. Në vitin 2019 ai u takua me Milorad Dodik, anëtarin serb të presidencës boshnjake. Pas takimit Orban deklaroi se “Intensiteti i këtyre marrëdhënieve me Republikën Srpska nuk është ai që duhet të jetë.

Ne synojmë të forcojmë marrëdhëniet midis Budapestit dhe Banja Lukës, (qendra administrative e Republikës Srpska)”.Më herët Dodik ishte takuar dhe kishte diskutuar bashkëpunimin me delegacionet e partive të ekstremit të djathtë nga Italia, Hungaria dhe Austria.

Kohët e fundit Orban nisi të takohej shpesh me presidentin serb Aleksandar Vucic. Ish-kryeministri nacionalist i Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski, u arratis pikërisht në Hungari në vitin 2018, për të shmangur dënimin me burg për blerjen e paligjshme të një Mercedesi të blinduar.

Gjithashtu,ai dyshohej se qëndronte pas sulmit të turmës në sallën e parlamentin maqedonas në vitin 2017. Zgjedhjet e vitit 2020 në Malin e Zi, sollën në pushtet një koalicion pro-serb dhe pro-rus, duke e polarizuar më tej shoqërinë dhe destabilizuar vendin. Kjo gjë ndodhi pas disa viteve të ndikimit të huaj dashakeq në vend, që arriti kulmin në vitin 2016, kur u arrestuan disa agjentë rusë me akuzën e përpjekjes së dështuar të një grushti shteti.

Që nga zgjedhjet e fundit, mohimi i gjenocidit në Bosnjë ka qenë në rritje. Kohët e fundit, Ministri i Drejtësisë të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, ka refuzuar ta njohë gjenocidin e Srebrenicës të vitit 1995, derisa “ai të përcaktohet pa mëdyshje si i tillë”.

Vala e ideologjive të ekstremit të djathtë dhe rrjeteve të saj në Evropën Juglindore dhe Lindore është në rritje. Lufta e vitit 2014 në rajonin e Donbas në Ukrainën Lindore, zbuloi se sa mirë janë të lidhura këto rrjete me njëra-tjetrën.

Kroatët luftonin përkrah forcave ukrainase, ndërsa serbët mbështesnin separatistët pro-rusë. Luftëtarët e huaj nga rajoni vazhdojnë të marrin pjesë në të dyja anët e konfliktit, dhe ndërsa kohët e fundit konflikti është përshkallëzuar shumë, gjithashtu është rritur edhe numri i vullnetarëve nga rajoni i Ballkanit.

Lidhjet midis njësive paraushtarake dhe elitave politike në rajon të mbajtura sekret, u zbuluan vitin e kaluar. Këto lidhje shkuan deri në nivelin e një skandali diplomatik, kur anëtari serbo-boshnjak i presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Milorad Dodik, i dhuroi Ministrit të Jashtëm rus Sergey Lavrov një ikonë të krishterë ortodokse, e cila rezultoi se ishte plaçkitur gjatë luftës së vazhdueshme në Ukrainë, gjatë një vizite shtetërore në Bosnje Hercegovinë.

Pasi u zbulua ky skandal, Lavrov ia ktheu menjëherë dhuratën ambasadës së Bosnjës në Moskë.

Për një kohë të gjatë kërcënimi i ideologjive të ekstremit të djathtë dhe populizmit në Ballkan është lënë pas dore. Kjo gjë u ka dhënë mundësinë që ato të zgjerohen dhe të rriten. Tani kemi ardhur në një fazë ku këto politika janë normalizuar, dhe rajoni është nën kërcënimin e destabilizimit. Bosnje Hercegovina duket se është e para në listën e punëve për t`u bërë. Nëse këto ideologji nuk frenohen, radhën do ta kenë grupet e tjera të prekshme

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH