Analizë

Rreziku rus si kryearsyeja e hapjes së negociatave

Shkruar nga Liberale
Rreziku rus si kryearsyeja e hapjes së negociatave

Nga Red Varaku

SHBA-të e kanë të qartë që të gjitha vendet që kanë qenë sferë e influencës Ruse deri në vitet 1990 , janë kthyer në një fushëbetejë ushtarake, politike dhe ekonomike ku po përplasen fort Perëndimi me Rusinë.

Në këtë kontekst të ri gjeopolitik edhe Ballkani Perëndimor, i cili deri në 1990 ishte pjesë integrale e sferës së influencës ruse, është kthyer në një fushëbetejë politike dhe ekonomike midis Perëndimit dhe Rusisë, ku misioni strategjik i Rusisë është bllokimi i integrimit dhe rikthimi i rajonit nën patronazhimin rus ndërsa misioni strategjik i Perëndimit është inkuadrimi i këtij rajoni në Bashkimin Europian .

Është e qartë që roli i SHBA-ve në këtë betejë është vendimtar, pasi misioni kryesor i SHBA-ve në nivel global është mbrojtja e vendeve të vogla aleate nga fuqi rajonale si Rusia, Kina apo Irani dhe sigurisht mbrojtja më e mirë për rajonin tonë nga një fuqi rajonale si Rusia është integrimi në BE, pasi kjo prodhon demokraci, paqe, mirëqenie dhe stabilitet.

Provë për këtë është stabiliteti gjeopolitik, mirëqenia dhe zhvillimi i qëndrueshëm i Bullgarisë dhe Rumanisë menjehere pas integrimit të tyre në BE, ndërkohë që para integrimit ato ishin kthyer në burim problemesh dhe destabiliteti për vetë Bashkimin Europian.

Rrjedhimisht, avancimi i proceseve integruese për Ukrainën, Moldavinë, Shqipërinë, Maqedoninë Veriore këtë qershor, dhe avancimi për statusin e vendit kandidat për Bosnjë-Hercegovinën dhe liberalizimi i vizave për Kosovën që pritet të ndodhin në tetor nuk ka asnjë lidhje me përmbushjen e kritereve të pranimit nga qeveritë respektive, por është produkt i drejtëpërdrejtë i kësaj përplasjeje për influencë midis Rusisë dhe Perëndimit .

Për pasojë shpejtësia e integrimit për rajonet që kanë qenë nën influencën e sferës ruse dhe veçanërisht për rajonin tonë është rritur. Falë vullnetit të palëkundur Amerikan rajoni po shkon drejt inkuadrimit në sferën e influencës së demokracive perëndimore.

Çka është vërtetë një lajm i jashtëzakonshëm për rajonin, por veçanërisht për popullin shqiptar. Jo vetëm sepse shënon fillimin e fundit të një përpjekje qindra vjeçare për tu çliruar nga vargonjtë e skllavërisë, por sepse kjo shënon përmbushjen e një ëndrre shekullore për rikthimin në familjen europiane të një prej kombeve më të lashtë të kontinentit.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH