Editorial

Rreziku i frymës antieuropiane në Shqipëri

Shkruar nga Liberale
Rreziku i frymës antieuropiane në Shqipëri

Ervis Iljazaj

Pas mos hapjes së negociatave me Bashkimin Europian ekziston rreziku që Shqipëria dhe rajoni të futen në një lloj izolim i cili është i rrezikshëm për vëndin tonë. Nëse ka një arsye se përse i duhej Shqipërisë hapja e negociatave, është pikërisht kontrolli që ky proces do të ushtronte mbi politikën shqiptare. Madje kushtet e vendosura nga Gjermania do të shërbenin si zgjidhje e krizës politike dhe shpëtimit të demorkacisë shqiptare.

Tashmë që Europa na ka lënë pas dere dhe është e paqartë se cfarë rrugë do të marrë procesi i negociatave duke parë të gjitha debatet që janë hapur në Bashkimin Europian, ndikimi në politikën shqiptare do të jetë i pashmangshëm. Nëse deri më tani kushtet e Gjermanisë mund të ishin jë udhërrëfyes, pas moshapjes së negociatave nuk dihet se cdo të ndodh me to dhe cfarë dinamikash do të krijohen brenda Shqipërisë. Është shqetësuese fakti nëse politika jonë mbetet jashtë monitorimit të institucioneve të Bashkimit Eruopian.

Por më shqetësuese se kjo gjë, është rreziku i një fryme antieruopiane që është krijuar këto ditë. Këtë frymë e ka ndihmuar  retorika dhe komunkimi publik i kryeminsitrit dhe qeverisë. Duke i mëshuar idesë se fajin e ka Eruopa që nuk na do, që  problemet e tyre të brendshme janë shkaku i vetëm i refuzimit që na bënë, apo në ndonjë rast se mos hapja e negociatave me Shqipërinë vjen si pasojë e albanofobisë dhe fesë myslymane të shqiptarëve, është duke krijuar në opinionin publik shqiptar një lloj antieuropianizmi të rrezikshëm.

Sepse, sic ndodh shpesh me politikën shqiptare në këto raste, ky moment nuk shërben si një moment reflektimi dhe diskutimi normal në të mirë të vëndit, por si një moment për të gjetur fajtor dhe shmangur përgjegjësi. Shqiptarët të lodhur nga premtimet tashmë 30 vjecare për integrimin në Bashkimin Europian mund të bihen preh lehtësisht në këtë lloj propagande, dhe mund të mendojnë se vërtetë Europa na e ka fajin. Dhe në fakt, nuk kanë munguar këto ditë në rrjetet sociale apo media të ndryshme njërëz që akuzojnë Makronin dhe Francën si antishqiptare. Sigurisht që Franca mund të ketë arsyet e saj politike dhe gjeopolitike, por antieuropianizmi që po krijohet këto ditë është një klimë e rrezikshme që mund të ketë pasoja të mëdha në vashdimësi.

Për interesa thellësisht politike, po krijohet ideja se fajin na e ka Franca, dhe se Europa nuk na do. Kjo është një absolutisht e pavërtetë. Por edhe nëse e marrim të mirqenë se këtë vit Franca ka ndryshuar mendim për sa i përket procesit të zgjerimit dhe do ta reformojë atë,  po Hollanda me Danimarkën që kishte arsye të tjera për jo-në?

Përtej këtyre diskutimve, po në vitin 2018 i kujt itshe faji që Shqipërisë nuk ju hapën negociatat? Po në vitin 2017? Po për 30 vite vite me radhë ku Shqipëria e ka nisur procesin e integrimit më shpejt se shumë vënde të rajonit dhe tani është e fundit ?

Prandaj, të gjitha diskutimet se Europa është ajo që nuk do, janë diskutime për qëllime politike meskine dhe aspak të vërteta. Përkundrazi, edhe pse Shqipëria nuk e ka merituar hapjen e negociatave gjithmonë i është lënë një derë e hapur për mos ti ndërpreprë prespektivën europiane shqiptarëve.

Përpara se të akuzojmë Europën që na la jashtë, duhet të kthejmë sytë nga vetja dhe politika jonë për atë cfarë ajo ka bërë në këtë drejtim . Dhe nëse e bëjmë këtë gjë, me siguri do të gjejmë shumë arsye për të fajësuar politikën shqiptare dhe veten tonë.

Kështu që, retorika publike që po zhvillohet këto ditë për t’ia hedhur fajin Europës, rrezikon vërtet të krijojë një frymë antieuropiane në Shqipëri. Dhe në një vënd të varfër, të lodhur nga premtimet, dhe ku ka padyshim kultura dhe rryma shoqëore lindore, kjo gjë rrezikon vërtet atashimin me perëndimin. E vetmja shpresë për të ardhmen e Shqipërisë është rruga drejt Bashkimit Europian dhe perëndimit.  Të gjitha rrugët e tjera janë një qorrsokak i dëmshëm. Politika shqiptare pëprara se të krijojë këtë frymë ka për detyrë ti përvishet punës dhe të krijojë të gjitha standartet ekonomike, ligjore dhe shoqërore për të qenë antare e denjë e Bashkimit Europian./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH