Aktualitet

“Rrëfimet” e Nexhmies, si një shuplakë fytyrës

Shkruar nga Liberale
“Rrëfimet” e Nexhmies, si një shuplakë fytyrës

Nga Namir Lapardhaja

“Përjetime dhe meditime në jetën time politike” quhet libri i Nexhmije Hoxhës, së vesë së diktatorit.

Libri po zë faqet e së përditshmeve më të mëdha në Shqipëri pa kurrfarë filtri dhe shënimesh shoqëruese.

Për të kuptuar se në çfarë shoqërie thellësisht sklerozike jetojmë, imagjino se si do të reagonin gjermanët sot nëse Eva Braun, bashkëshortja e Hitlerit, do të shkruante kujtimet dhe përjetimet e saj për atë se çfarë ndodhi në Gjermaninë posthitleriane; ose imagjino se si do të reagonin sot italianët nëse Rachela Musolini do të ishte gjallë dhe do t’i jepej akses në “La Republica” etj., ku do të mbante qëndim e do të gjykonte, fjala vjen, për Berluskonin, Da Lemën, Andreotin etj.; ose sikur gratë e Pol Potit dhe të Pinoçetit të ftoheshin në media, t’u jepej minutazh i madh mediatik dhe të përditshmet e Kamboxhias dhe të Kilit të hapeshin në faqet e tyre të para me kujtimet dhe memoaristikën e tyre?!

Këto janë pyetje hipotetike, ngase në asnjë prej këtyre vendeve nuk mund të ndodhte një gjë e tillë.

Por në Shqipër po.

Gjithçka mund të ndodhë. Edhe për shkak të klimës së përgjithshme, ku jemi i vetmi vend që nuk mbajmë një qëndrim të qartë dhe të hapur për të kaluarën tonë të errët komuniste dhe diktatoriale.

Jo vetëm kaq, por rrangallët e ndryshkyra të diktaturës i riciklojmë në majat më të larta të sistemit tonë të drejtësisë etj.

Mjafton të lexosh sot Nexhmijen dhe e kupton se, pavarësisht kohës së madhe që ka kaluar, ajo është sërish e kthjellët për gjithçka i kanë bërë këtij populli, të vetëdijshëm dhe stoik për krimet e tyre.

Rrëfimi i saj është i mbushur me armiq të jashtëm dhe të brendshëm, për sabotatorë, për agjentura, për tradhëtarë etj., etj., sa të duket vetja sikur jeton në Shqipërinë e ’48-tës.

Nexhmija dhe të ngjashmit e saj janë në “të drejtën” e tyre. Ky është dështimi ynë më i madh si shoqëri.

Dhe, padyshim, vetëm një ndër fitoret e tyre mbi “demokracinë”.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH